Dora e Henrisë, ndeshja e Ramës dhe mandati i Berishës
Edi Lesi
Goli me dorë i Henrisë në ndeshjen kualifikuese për në Botërorin 2010 dhe gjithë ç’ndodhi më pas, të cyt për të hequr paralele mes asaj drame në futboll dhe zhvillimeve politike dhe konfliktit në Shqipëri pas zgjedhjeve.
U pa botërisht se si u fundos Irlanda nga kjo shkelje flagrante e rregullave të lojës prej sulmuesit francez. Përveç ishullorëve, sekush në botë që pasoi përmes ekranit “dorën e Zotit” ndjen edhe sot e kësaj dite një revoltë nga ato që të shkaktojnë veçse padrejtësitë e mëdha.
Kërkesat e dëshpëruara për përsëritje të ndeshjes morën një përgjigje të shpejtë dhe lakonike nga FIFA. “Jo”. Organizmi më i lartë i futbollit e di mirë se ai ndryshim i rezultatit ishte i parregullt. Mirëpo, është arbitri në fushë që vendos. Nëse do të kthehej mbrapsht loja, atëherë vërtet ky do të ishte ngushëllim për Irlandën, por sakaq futbolli, ky manifest që është kthyer në një marrëzi botërore, do të merrte fund si sport. Precedenti i krijuar, do të sillte pasoja fatale, ku çdokush më pas do të kërkonte përsëritje pafund.
Kur e kur kjo kronikë të ndërmend thirrjet e opozitës në Tiranë për hapjen e kutive, protestat e saj, pra ngulmimin për përsëritje të ndeshjes.
Që në krye duhet thënë se ngjashmëritë nuk janë të mëdha. Nëse dora e Henrisë është një fakt i pakontestueshëm, gjithashtu lehtësisht i verifikueshëm, manipulimi i zgjedhjeve që pretendon Rama ngjan më tepër me një realitet virtual. 6 muaj më pas, kryetari i opozitës ende nuk ka paraqitur një provë, një dokument, ose një shkresë, apo pamje vizive, që të vërtetojë akuzat e tij.
Nëse vetëm pse dikush është i pakënaqur nga zgjedhjet, ndërkohë që janë konsumuar gjithë instancat ligjore të apelimit, do të bëhej premisë për kthimin e tyre mbrapa, kjo sigurisht do të sillte fundin e votimit. Arbitri ka vendosur që procesi i 28 qershorit në Shqipëri ka qenë më i mirë në historinë tonë të pluralizmit. Kështu janë shprehur institucionet ndërkombëtare.
Por përtej kësaj, duhet të pranojmë se Edi Rama, ka qenë para dhe pas zgjedhjeve opozitari më i privilegjuar që ka pasur ndonjëherë vendi. Ai zgjodhi sistemin që deshi, ndërtoi infrastrukturën që vetë deshi dhe deri në fund ishte bashkadministrator i gjithë procesit ku përfshihet edhe numërimi i votave.
Askush më parë, asnjë kryetar opozite nuk ka qenë në të tilla rrethana lehtësuese.
Tani, dalëngadalë nga çadrat e tij në Bulevard po formësohet një tjetër kërkesë. Ndërprerje parakohe e mandatit të qeverisë. Nuk mund të mohohet se mitingu i fundit i opozitës që shoqëron edhe pretendimet e reja, ishte masiv. Si i tillë ai duhet marrë në konsideratë nga qeveria, dhe do të ishte gabim tallja me të. Mirëpo, nuk është sasia e protestuesve, ajo që mund të rrezikojë 4 vjeçarin e këtij ekzekutivi.
Qeveria ka vetëm një mënyrë për t’iu përgjigjur seriozisht popullit opozitar dhe për të çuar ditët e saj deri në agimin e 1013-ës. Kjo mënyrë është qeverisja e mirë. Rreziku i saj i vetëm janë në fakt disa probleme që po hasen në ushtrimin e pushtetit.
Berisha 2, ka tendencën të jetë më pak transparente. Për shembull, është e habitshme se si kryeministri nuk shpjegon para publikut se çfarë po ndodh në tunelin e Kalimashit. Simbolika më e fortë e maxhorancës në këto ditë dhe investimi më i madh financiar po rrezikon të mbulohet në mister e spekulime pasi gjithë kohës dëgjohen vetëm denoncime e lajme të këqija, dhe nga ana tjetër mungon një sqarim serioz nga autoritetet.
Më parë, gjatë ndërtimit, ka pasur komunikim për çdo gërmim. Edhe x ditë nga hapja e tunelit, ishte një njoftim i zakonshëm i qeverisë. Aktualisht aty po ndodh diçka që nuk shkon dhe kësaj i shtohet mungesa e komunikimit. Gjithashtu, pak transparence ka për emërime të rëndësishme, shkarkime gjithashtu, si dhe për ndarjen e posteve me aleatët, kryesisht me LSI-në.
Një tjetër fenomen i pakëndshëm që konstatohet është mbyllja e PD-së dhe izolimi i saj si në parti ashtu edhe në ekzekutiv, përkundër hapjes që ndodhi para zgjedhjeve të vitit 2005. Përherë e më pak dallohen figura të reja afër maxhorancës, ndërkohë që besnikëria politike është bërë një kriter emergjent për rekrutimin dhe afrimin në përgjithësi me këtë forcë politike.
Nuk është më pak shqetësuese, arroganca e zakonshme e disa drejtuesve të PD-së, e cila në vend se të minimizohej e të kthehej në modesti gjatë këtij mandati, edhe për shkak të rezultateve jo të mira në zgjedhje, përkundrazi po bëhet edhe më e theksuar. Shihni çfarë ndodh me kryetaren e Kuvendit. Deklaroi dhe e përsëriti para zgjedhjeve se do të mbante përgjegjësi nëse në qarkun e Shkodrës PD do të fitonte më pak se 9 deputetë. Ka fituar në fakt 7. Përgjegjësia e vetme që kryetarja po mban është rritja e agresivitetit të saj.
Nuk mund të mohohet se në këto vite është krijuar një grup njerëzish me pushtet, që jetojnë më mirë se të tjerët, që kanë më shumë akses në burimet politike dhe financiare, që kanë gjithashtu ndikim në vendimmarrje. Kjo elitë ose kjo aristokraci e re ka prirjen të jetë edhe e zhurmshme, sa është e pamundur të mos bjerë në sy e të mos bezdisë ata që kanë besuar shumë dhe që kanë votuar Berishën për atë çka përfaqësonte dhe për premtimet e tij.
Në këtë kornizë, shtohet edhe dhuna e shpeshtë dhe humbja e tolerancës së pranueshme të institucioneve që vjelin të ardhurat, kryesisht ndaj biznesit
Janë pikërisht këto fenomene të qeverisjes që rrezikojnë seriozisht jetën e shumicës. Protestat, kërkesat e Ramës dhe dafrunga nën çadra, më pak.