Ministria e Kulturës, asnjë projekt i miratuar
Ndonëse jemi në muajin maj, deri më tani Këshilli Artistik në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk ka marrë në shqyrtim asnjë projekt. Rrjedhimisht fondi i përvitshëm që vihet në dispozicion për aplikimet që individë apo shoqata joqeveritare bëjnë pranë MTKRS, mbetet ende i paprekur. Artistët janë të pakënaqur që ka kaluar thuajse gjysma e vitit pa marrë një përgjigje. Nga ana tjetër, drejtoresha e Artit, Moza Sofroni, e justifikon këtë mungesë me përgatitjen e bazës ligjore. “Ministria e Kulturës vazhdon të punojë ende me dy VKM: 150 dhe 309 dhe një VKM të vitit 2009 që ka të bëjë me organizimin e eventeve shumë të mëdha. Ndonëse deri më tani ka ekzistuar ligji ‘Për artin skenik’ është ndier një handikap i një ligji për artin në tërësi. Prandaj ne menduam që këtë ligj ‘Për artin skenik’ ta shtrijmë në ligjin për artin, duke abroguar të dyja VKM-të që rregullojnë funksionimin e zhvillimit të projekteve dhe financimin e tyre. Shumë shpejt do të çojmë për miratim edhe një VKM që do të lidhet me shpërblimin e cilësisë artistike, një faktor i domosdoshëm në mirëfunksionim e mbështetjes së projekteve, sepse ka një detajim për të gjitha mënyrat e mbështetjes financiare. Kjo ka sjellë në njëfarë mënyre një lloj vonese, por që prapë është e justifikueshme, sepse ndërkohë kemi rregulluar bazën ligjore, mënyrën e funksionimit të projekteve, janë parë edhe një herë aplikimet e veçanërisht ato që paraqisnin vështirësi për t’u plotësuar”, ka theksuar Sofroni. Në fakt, kjo “heshtje” mund të ketë penalizuar ndonjë projekt, i parashikuar që të ndodhte para muajit maj ose këto ditë kur ende bordi i kryesuar nga zëvendësministrja Suzana Turku nuk ka marrë asnjë vendim. Sipas Sofronit, në raste kur ka pasur aplikime të tilla, nga Ministria janë ndërmarrë veprime paraprake. Si shembull ajo ka sjellë miratimin e buxhetit për shfaqjen “Letra dashurie” të Kastriot çipit, i vendosur më 14 shkurt apo edhe aktivitetin më të fundit, festivalin “Albania dance meeting”, organizuar në Durrës nga Gjergj Prevazi. Ky i fundit, thuhet se është monitoruar për cilësitë artistike që ka sjellë, të cilat do të përcaktojnë më pas edhe vendimin për ta financuar ose jo. Por pjesë e këtyre projekteve janë edhe aktivitete apo manifestime me natyrë apo orientim politik. I tillë ishte koncerti i 1 Majit, ku Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve mundësoi praninë e këngëtarëve, ashtu siç ka ndodhur edhe në të tjera koncerte të organizuara për llogari të qeverisë ku janë akorduar shuma të konsiderueshme, ndonëse financimi i tyre është bërë përmes aplikimeve pranë MTKRS-së. Mbledhja e parë e Këshillit Artistik është organizuar vetëm fundjavën që shkoi, ku më së shumti bordi është njohur me rregulloren mbi bazën e së cilës do të funksionojë. “Këshilli Artistik është prezantuar me politikat (ato të shfrytëzimit të siteve arkeologjike, të turizmit kulturor, të edukimit të qytetarëve me jetën artistike etj.) dhe disa nga evenimentet kryesore që ne kemi në parim, kryesisht ato të traditës”, shprehet Sofroni. Po sipas saj, brenda kësaj jave do të organizohet një mbledhje e dytë, në të cilën parashikohet që të vendoset se cilat do të jenë aktivitetet që ministria do të mbështesë deri në muajin korrik. Për muajt në vijim pritet që bordi të kryejë normalisht mbledhjet, gjë që do të thotë se një mbledhje e muajit qershor do të miratojë projektet që do të organizohen deri në shtator. Gjithsesi mbetet e qartë që fondi i 2010-s do të shfrytëzohet për gjysmën e dytë të vitit.
#