E Diel, 1 Nëntor 2026

Marsela Lena: Playboy më transformoi në Pegin, që vuajti ndëshkimin nga jeta

Aktorja zbulon projektet artistike dhe rrëfen emocionet me personazhin e Pegit në komedinë Playboy i trojeve tona


Ajo është një aktore mjaft e këndshme, e brishtë dhe e lirshme në skenë teksa interpreton. Ka vite që interpreton në skenë, dhe padyshim bën pjesë në atë brez aktorësh të rinj, që sjellin diçka të re në skenën e teatrit. Kjo është aktorja Marsela Lena, e cila

vetëm pak kohë më parë u ngjit në skenën teatrore me rolin Pegin Maik në veprën teatrore Playboy i trojeve tona, e cila erdhi premierë në Teatrin e Metropolit. Në këtë intervistë dhënë për gazetën aktorja Lena rrëfen jetën artistike, dhe çfarë i ka falur roli i Pegit në këtë shfaqje. Aktorja tregon se me këtë vepër kanë qenë aktorë të rinj, por të talentuar, të cilët falë punës dhe pasionit të tyre kanë arritur të sjellin para publikut një vepër artistike me vlera. Aktorja Lena i takon brezit të ri të skenës, por ndërkohë që në vijim të kësaj interviste ajo nuk lë pa përmendur dhe jetën artistike në vendin tonë, flet për politikat kulturore dhe çfarë duhet të bëhet që ato të përmirësohen për të dhënë një gjallëri më shumë në jetën kulturore shqiptare. Sa i takon personazhit të saj më të fundit në skenën teatrore, ajo tregon se nuk ishte e lehtë edhe puna e saj individuale. Net të tëra pa gjumë, duke punuar për të realizuar këtë personazh krahas provave në teatër, bënë që aktorja të prezantohej sërish me sukses para publikut.

-Së fundmi në skenën e teatrore erdhët me rolin e Pegin Maik në veprën Playboy i trojeve tona, si erdhi ky bashkëpunim me regjisorin Kiço Londo dhe emocionet që morët?
Vepra e Syngut e vënë në skenë nga regjisori Kiço Londo ishte një shkollë më vete, gjuha dhe stili i autorit por edhe koncepti regjisorial sollën para publikut vlera artistike, të cilat u prezantuan përpara publikut me mjaft emocion! Bashkëpunimi me regjisorin Kiço Londo ka lindur pas veprës Kopshti i Vishnjave në të cilën më besoi rolin kryesor e Ljubov Andrejevnës në diplomimin tim si aktore pranë Akademisë së Arteve. Pas këtij bashkëpunimi të frytshëm dhe cilësor si dhe duke parë disa role të mija që nuk po i përmend më afroi rolin e Pegin Maik në komedi. Sigurisht që e prita me shumë emocione të forta këtë rol, pasi kisha lexuar veprën dhe përgjegjësia ishte e madhe. Mu desh një punë vetjake studimore në lidhje me  veprat e Syngut si Hija e Luginës, Kalorësit në det, Pusi i shenjtorëve, Playboy...etj. Karakteret në veprat e Syngut shpërfaqin një botë emocionale për vetë ngjarjet që ka kaluar Irlanda në ato vite, kjo pasuri kulturore, ngjarjesh dhe dramash duhet rrëmbyer dhe analizuar nga aktori në mënyrë që të sjelli karakterin e plotë dhe të pasuar dhe me plot detaje. Kështu mendova se duhet ta ndërthur figurën e Pegin Maik. Realizimi i kësaj figure nuk mund të vijë në mënyrë vetjake pa punën dhe bashkëpunimin e regjisorit të cilën unë pata fatin ta kisha! Puna jonë sa e vështirë aq edhe komunikuese mendoj se u realizua me sukses përpara publikut dhe unë ndjej një respekt dhe përkushtimin tim të veçantë për regjisorin, për të cilën kemi punuar ditë e net e të tëra për ta realizuar këtë shfaqje. Tashmë që shfaqjet u mbyllën, sepse pjesë të tjera po jepen në Teatrin e Metropolit ndjej një boshllëk, sepse u njësova me figurën dhe karakterin e Pegin Maik... sa keq që shfaqjen e mbyllën shpejt... nuk e di pse...

-Sa e vështirë është të përshtatesh me rolin e Pegin Maik?
Pegin Maik është protagonistja e veprës, është një vajzë me karakteristika të veçanta, sa e ashpër aq edhe e ëmbël, sa përbuzëse aq edhe e dashur. Liria e saj pa kufi ja ndëshkon jetën e saj. Duke parë karakteristikat e saj mu desh të afroj vetitë dhe cilësitë e veçanta për tia ngjizur këtij roli, duke gjetur tek vetja dhe duke transformuar edhe vetveten për tu afruar te roli te karakteri i saj. Nuk i ishte e lehtë puna ime individuale, mu desh net të tëra pa gjumë të punoja me vetveten krahas provave në teatër, por edhe punës sime individuale në shtëpi të cilën e shndërrova në studio dhe objekte se edhe vetë ambienti, ku zhvillohen ngjarjet, ishte një bujtin-stallë. Në këtë ambient skenik zhvilloheshin ngjarjet e veprës. Gjetja e regjisorit, mendimet e tij për ta sjell këtë shfaqje në këtë ambient shumë pranë spektatorit ishte një sfidë sa delikate për interpretimin tim, aq edhe domethënëse në raport me publikun shumë pranë nesh. Dua të them se të interpretosh rolin e Pegin Maik kaq pranë publikut kërkon një sinqeritet dhe besueshmëri shumë të madhe, e cila lind si një rezultat i komunikimit direkt me spektatorin. Sytë e tij janë shumë pranë me sytë e aktorit, pra nuk mund ta gënjesh dot sado art të bësh...

-Çfarë përfaqëson Pegin Maik?
Desha ta përkufizoi me pak fjalë figurën e Pegin Maik sigurisht duke mbështetur te boshti kryesor i veprës. Ideja e veprës, vrasësi që bëhet hero, Playboy, e cila bazohet në një vrasje të lashtë, që ushqehet te njeriu në mënyrë koshiente ose jokoshiente për sjelljen e  dhunshme, vrasje që në mënyrë shumë të kollajshme kthehet në respekt dhe idealizëm, kur shkelësi paguan një veprim që kalon kufijtë e normalitetit. Pegin Maik është një vajzë noprane, bën jetën e saj rutinore nga njëra anë kurse nga ana tjetër është e dashuruar pas legjendës në imagjinatën e saj lidhet heroizmi me krimin. Pegi, sjell një semiotikë dhe simbolizëm të theksuar, që prek paganizmin e veprës.

-Për herë të parë në një sallë me publikun shumë afër. Si u ndjetë, a patët hezitime në fillim?
Salla Bodrum është një sallë moderne 90 vendëshe me një skenë e ndërtuar shumë pranë publikut. Kjo më afron në kujtesë mjaft salla të tilla, të cilat frekuentohen me sukses në disa kryeqytete të Europës. Kam pasur rastin të shikoj disa premiera si komedi ashtu edhe drama në Athinë, Selanik, Larisë etj. Në teatro të tilla, të cilat janë shumë komode për një elitë publiku. Teatro të tilla shoqëroheshin edhe me ekspozita dhe librari ku shiteshin veprat të autorëve vendas dhe botëror. Kështu që nuk ndjeva ndonjë befasi, kontraktim psikologjik në lidhje me interpretim tim në këtë sallë. U ndjeva tepër e lirë falë edhe natyrës sime të çkontraktuar... vërtet që kam ndier kënaqësi që pata rastin të punoj në një sallë të tillë dhe sa mirë që edhe publiku jonë i Tiranës u mësua me këtë risi. U ndje si në shtëpinë e vetë.

-E ndërkohë ju jeni një kast aktorësh të rinj, të cilët për disa ditë me radhë mbushët sallën, e prisnit diçka të tillë? Si ishte bashkëpunimi me ta?
Është sadisfakion kur merr kënaqësi nga publiku, i cili ta vlerëson dhe duartroket shfaqjen dhe largohet me mbresa nga salla. Besoj se këtë ngrohtësi të publikut ne të gjithë e kemi ndjerë dhe është për ta vlerësuar shumë publikun tonë, i cili tashmë po i afrohet teatrit ndoshta ai bën edhe sakrifica... për të gjetur një argëtim për të plotësuar ato çka atij i mungojnë në jetën e përditshme. Trupa jonë e aktorëve në këtë vepër ishin të gjithë të rinj, të cilët sollën përvojën e tyre artistike, një përkushtim dhe një harmoni artistike çka është domosdoshmëri në punën tonë në ansambël. Ne të gjithë kemi përfituar shumë nga njëri-tjetri në art, jo vetëm merr por edhe jep. Nuk mund të rri pa folur për miken time dhe kolegen Sesilia Plasari, e cila përktheu me shumë mjeshtëri dhe një gjuhë të pasur veprën Playboy.., gjithashtu e kisha dhe partnere në rolin e Vejushës Kuin, një rol tepër i spikatur me ndjeshmëri dhe i realizuar me shumë mjeshtëri! Marrëdhëniet e mija në rol me të më kanë dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme, kam pasur fatin sepse ajo për mua ishte edhe pedagoge, por edhe aktore në shumë zgjidhje të figurave tona të përbashkëta! Sesilia ka qenë shumë e përkushtuar gjatë gjithë punës sonë me komedinë si në procesin e tavolinës, ashtu edhe në mizanskenat me të gjithë aktorët e tjerë!

-Teatri i Metropolit ka ofruar shumë mundësi dhe hapësira te artistët e rinj, sa e përkrahni këtë ide-iniciativë?
Angazhimi im në Teatrin e Metropolit sigurisht që është një tregues jo vetëm për mua, por edhe për aktorët e tjerë pjesëmarrës. Le ta

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›