Orhan Pamuk viziton Shqipërinë

Shkrimtari turk, Orhan Pamuk, fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2006, viziton për herë të parë Shqipërinë më 17-19 Maj 2010. Lajmin e bëri të ditur dje, botuesi i Pamuk-ut në gjuhën shqipe, "Skanderbeg books".
Më në fund ftesa e botueses së tij Flutura Açka bën realitet "vizitën e premtuar më 2006 me rastin e botimit të veprës së tij të parë në gjuhën shqipe "Unë jam e kuqja", vit kur ai edhe u shpall fitues i Çmimit Nobel në Letërsi, që u bë edhe arsyeja e shtyrjes në kohë të vizitës së planifikuar."
Me këtë rast prezantohet vepra e tij e re e botuar në shqip "Stambolli" që do t'i paraqitet lexuesit shqiptar këto ditë. Axhenda e Pamukut përfshin një udhëtim drejt Beratit, pasi "ai ka shprehur dëshirën për një vizitë të veçantë në këtë qytete, i interesuar për thesaret kulturore e muzeale të këtij qyteti të lashtë shqiptar", thuhet në njoftimin e "Skanderbeg books".
Do të jetë i pranishëm në dorëzimin e titullit "Doktor Honoris Causa", që i jepet atij nga Universiteti Shtetëror i Tiranës dhe në një sërë takimesh me personalitete të artit, të kulturës e të politikës shqiptare.
Është hera e parë që një autor i Nobelit vjen në Shqipëri, aq më tepër që Orhan Pamuk vjen si i tillë me një sërë veprash që i janë përkthyer këto katër vjet.
Romanet "Unë jam e kuqja", "Bora", "Kështjella e bardhë", "Shtëpia e heshtjes", "Jeta e re", si edhe libri me ese "Baulja e babait". Gjatë këtij viti pritet të botohen edhe romanet "Muzeu i pafajësisë" dhe "Libri i zi", vepra që pothuajse përmbyllin korpusin e tij letrar në shqip.