E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Kulturës dhe ajo e Punës abuzime me fondet

“Paraprakisht vlen të theksojmë se, nga shtatë institucione të audituara, në dy prej tyre u konstatuan mangësi, parregullsi dhe shkelje të procedurave e të rregullave të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave”, thekson njoftimi.

Shkelje janë hasur tek Ministria e Punës dhe çështjeve Sociale, për prodhimin dhe transmetimin e spotit publicitar dhe elementë të tjerë dekorativ për festën e 1 Majit të vitit 2010, të kryer nga operatorë e agjenci të ndryshme. Nga mungesa e dokumentacionit për kompanitë, është shkaktuar një dëm ekonomik për buxhetin e ministrisë në vlerën 9,237,863 lekë, vlerë kjo e përfituar padrejtësisht nga një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. 

Në dosjen e këtij eventi, nuk gjendej asnjë dokument ligjor apo ekonomik për llogaritjen e vlerës së fondit limit për 1 televizion kombëtar dhe për dy të tjerët jo kombëtar, si dhe për tarifën e përdorur në llogaritjen e këtij fondi limit. KLSH-ja ka kërkuar Zgjidhje e kontratës së  punësimit ”, për Drejtorin e Kabinetit të Ministrit, në  cilësinë e Kryetarit të komisionit të përgatitjes së dokumenteve dhe përzgjedhjes së operatorit të specializuar, i caktuar për marrjen në dorëzim  dokumenteve dhe materialeve  dhe zbatimin e eventeve.

Gjithashtu, është kërkuar Pezullimin si nëpunës civil” për 2 drejtorë të përgjithshëm, 3 përgjegjësa sektori dhe zëdhënësen e shtypit, me cilësinë e anëtarit të komisionit i përgatitjes dokumenteve dhe përzgjedhjes së procedurave. Po ashtu, është bërë “vërejtje me shkrim” për 8 punonjës në cilësinë e anëtarit të komisionit.

Shkelje janë vërejtur edhe në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për prodhimin e spotit “Promovimi i Turizmit në Shqipëri” dhe transmetimi i tij në EURO NEWS për disa data, në vitin 2009 dhe në vitin 2010. Pas kontrollit, rezultoi se grafiku i transmetimit paraqitej me gabime në llogaritje për transmetimin si dhe në dokumentacionin e dosjes nuk kishte studim të tregut për të marrë oferta nga operatorë të ndryshëm ndërkombëtarë. 

Nga auditimi i përmbajtjes së procesverbalit të mbajtur dhe tabelës bashkëlidhur, ku tregohet shpeshtësia dhe oraret e transmetimit të spotit, rezultoi se, nga kontraktuesi nuk ishin përmbushur detyrimet. Vlera totale për spotet e pa transmetuar llogaritet në 36,250 euro ose 4,456,937 lekë, vlerë kjo e përvetësuar nga Kontraktuesi, e cila përbën dëm ekonomik. Kryerja e pagesës me vlerën e plotë të kontratës, pa plotësuar kushtin për numrin e spoteve publicitare të transmetuara dhe shpeshtësinë, ngarkojnë me përgjegjësi komisionin e monitorimit të përbërë nga 3 punonjës.

Për sa i përket masave disiplinore, KLSH i ka rekomanduar MTKRS fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore “Zgjidhje e kontratës së  punësimit ”, për Kryetarin e grupit të monitorimit të kontratës për transmetimin e spotit publicitar “Promovimi i turizmit në Shqipëri”, nga kanali EURONEWS dhe 2 anëtarëve të Komisionit. Së fundi, në vlerësimin e veprimtarisë së Kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit të sipërcituar, janë evidentuar  elementë të veprës penale, dhe në këtë konteks KLSH ka depozituar kallëzim penal në organin e Prokurorisë të rrethit Tiranë./Start/

                                                                                             2012-05-17 17:23
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›