E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Kulturës reklamon në faqen zyrtare mashtrimin e restaurimit të mozaikut nga Vodafon

Krerët e kulturës shqiptare, kontratë me një firmë anonime, Vodafon përfiton miliarda

Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës vazhdojnë të mashtrojnë shqiptarët prej disa muajsh me rikonstruksionin e Mozaikut të Muzeut Kombëtar. Ky rikonstruksion, në fakt është një mashtrim i hapur, mashtrim i cili është kthyer në përfitim për

kompaninë mashtrues Vodafon, firmës publicitare dhe zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës. Megjithëse Mozaiku i Muzeut është mbuluar me banerin rreth 440 metra katrorë, nga konstatimet e gazetës SOT, nuk është bërë asnjë ditë volum pune. I vetmi volum pune që është bërë ka qenë vendosja e banorit të Vodafon dhe dita e inaugurimit ku nuk ka munguar edhe zëvendësministrja e Kulturës zonja Zana Turku. Pikërisht edhe sot pas kaq kohësh në sitin e MTKRS, qëndron ende lajmërimi i inaugurimit të nisjes së punimeve për restaurimin e mozaikut. Që në fillim të saj shkruhet se më 13.7.2010 ora 11.00 zv/Ministria e Kulturës znj. Suzana Turku  e shoqëruar nga stafi i MTKRS për trashëgiminë kulturore si dhe Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania z. Albi Greva, inspektuan punimet për fasadën e Muzeut Historik Kombëtar. Aktualisht puna është në fazën përfundimtare të dokumentimit, studimit dhe të sondazheve, duke marrë parasysh përmasat e veprës, vendndodhjen dhe rëndësinë e saj, por duke qenë dhe një nga veprat kryesore, dëshmi e një periudhe të caktuar historike. Vodafone dhe MTKRS po bashkëpunojnë për restaurimin e kësaj fasade. Ajo që të habit në këtë projekt për të cilin ka disa ditë që ka ngjallur reagime në qarqet artistike, por dhe më gjerë është fakti se në kontratën që kanë lidhur drejtuesit e këtij projekti nuk shikohet emri i kompanisë Vodafon. Nga ana tjetër kjo reklamë që i vlen aq shumë kësaj kompanie, sigurisht që do të çojë dhe në zvarritjen e punimeve për rikonstruksionin e mozaikut. Në një situatë të tillë këto punime që po kryhen në këtë mozaik, ndoshta qëllimisht nuk mund të mbyllen për disa muaj dhe sigurisht që bëhet për interesa reklame. Në krye të saj qëndron një shënim i kompanisë celulare: Vodafon me krenari mbështet restaurimin e fasadës së Muzeut Kombëtar, në përkujdesje për të ardhmen. Më poshtë vazhdohet me sloganin e kompanisë celulare Power to you, e më poshtë me shkronja të mëdha Vodafon. Nëse mund të abuzohet në një mënyrë kaq brutale me një vepër që sot është monument kulture dhe përmban një epokë të caktuar të historisë sonë, këtë mund të na e thonë vetëm ata që kanë nënshkruar një kontratë të tillë. Megjithëse u bënë muaj që flitet për këtë projekt restaurimi, Mozaiku vazhdon të jetë i mbërthyer nga skelat dhe baneri i kësaj kompanie celularësh. Kjo kompani përfiton miliona lekë në muaj nga sipërfaqja që ka pushtuar prej kohësh këtë Mozaik. U bënë me muaj të tërë që në këtë Mozaik është vendosur një baner, vetëm për qëllime reklamimi, e ndërkohë që në këtë vepër arti nuk është kryer asnjë ditë punimesh.


Mashtrimi
Në kontratën që u botua e plotë në gazetën SOT, dukej fare qartë se firma La Strada ka si qëllim ta shesë këtë hapësirë vetëm për reklamë, pasi ajo nuk figuron fare tek slogani aq i bukur, që është vënë në krye të Mozaikut në Muzeun Historik Kombëtar. Skandali me këtë projekt në Mozaikun e Muzeut Kombëtar, ku kompania celulare Vodafon shpenzon vetëm 40 milionë lekë për restaurimin dhe fiton rreth 1 miliard lekë, tashmë është i dukshëm për të gjithë, pasi vetëm me një përllogaritje të thjeshtë arrin që të kuptosh se sa bamirëse është kjo kompani celulare, që prej javësh ka mbërthyer Mozaikun. Kontrata, e tregon fare hapur këtë mashtrim që është bërë nga Arbër Kadia, drejtor i DRKK, i cili ka nënshkruar dhe këtë marrëveshje mes kompanive, ku vetëm emri Vodafon nuk figuron ndërkohë që vetë drejtori pohon para disa ditësh se: Për mua është e rëndësishme që të bëhet restaurimi, mua nuk më intereson reklama, unë nuk jam ekspert reklamash. Kontrata me kompaninë Vodafon përmban të gjitha detyrat e subjekteve të ndryshme, të cilat janë partnere në këtë restaurim. Nga ana DRKK dhe IMK jepet ekspertiza e plotë dhe nga ana e Vodafon jepet donacioni për këtë projekt. E ndërsa kompanie Vodafon, po gllabëron çdo ditë dhe më shumë para, në kurrizi të këtij monumenti kulture, i cili më shumë se kurrë po e ndjen se është lënë në harresë nga ata që duhet të ishin kujdesur për të, kjo duket fare qartë në atë baner gjigand prej 440 metra katrorësh që ka zënë ajo kompani. Nga personalitete të artit është pohuar me zë të lartë se kjo që po i ndodh kësaj vepre arti, është një turp, pasi sipas tyre kultura kombëtare po shkelet me këmbë, ku kemi një vepër arti, e cila po rënkon nga padrejtësitë që po i bëhen. Me një mashtrim kaq të bukur që i kanë bërë zyrtarët e MTKRS qytetarëve shqiptarë, kompania Vodafon gënjen qytetarët shqiptarë në mënyrën më të paskrupullt duke deklaruar se ajo po mbështet kulturën shqiptare, ku në të vërtetë ajo nuk ekziston në asnjë rresht të kontratës së lidhur me Muzeun Kombëtar. Pas kaq muajsh shihet qartë se ata që e kanë firmosur këtë kontratë e kanë bërë për qëllime përfitimi, por dhe mungesa e ndërhyrjes në Mozaik tregon se qëllimi është që kjo reklamë e Vodafon të qëndrojë sa më gjatë në mes të kryeqytetit, duke i shërbyer sa më mirë përfitimeve të kësaj kompanie. Mjegullnaja që është në këtë kontratë, e implikon dhe më shumë drejtuesit e këtij projekti, pasi na nxjerr si bamirëse një kompani, e cila po gllabëron me qindra milionë lekë në kurrizi të një vepre monument kulture, që përmban dhe një pjesë të historisë së popullit shqiptar. Kjo që po ndodh sot me Mozaikun, është një fatkeqësi e madhe, pasi nuk mund të lozë kompania Vodafon me këtë vepër arti, për të përfituar me miliona lekë. Për fat të keq fitimi në biznes ka hyrë në mënyrë marramendëse në qarqet drejtuese, dhe kjo është një fatkeqësi, e cila po dëmton gjithmonë dhe më shumë vlerat e kulturës kombëtare.

Ministria e Kulturës, është pjesë e mashtrimit apo është mashtruar
Aferat korruptive për rikonstruktimin e Mozaikut në MHK, tashmë është kthyer në temën e ditës. Tashëm janë fakte të ditura që kontrata e lidhur midis Arbër Kadisë dhe firmës La Strada nxjerrë në pah vjedhjet dhe mashtrimet që po bën në kurriz të qytetarëve shqiptarëve. Por ajo që mbetet në mjegull, është fakti nëse Ministria e Kulturës ka qenë në dijeni ose jo të kësaj kontrate korruptive. Çdo kontratë e lidhur duhet të paraqitet edhe në Ministrinë e Kulturës dhe ajo të vihet në dispozicion të vetë ministrit, ndërkohë që duke marrë parasysh faktin se në sitën e Ministrisë së Kulturës rezulton një njoftim ku flitet për vizitën që është bërë tek Mozaiku për të parë se në çfarë faze janë punimet, me pak fjalë arrijnë në përfundimin se Ministria e Kulturës është në dijeni të reklamimit që po bëhet nga ana e firmës Vodafon. Por po të merret parasysh që nga vetë Ministria e Kulturës nuk ka pasur asnjë lloj reagimi, në një farë mënyrë kjo hedh një hije dyshimi mbi përfshirjen e këtij institucion në afera korruptive.  Mashtrimi që i është bërë qytetarëve shqiptarë me atë që sot quhet projekt restaurimi ndaj Mozaikut në Muzeun Historik Kombëtar, tashmë duket fare qartë. Jo vetëm pasi kjo vepër arti prej disa muaj po qëndron e mbuluar me imazhin e një kompanie, e cila vijon ta mbajë të mbërthyer këtë vepër, që njëkohësisht është dhe monument kulture, por deri tani aty nuk ka asnjë shenjë të fillimit të punimeve, por duket ende e largët dita se kur do të nisin punimet në Mozaik.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›