E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Mbrojtjes: Janë arrestuar autorët e sulmit, Feti Vogli 'Dëshmor Atdheu'

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura përmes gjeneral Viktor Bërdos bëri publike për mediat se gjendja e komandos Aleksandër Peci, të mbetur të plagosur gjatë sulmit të djeshëm në Kandahar është drejt përmirësimit, ndërkohë njoftoi shpalljen ‘Dëshmor Atdheu’ e Kapitenit të ndjerë Feti Vogli

MInistria e Mbrojtjes sqaron se lajmi për fatin e Pecit, u morën në rrugë zyrtare nga autoritetet komanduese të ISAF dhe iu përcollën menjëherë publikut.

“Gjendja shëndetësore e Nëntetar Aleksandër Peci, vazhdon të përmirësohet pas ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Ushtarak në Bazën Ajrore të Kandaharit në Afganistan. Autoritetet ushtarake përgjegjëse të operacionit të ISAF po përmbyllim masat për transportimin e të plagosurit drejt Gjermanisë. Pas lajmeve tronditëse për fatin e Nëntetar Aleksandër Peci, lajme të cilat u morën në rrugë zyrtare nga autoritetet komanduese të ISAF dhe iu përcollën menjëherë publikut, njoftimet e mbrëmjes së djeshme që konfirmonin se Nëntetar Peci ishte në jetë kanë lehtësuar gjendjen emocionale të familjarëve të tij, ashtu sikundër janë pritur me gëzim të madh nga Forcat e Armatosura dhe nga gjithë shqiptarët”,- theksoi Gjenerali Brigade, Viktor Berdo Komandant i Forces Tokesore.

Gjeneral Viktor Berdo duke njoftuar shpalljen e Kapitetin të ndjerë Feti Vogli ‘Dëshmor i Atdheu’ sqaron se në Ministrinë e Mbrojtjes është ngritur Komisioni që do merret me organizimin e ceremonisë mortore të Voglit, pasi të përcaktohet koha e mbërritjes së trupit të tij në Shqipëri.

“Komisioni Qendror për dhënien e Statusit Dëshmor i Atdheut i ka akorduar Kapiten Feti Voglit, statusin Dëshmor i Atdheut.Varrimi i Dëshmorit të Atdheut Kapiten Feti Vogli do të bëhet në Varrezat e Dëshmoreve të Kombit. Lidhur me kohën dhe detaje të tjera të ceremonisë mortore shtetërore do te ketë komunikime të mëvonshme, pasi të jetë përcaktuar koha e mbërritjes në Atdhe të trupit të Dëshmorit të Atdheut Kapiten Feti Vogli”,- deklaroi gjeneral Brigade, Viktor Berdo.

Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA në interes të plotësimit të mëtejshëm të informacioneve të dhëna për publikun, bëjnë me dije se:
“Më datën 20. 02. 2012 në orën 16. 30 sipas orës lokale të Kandaharit, gjatë një misioni inspektimi dhe shoqërimi në rajonin SHADIZI ROBAT në afërsi të Bazës Ushtarake në SPIN BOLDAK, Grupi i Parë Special i Kontingjentit EAGLE 4, që vepron në kuadër të operacionit ISAF, ka rënë nën zjarrin e befasishëm të një efektivi të policisë lokale afgane. Si rezultat i zjarrit të befasishëm kanë mbetur të plagosur tre ushtarakë, dy shqiptarë dhe një amerikan. Grupi i ushtarakëve të gjendur në këtë situatë të rëndë, ka reaguar me vendosmëri dhe profesionalizëm të lartë, duke bërë të mundur arrestimin e personelit të Policisë Afgane të përfshirë në ngjarje. Nga strukturat operacionale të NATO-s janë marrë masa të menjëhershme për evekuimin mjekësor ajror të të tre të plagosurve. Komandanti i Grupit, Kapiten Feti Vogli nuk ka mundur të përballojë plagët e marra dhe ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërkohë që të dy ushtarakët e tjerë janë futur menjëherë në sallat e operacionit. Në orën 20:49 sipas orës lokale, ose orës 17:19 sipas orës së Shqipërisë autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar humbjen e jetës gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në spital për ushtarakun e dytë shqiptar. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës18:30 të datës 20. 02. 2012, pasi ishin njoftuar më parë familjet e ushtarakëve. Në orën 22:34 sipas orës lokale, ose orës 19:04 sipas orës së Shqipërisë autoritetet komanduese të misionit ISAF kanë raportuar se Nëntetar Aleksandër Peci kishte përballuar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale dhe ishte në jetë. Ky lajm i është bërë i ditur publikut përmes komunikatës së Ministrisë së Mbrojtjes të orës 20:30 të datës 20. 02. 2012. pasi ishte njoftuar më parë familja e Nëntetar Aleksandër Pecit. Rreth orës 23.00 të datës 20. 02. 2012 Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FA ka njoftuar publikun përmes një komunikate tjetër në të cilën i është përcjellë publikut lajmi për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të Nëntetar Aleksandër Pecit, pasi ishte njoftuar më parë familja e tij”,- nënvizoi Gjeneral Berdo. 
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›