E Shtunë, 31 Tetor 2026

MEICO i bleu ortakut të Bin Ladenit 15 raketa “Strela”

Zbardhet kontrata e shtatorit të vitit 1993 me Abdul Basit Hamza. Palët shkëmbejnë armatimin e rëndë dhe dollarë brenda ditës

Habjon Hasani

Më 22 shtator të vitit 1993 kompania shtetërore “MEICO” ka firmosur një kontratë më firmën “S.M.T”, në pronësi të Abdul Basit Hamza, ku ky i fundit rezulton se i ka shitur palës shqiptare pesëmbëdhjetë raketa “Strela”, me çmimin total prej 2 milionë e 300 mijë dollarësh. Abdul Basit Hamza, i skeduar si ortak dhe financues i terroristit Osama Bin Laden rezulton se përveç kësaj shitjeje si kontraktor privat nga Indonezia (aty rezulton e regjistruar firma e tij “S.M.T”) ka kryer një numër shumë të madh veprimesh financiare dhe tregtie me palën shqiptare, ndërsa kontrata në fjalë flet edhe për një shitje. Në fakt, raketat “Strela” përdoren kryesisht në vendet që bënin pjesë në ish-Bllokun e Lindjes, ndërsa “gjetja” që ka bërë qeveria lë disa pikëpyetje nëse i referohesh shitësit, i cili në të vërtetë është kolonel sudanez. Pikësëpari, Abdul Basit Abaz asokohe rezultonte si një ndër kolonelët më aktivë të Ushtrisë sudaneze, ndërkohë që pala shqiptare ka nënshkruar kontratën duke e konsideruar atë si një subjekt privat me seli në Indonezi.
Marrëveshjet
“Albania” ka mundur të sigurojë të paktën pesë marrëveshje të bëra mes MEICO-s dhe kolonelit sudanez, i cili duket se ka bërë një xhiro prej 11 milionë dollarësh në Shqipëri, ndërsa ka kryer dhe një shitje në vlerën e 2 milionë e 300 mijë dollarëve. Duket se vetë periudha në të cilën janë kryer këto shitblerje është karakterizuar nga një mungesë e legjislacionit, e ky fakt reflektohet më së miri në disa pika të kontratave, të cilat në mënyrë të paprecedentë lënë shteg për fshehje të informacioneve. Kjo ndodh pasi në kontratat që MEICO ka lidhur me Abdul Basit Hamza, shumë produkte që ky i fundit ka blerë kanë ngelur të paspecifikuara, duke u dhënë të kodifikuara në mënyrë të atillë që as oficerë karriere të pyetur nga “Albania” nuk ishin në gjendje t’i sqaronin.
Ortaku
Për tre vite me radhë (’93-’96), njeriu që ka furnizuar organizatën e Bin Ladenit me armët dhe logjistikën më të nevojshme ka qenë kontraktori më i madh i kompanisë shqiptare “MEICO”. Kontrata milionadollarëshe dhe armatime nga më të ndryshmet janë blerë në Shqipëri nga Abdul Basit Hamza, koloneli sudanez që, përveç lidhjeve me organizatën e Bin Ladenit, duket se figuron dhe në një lidhje edhe më domethënëse, e cila ka si stacion të fundit Sarajevën në Bosnjë. Në një gjyq të zhvilluar në shkurt të vitit 2001, një ish-bashkëpunëtor i Abdul Basit Hamza ka rrëfyer më konkretisht rolin e tij në lidhje me organizatën e Osama Bin Ladenit, duke zbuluar dhe lidhjet e Abdul Bazit Hamza me një lider sudanez ekstremist i quajtur Hasan al Turabi. Ky i fundit rezulton në raportet ndërkombëtare pikërisht si njeriu që strehoi në Sudan (deri në vitin 1996) Osama Bin Ladenin, por dhe ideatori (së bashku me shërbimin iranian) i ngritjes së një celule të fuqishme islamike në Europë, me bazë qendrore në Bosnjë.

Raporti: “Kontraktori i MEICO-s furnizoi ekstremistët boshnjakë”

Raporti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për hetimin e ngjarjeve të 11 shtatorit duket se ka hedhur dritë edhe mbi një sërë lidhjesh me disa personazhe që rezultojnë shumë aktivë në vitet 1993-1996 në vendin tonë. Ndërsa ushtaraku sudanez Abdul Bazit Hamza blinte në Shqipëri miliona dollarë armatim, në raportet e Departamentit të Shtetit ai figuronte edhe si një ndër aktorët kryesorë të ngritjes së celulës islamike në Sarajevë, së bashku me padronin e tij, Hasan Al Turabi dhe shërbimin sekret iranian. Këtë marrëdhënie e kthjellon më mirë vetë raporti i hetimit mbi ngjarjet e 11 shtatorit, në të cilin shkruhet e zezë mbi të bardhë: “Ka pasur një përqendrim serioz të elementëve radikalë ekstremistë në Bosnjë-Hercegovinë. Çelësi i kësaj influence në Bosnjë lidhej kryesisht me depërtimin nëpërmjet shoqatave humanitare. Këto shoqata u mbështetën fuqimisht nga ambasadori iranian në Zagreb, por edhe nga lideri politik ekstremist i Sudanit, Hasan al Turabi dhe miku i tij që ndodhej asokohe në Sudan, Osama Bin Laden”. Lidhja është e qartë, Hasan Turabi dhe Bin Laden dhanë kontributin e tyre në Bosnjë përkrah shërbimit iranian, ndërsa zbatimin në terren e kryente Abdul Basit Hamza, i cili ka bërë blerje dhe te MEICO.

Dëshmia e Al Fadl: “Abdul Basit është kolonel i Sudanit”

Jamal Al Fadl, i arrestuar nga shërbimet e inteligjencës amerikane gjatë gjykimit që iu bë në shkurt të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u shndërrua në një dëshmitar të dorës së parë përsa u përket të dhënave që ofroi për rrjetin e Osama Bin Ladenit. Al Fadl ka dhënë dëshmitë e tij mbi një sërë aktivitetesh të Al-Kaedas, ndërsa nga deklarimet e tij, shërbimet amerikane mundën të kuptonin forcimin e madh që kishte karakterizuar organizatën e Bin Ladenit gjatë viteve ’90 si pasojë e implikimit të personazheve kryesorë të grupit të tij në disa konflikte në Europë dhe vende të Azisë e Afrikës. Gjatë dëshmisë së tij Al Fadl ka hedhur dritë dhe mbi marrëdhëniet që Osama Bin Laden ka pasur me gjeneralin sudanez që blinte rregullisht armatim te MEICO, duke e përshkruar atë si një njeri shumë të pushtetshëm në Sudan dhe si një ndër kanalet kryesore të furnizimit me armë dhe pajisje logjistike të organizatës së Bin Ladenit. “Quhet Abdul Baset Hamza dhe ka shqiponjë dhe yll në gradë. Ne e thërrisnim MUQADEM për shkak të funksionit të tij ushtarak. Ai i siguronte gjithë logjistikën e komunikimit Bin Ladenit. Edhe telefonin e parë celular Bin Ladenit ia ka siguruar Abdul Basit Hamza”, - ka deklaruar dëshmitari i penduar i Al-Kaedës, Jamal Al Fadl, para gjykatësve amerikanë.

26 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›