E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Mjedisit: Uji i Gërdecit s‘mund të pihet

Shpërthimi i Gërdecit po mban në punë të vazhdueshme Ministrinë e Mjedisit, Institutin e Shëndetit Publik, specialistët e kimisë apo dhe qytetarët e thjeshtë. Të gjithë presin rezultatet e herëpashershme të analizave mjedisore, për t‘u informuar më mirë për "koston" që do i shkaktojë ky shpërthim tokës që kërkon qindra vjet për t‘u formuar, ajrit, ujit. Pjesa më e diskutueshme e ditëve të fundit ka qenë mundësia e shfaqjes së rrezatimit radioaktiv në zonën e shpërthimit, shkaktuar nga përzierja e metaleve të djegoreve. Specialistë të kimisë ushtarake, ambientalistë, si dhe specialistë të fizikës, kanë hedhur dyshimet e para lidhur me mundësinë e shfaqjes së rrezatimit apo rrezikun e infektimit të tokës me elementë që më pas mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme. Por nga analizat paraprake të Ministrisë së Mjedisit dhe Institutit të Shëndetit Publik, problem mbetet ndotja e tokës në zonën e kraterit, uji i pijshëm, i cili nuk mund të konsumohet pa u zier dhe uji i puseve. Për sa i takon ajrit, ai nuk ka elementë të rrezikshëm toksikë. Situata mjedisore në Gërdec është monitoruar në vazhdimësi nga agjencitë e specializuara në varësi të Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave. Duke filluar nga data 17 mars 2008, dy ditë pas ngjarjes së Gërdecit, në Bashkinë Vorë është monitoruar cilësia e ajrit, cilësia e ujërave nëntokësore dhe situata e tokës.

Analiza: ajri, uji, toka

Për ajrin, nga matjet e bëra prej laboratorëve të specializuar dhe me aparaturat më të fundit dixhitale, në datat 17, 18 dhe 29 mars 2008, treguesit cilësojnë për gjashtë komponentë dhe konkretisht për: oksigjenin (O2), gazin karbonik (CO2), monoksidin e karbonit (CO), dioksidin e squfurit (SO2), gazin sulfidrik (H2S) dhe dioksidin e azotit (NO2). "Janë brenda të gjitha standardeve ndërkombëtare, pra ajri nuk është i ndotur", sqaron Ministria e Mjedisit.

Për ujërat nëntokësore, uji i puseve të fshatit Gërdec edhe para shpërthimit të municioneve nuk është përdorur për t‘u pirë, por për nevoja të tjera familjare, si për larje apo pastrim.

"Nga analizat e kryera për 10 tregues, rezulton se uji mund të përdoret për ato qëllime të nevojave familjare që është përdorur edhe para shpërthimit, por jo për t‘u pirë", sqaron analiza.

Për analizat e tokës janë marrë mostra në zonën e kraterit dhe në pjesën tjetër të fshatit. Janë analizuar gjashtë tregues dhe konkretisht përmbajtja e plumbit, bakrit, kromit, zinkut, nikelit dhe merkurit. Nga analizat rezulton se, përjashtuar merkurin, ka një përmbajtje të shtuar të këtyre elementëve në mostrat e marra në zonën e kraterit, ndërsa në pjesën tjetër të fshatit situata paraqitet normale, çka do të thotë se jashtë perimetrit të kraterit nuk ka ndotje të tokës me metale të rënda", njofton Ministria e Mjedisit.

Mbetjet inerte

Lidhur me mbetjet inerte që rezultojnë nga ndërtesat e dëmtuara, në bashkëpunim me Bashkinë e Vorës, Agjencia Rajonale e Mjedisit të Tiranës ka caktuar edhe vendin ku do të depozitohen këto mbetje, duke mundësuar në këtë mënyrë pastrimin e zonës pa sjellë pengesa. "Njëkohësisht është menduar që sapo nga strukturat e specializuara ushtarake të certifikohet se sipërfaqja pyjore që është në këtë zonë është e pastër nga predhat, do të shikohet mundësia për të kryer punime pyjore për të kryer pyllëzime dhe masa të tjera që do të përcaktohen në vazhdimësi", sqaron zyrtarisht Ministria e Mjedisit dhe Administrimit të Pyjeve.

Kimia ushtarake: pasojat e shpërthimit

Një pjesë e metaleve të djegoreve

paraqesin rrezik rrezatimi

Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe nga kërpudha që është formuar, të cilën e kemi parë, është i ngjashëm me një minibombë atomike. Ka qenë një shpërthim rreth 2 kiloton dhe vala goditëse ishte rreth 5 kilometra. Metalet e rënda, mbjellja e tyre në tokë, shkakton pasoja. Ushtria dhe forcat speciale po pastrojnë territorin, por deri tani ajri është rreth 4 herë më shumë i ndotur se normalja. "Ekziston mundësia e një rrezatimi. Një pjesë e metaleve që kanë djegore (bakri) lëshojnë një rrezatim të ngjashëm me rrezatimin radioaktiv. Kjo mund të shfaqë sëmundje nervore, sëmundje të frymëmarrjes, apo edhe keqformime. Për të minimizuar këto pasoja, organet vendore dhe shëndetësore do vërtetojnë shkallën e infektimit të ambientit. Kjo duhet bërë në mënyrë të herëpashershme. Duhet të ekzaminohen vazhdimisht banorët, në mënyrë që të parandalojnë çdo shqetësim dhe të kapin në kohë sëmundjen", tha specialisti i kimisë, Shkëlqim Bejo, njëkohësisht sekretar për marrëdhëniet me Publikun, në Shoqatën e Ushtarakëve në Rezervë dhe Lirim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›