E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Do të përgjysmojmë varfërinë

 

Partia Socialiste nisi dje turin për prezantimin programin e ri të saj, ndërsa ndalesa e parë ka qenë Laçi. Kreu socialist Edi Rama, tha dje se në fund të mandatit të parë katërvjeçar, qeveria e tij do të përgjysmojë varfërinë. Rama bëri publike njërën nga 7 shtyllat e programit, ku ka theksuar se keqqeverisja aktuale e ka thelluar varfërinë në vend. Rama ka zgjedhur qytetin verior për të prezantuar njërën nga shtyllat e programit, që janë “Politikat Sociale”. Kreu i Partisë Socialiste theksoi se varfëria duhet kërkuar në keqqeverisjen e vendit dhe për të dalë nga situata nevojitet punësim real. “Ne nuk do t’i matim politikat sociale me rritjen e lëmoshës për të varfrit, siç bën qeveria e sotme, në vijim të keqqeverisjes dhe keqtrajtimit të këtij problemi prej 18 vjetësh, por do t’i matim me numrin e familjeve, që do të nxjerrim një herë e mirë nga varfëria”,- tha kreu i PS-së Rama. Ndërkohë Rama ka premtuar se me marrjen e qeverisë programi i ndihmës ekonomike do të konceptohet me anë të punësimit. “Ajo që do të përbëjë shtyllën themelore të këtij programi, do të jetë zëvendësimi i ndihmës ekonomike si lëmoshë, me ndihmën ekonomike si mundësi reale si punësim dhe kontribut të drejtpërdrejtë në komunitet e në shoqëri. Unë jam besimplotë, se në fund të mandatit tonë të parë, varfëria ashtu siç e matim sot, do të përgjysmohet”, tha Rama. Sipas kreut të Partisë Socialiste vendi është përfshirë nga varfëri ekstreme, ndërsa qeveria aktuale nuk po arrin ta zbusë atë. Rama u shpreh se një gjë e tillë do të bëhet e mundur me anë të programit të ri qeverisës të bazuar tek vizioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›