E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti, policia dhe qytetarët shmangin vrasjen



DURRËS – Prania e shumë qytetarëve dhe një polici të rendit ka bërë të mundur shmangien e një vrasje në zonën e plazhit në rrethin e Durrësit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se dje u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Florian Kasembaj, lindur në Fier dhe banues në Vlorë. Ndalimi i 30 vjeçarit u bë për arsye se dy ditë më parë, rreth orës 22.00, në lagjen Nr. 13 në Plazh (Sektori Apollonia), në grindje e sipër, për motive të dobëta, ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka tentuar të vrasë shtetasin M.M. Në këtë moment, në vendngjarje kanë qenë të pranishëm një punonjës policie si dhe disa qytetarë. Ndërhyrja në kohë ka bërë të mundur netrualizimin e veprimeve të mëtejshme të 30-vjeçarit Kasembaj.

Gjendet i vdekur në mes të trotuarit

KORÇË – Policia e Korçës gjeti dje në rrugët e qytetit juglindor trupin e pajetë të një personi. Burime zyrtare të policisë vendore bëjnë të ditur se pasi është bërë verifikimi i dokumentacionit që kishte me vete viktima, dhe pas punës hetimore, rezultoi se i vdekuri quhet Besnik Kodra. Sipas burimeve, nga kontrolli i bërë nga mjeku ligjor, në trup nuk janë gjetur shenja dhune. Burimet saktësojnë se kanë filluar hetimet për zbardhjen e vdekjes së personit në fjalë. Policia ka hedhur dyshime për një vdekje të shkaktuar nga temperaturat e larta. Por nuk përjashtohen edhe pista të tjera, si ajo e përdorimit të lëndëve narkotike.

Denoncimi i studentes çon në pranga pedagogun

KORÇË - Korrupsioni në universitetin e Korçës këtë herë ka vënë në pranga një pedagog. Robert Rado, pedagog në Universitetin “Fan Noli” u arrestua në orët e pasdites së djeshme, kur një studente e ka denoncuar për marrje ryshfeti. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë të cilët kanë njoftuar se studentja J.S denoncoi këtë korrupsion pas marrjes së ryshfetit. Sipas të njëjtave burime mësohet se Rado i ka marrë studentes shumën prej 100 eurosh për kalimin në provimin e lëndës së filozofisë në degën Infermieri të këtij universiteti. Aktualisht pedagogu ndodhet në komisariatin e qarkut të Korçës ku është duke u marrë në pyetje nga forcat policore në lidhje me këtë ngjarje. Pedagogu i filozofisë akuzohet për “korrupsion pasiv”.

26 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›