E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Punës, tani me strategji kombëtare për moshën e tretë



Tashmë vendi ynë ka strategjinë e parë kombëtare për moshën e tretë. Kjo përbën një plan masash dhe vendimesh, rreth të moshuarve, që është hartuar nga Ministria e Punës, ku para dy javësh ka marrë miratimin e qeverisë. Nga monitorimi i 12 qarqeve të vendit, nga specialistët e Ministrisë së Punës, u vu re se të moshuarit, kanë pasur probleme me të ardhurat e tyre, të cilat kanë qenë të ulëta për të përballuar shpenzimet e tyre shëndetësore, politikat fiskale në vend, si dhe detyrime në fusha të tjera. Ana Xheka, Drejtoresha e Politikave të Shanseve të Barabarta shpjegoi detyrat e ministrive të linjës, për zbatimin e kësaj strategjie. “Ministria e Shëndetësisë ngarkohet me shtimin e listës së shërbimit dhe kujdesit shëndetësor dhe shtimin e listës së barnave të rimbursueshme. Ministria e Punës ngarkohet me detyrimin e përmirësimit të shërbimeve sociale, pushteti vendor me rritjen e aksesit të tyre me vendimmarrjen e lokalitetit ku ata jetojnë si dhe më marrjen e masave të nevojshme në bashkëpunim me Ministrinë e Punës për të rritur aksesin e shërbimeve sociale”,- thotë Ana Xheka. Kjo strategji, ka një buxhet të sajin, dhe çdo ministri do të marrë fondet që i takojnë, për çdo shërbim që ajo do të ofrojë për të moshuarit.

MASH, hapen klasa për sistemin parashkollor

Sistemi parashkollor do të jetë prioritet i MASH-it përsa i përket hapjes së klasave për fëmijët e moshës 5-6 vjeç. Kjo do të bëhet në mënyrë që të shmangen problemet që mund të kenë fëmijët me përshtatjen e teksteve të klasave të para. Në shtator në të gjithë vendin do të ketë 100 klasa ku do të mësojnë nxënësit e moshave 5 dhe 6 vjeç, për t’u përgatitur për klasën e parë. Përgjegjësja për Arsimin Bazë në Ministrinë e Arsimit, Pranvera Kamani, thekson se projekti do të ketë mësues me eksperiencë, të cilët do të përgatisin fëmijët për hyrjen në klasë të parë. Ky projekt pilot është shtrirë në gjithë vendin, por në kryeqytet është rritur numri i klasave për arsimin parashkollor, pasi edhe kërkesat kanë qenë më të larta. Kamani sqaroi se kjo kategori fëmijësh ka një mundësi për t’u socializuar me mjedisin, para se të kalojnë në klasë të parë ku edhe kërkesa dhe vështirësitë janë më të mëdha.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›