E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Punëve të Jashtme mban të fshehur marrëveshjen me Greqinë

Qeveria dhe institucionet përkatëse vijojnë të mos e bëjnë transparente aktin për dhurimin e ujërave territoriale. Rritet shqetësimi i opinionit publik. Opozita dhe personalitetet, akuza në drejtim të qeverisë

Shaban Sulçe
Ministria e Punëve të Jashtme pranon ekzistencën e marrëveshjes së qeverisë shqiptare me qeverinë e Greqisë për dhurimin e ujërave territoriale shqiptare, por ende ngurron të bëjë publike dhe të sqarojë të gjitha detajet e kësaj marrëveshjeje. Pas skandalit të publikuar në media dhe pas shqetësimeve gjithnjë në rritje të opinionit publik në lidhje me marrëveshjen Basha-Bakojanis, pas takimit Berisha-Karamanlis ka reaguar dje Ministria e Punëve të Jashtme. Drejtoresha e Çështjeve Juridike në këtë ministri, Ledja Hysi, doli në një konferencë të përbashkët me komandantin e Flotës Detare, Kristaq Gërveni. Ajo tha se nuk është cenuar asnjë milimetër nga territori shqiptar detar e megjithatë nuk publikoi marrëveshjen e nënshkruar midis dy palëve. “Nuk kemi cenuar asnjë milimetër nga deti dhe territori ynë pas marrëveshjes që nënshkruam me Greqinë për ujërat detare. Thjesht përcaktuam kufijtë në det, të cilët më parë nuk ishin të përcaktuar. I jemi përmbajtur parimit të baraslargësisë”, - tha Hysi. Ajo sqaroi se marrëveshje të tilla të ngjashme janë nënshkruar edhe me Italinë në vitin 1992 dhe me Greqinë para pak ditësh, ndërsa pritet të nënshkruhet pas pak kohësh edhe me Malin e Zi.

Marrëveshja
Hysi sqaroi se marrëveshja e nënshkruar pak ditë më parë mes Berishës dhe Karamanlisit është bërë në bazë të Konventës së OKB-së, palë e së cilës është edhe Greqia. Sipas Hysit, marrëveshja e realizuar me metoda matjeje bashkëkohore, të cilat mund të përdoren në çdo rast. Komandanti i Flotës Detare, Gerveni, e cilësoi marrëveshjen me Greqinë një sukses. “Kështu shmangim konfliktet në det. Një peshkarexhë duhet të dallojë kur hyn e shkel ujërat territoriale të një shteti tjetër. Por, theksoj, në asnjë rast nuk është bërë ndryshimi i kufijve”, - tha Gërveni. Sipas tij, nuk ka pasur kufij të ndarë në det dhe marrëveshja cakton pikërisht këta të fundit. Gërveni vazhdoi më tej se marrëveshje të tilla janë vetëm për shtetet që rrethohen nga ujërat, se në tokë është e lehtë të përcaktohen kufijtë. I pyetur se sa është distanca e caktuar e pikës 100 në bazë të marrëveshjes, Gërveni në çdo rast përsëriti se distanca ka qenë e baraslarguar, por pa dhënë shifër të caktuar. Por marrëveshja e zbardhur nga mediat bën fjalë për përcaktimin e 150 koordinatave të reja, çka do të thotë se qeveria shqiptare i ka dhuruar Greqisë rreth 225 km2 sipërfaqe ujore dhe grekët afrohen 11 kilometra drejt Karaburunit.

Mungesa e transparencës
Shqetësimi lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Greqisë për dhurimin e ujërave territoriale u rrit që në muajin mars, kohë në të cilën u hartua marrëveshja midis dy palëve, lajm që u publikua i pari prej gazetës “Albania”.
Që pas publikimit të lajmit, shumë deputetë të opozitës janë përpjekur të kërkojnë informacion zyrtar dhe të plotë për veprimin e qeverisë, e cila ka vendosur t’i dhurojë shtetit grek pjesë të konsiderueshme të ujërave territoriale shqiptare. Deputetët kanë kërkuar informacion në Kuvend në lidhje me përmbajtjen e plotë dhe termave të marrëveshjes midis qeverisë “Berisha” dhe qeverisë greke. Por, si nga ana e Kuvendit, ashtu edhe nga ana e qeverisë, është refuzuar ofrimi i këtij informacioni. Mungesa e transparencës në lidhje me këtë çështje ka shtuar edhe më shumë dyshimet për pasojat e kësaj marrëveshjeje për prekjen e interesave kombëtare.

Reagimet
Deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, ka kërkuar nga kryeministri Berisha që të bëjë transparente marrëveshjen e nënshkruar me qeverinë Berisha në lidhje me këtë çështje.

Deputeti i koalicionit “Poli i lirisë”, Gilman Bakalli, deklaroi se asnjë deputet i Kuvendit të Shqipërisë nuk kishte informacion në lidhje me marrëveshjen në fjalë. “Është një turp i madh për qeverinë shqiptare, aktiviteti i së cilës po karakterizohet nga një mungesë e madhe transparence. Asnjë nga deputetët shqiptarë nuk ishte në dijeni të marrëveshjes. Asnjë deputet nuk kishte në tavolinën e punës marrëveshjen që do të nënshkruante kryeministri me Karamanlisin”,- tha Bakalli. Ai tha se javën e ardhshme në bashkëpunim dhe me disa deputetë të tjerë të koalicionit do t’i kërkojë kryeministrit Berisha të bëjë transparente në Kuvend marrëveshjen.

PSD-ja e akuzoi kryeministrin Berisha se nënshkrimi i marrëveshjes me Greqinë ka karakter antishqiptar. Nënkryetarin i PSD-së, Engjëll Bejtaj, deklaroi se nënshkrimi i marrëveshjes u bë në një kohë të papërshtatshme dhe në kushtet e mungesës së plotë të transparencës. “Një qeveri në ikje nuk mund të nënshkruajë një marrëveshje që e shtrin efektin e saj gjatë”, - tha Bejtaj. Sipas tij, Berisha ka treguar se për arsye elektorale është gati të shesë çdo interes kombëtar. Bejtaj u shpreh se mungesa e transparencës dhe mungesa e diskutimit të gjerë forcon dyshimin që në këtë marrëveshje të jenë shitur interesat kombëtare.

LSI-ja e ka akuzuar kryeministrin Berisha se me marrëveshjen e nënshkruar po sillet me Shqipërinë sikur të ishte prona private e tij. “Është e papranueshme jo vetëm për popullin e Vlorës, por për të gjithë shqiptarët që Berisha të sillet me Shqipërinë sikur ajo të ishte prona e tij private, të cilën mund t’ia shesë apo falë kujt të dojë dhe si të dojë, pa informuar më parë dhe pa marrë mendimin e shqiptarëve. Territoret ujore të vendit tonë, qofshin ato pranë Karaburunit, pranë Sazanit apo pranë Ksamilit, nuk janë dhe s’kanë për të qenë kurrë mjet pazari personal midis Berishës dhe Karamalisit”, - tha Besjan Pesha i LSI-së.

Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, e ka cilësuar veprimin e qeverisë si një veprim të kundërshtueshëm dhe me një mungesë të theksuar të transparencës. “Është një çështje që bëhet fjalë për Shqipërinë dhe për dëshirën e Ministrisë së Jashtme apo qeverisë nuk janë respektuar normat ndërkombëtarëve të territoreve. Një veprim i tillë dhe një mungesë transparence e tillë është problematike”, - tha Ndoka. Ai akuzoi kryeministrin Berisha duke theksuar se ai nuk ka folur për interesat e vendit të tij në këtë takim me dyer të mbyllura, “Berisha firmosi disa marrëveshje thjesht për interesa të Greqisë” - theksoi Ndoka.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›