Dade: “Berisha të mos përdorë aplikimin për qëllime elektorale”
Partia Socialiste kërkon nga kryeministri Berisha që të mos përdorë kërkesën për aplikimin e Shqipërisë në BE për qëllime elektorale. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Socialiste, Arta Dade, i kujtoi kryeministrit Berisha se përpara se ta bëjë një gjë të tillë, duhet të garantojë zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. “Sali Berisha dorëzoi në Pragë kontributin dhe angazhimin afatgjatë të Partisë Socialiste duke bërë shown e radhës me kërkesën që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, një akt që nuk ka se si të lerë vend për spekulime elektorale dhe aq më pak të interpretohet se i shton kreditet qeverisë së dështuar të Sali Berishës. Kërkesa do të nisë të shqyrtohet vetëm nëse Shqipëria plotëson kushtin për zgjedhje të lira dhe të ndershme, sepse ky shqyrtim bëhet sipas standardeve të Komisionit Europian dhe jo sipas standardeve të Berishës”, - tha Dade.
30 Prill 2009