E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doganat arkëtojnë 30 miliardë e 970 milionë lekë në 4 muaj



Administrata doganore arkëtoi në buxhetin e shtetit gjatë katërmujorit të parë të këtij viti 30 miliardë e 970 milionë lekë. Lajmin e ka bërë të ditur drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, gjatë një konference për shtyp. Ai deklaroi se kjo administratë realizoi planin e të ardhurave për katërmujorin e parë të këtij viti në masën 106 për qind, duke arkëtuar në buxhetin e shtetit 1 miliard e 772 milion lekë më shumë se plani. Sipas Dervishit, “për muajin prill të vitit 2008 administrata doganore realizoi planin e të ardhurave në masën 104 për qind, ku vetëm gjatë këtij muaji u arkëtuan në buxhetin e shtetit 7 miliard e 990 milion lekë ose 273 milion lekë më shumë se plani i përcaktuar nga Ministria e Financave”. Kreu i DPD-së, Dervishi, shtoi më tej se, në total gjatë periudhës Janar-Prill 2008 u arkëtuan 30 miliardë e 970 milionë lekë ose 1 miliard e 772 milionë lekë më shumë se plani i përcaktuar për këtë periudhë, me një rritje prej 6 për qind. “Gjatë periudhës janar-prill 2008, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tejkalimi është 3 miliardë e 890 milionë lekë”, - tha Dervishi. Ai tha më tej se gjatë kësaj periudhe u zhdoganuan dhe 1.141 ton cigare. “Zhdoganimi i cigareve shënoi një rritje prej 258 tonë ose 29 për qind më shumë se sasia e zhdoganuar gjatë periudhës janar-prill 2007, ku u zhdoganuan 883 ton”, tha Dervishi. Sipas tij, gjatë periudhës janar-prill 2008 janë zhdoganuar 116.843 tonë karburante. Në të njëjtat nivele paraqitet gjatë kësaj periudhe edhe zhdoganimi i kafesë, ku gjatë 4 muajve u zhdoganuan 1.848 tonë kafe.

OTSH-ja, rriten kërkesat për të privatizuar HEC-et vendore

Numri i projekt-propozimeve për ndërtimin me koncesion të hidrocentraleve të vegjël vendorë, deri tani ka arritur në 72, që janë shqyrtuar brenda një viti. Grupi i ngritur pranë Departamentit Hidroenergjetik në AKBN, që merret me shqyrtimin e projekt-propozimeve nga firmat private, ka në përbërje të tij ekspertë të njohur të sektorit të hidroteknikës shqiptare, të cilët vlerësojnë aspektet teknike të çdo propozimi. Mbështetur në Ligjin nr. 9663, dt. 18/12/2006 "Për koncesionet", projekt-propozimet e firmave për ndërtim hidrocentrali me koncesion dërgohen për vlerësim në Grupin e Oponencës Teknike Shtetërore (OTSH), i cili pasi i shqyrton këto projekt-propozime, dërgon në ministrinë e Ekonomisë vlerësimin teknik. Ndërsa në ministri, një tjetër grup bën vlerësimin ekonomiko-financiar, dhe kur propozimet vlerësohen si mundshëm, ministria e Ekonomisë nis procedurat për dhënien e tij me koncesion, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.27, datë 19.01.2007, "Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe të dhënies së koncesioneve". Burime të OTSH-së bëjnë të ditur, se interesimi nga subjektet e interesuara private për ndërtimin me koncesion të HEC-eve vendore në zona të ndryshme të Shqipërisë, është në rritje. Edhe dy ditë më parë, qeveria miratoi dhënien me koncesion të 5 HEC-eve të rinj për ndërtim nga firmat private.

9 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›