E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Shëndetësisë: Shërbimet shëndetësore do të rishikohen

Ministria e Shëndetësisë planifikon rishikimin në tërësi të hartës spitalore me qëllim, rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor. "Kjo ka të bëjë shumë me rritjen e eksesit të popullatës ndaj shërbimeve, por dhe me përsosjen e unifikimit të shërbimit shëndetësor, me atë që quhet moscopëzim të shërbimit shëndetësor", tha zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. Sipas Ivanajt, kjo lidhet shumë me standardizimin dhe rritjen e cilësisë së shërbimit shëndetësor. "Ka spitale atje ku nuk duhet të ketë, ka numër më të madh krevatesh se ç duhet, por ka dhe spitale me koefiçient përdorimi të ulët, pra ka fiktivitet, ç' ka bën që shpesh, të sëmurët të mos marrin shërbimin e duhur", tha zv/ministri Ivanaj. Sipas tij, të gjitha këtyre praktikave dhe kontradiktave synohet t'u jepet fund këtë vit, me reformën e nisur për përfshirjen e 42 spitaleve në skemën e Sigurimeve Shëndetësore. Brenda muajit mars do të lidhen kontratat mes spitaleve dhe Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, ku do të përcaktohet mënyra se si ato do të aplikohen në praktikë, shtoi Ivanaj.  "Nga momenti i lidhjes së kontratave, deri në aplikimin e tyre në praktikë është një proces, por më e rëndësishme është që do të dilet nga nga mentaliteti unë prodhoj, unë blej", theksoi zv/ministri. Sipas tij, mentaliteti se institucionet e shëndetësisë prodhojnë dhe paguajnë shërbimet, është i gabuar. Institucionet shëndetësore, private dhe publike prodhojnë shërbim sipas standardeve dhe cilësi të parapërcaktuar, të cilat i ble publiku, ndaj i takon këtij të fundit të vlerësojë nëse ky shërbim është, apo jo i mirë. "Ky është ndryshimi i mentalitetit ekzistues, në mënyrë që të kalohet nga e shkruara, deri në zbatimin në praktikë të kësaj praktike", pohon Ivanaj. Si një praktikë që prej rreth 140 vitesh ekziston në Evropë, Ivanaj thekson se "avantazhi ynë është që të mos bëjmë gabimet e të tjerëve, ndaj për shmangien e tyre, kemi ndërmarr një tërësi masash".

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›