E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e ilaçeve në QSUT, pacientët në farmaci ashtu si vitin e kaluar

Ilaçet vijojnë të mbeten "pronë" e farmacive pranë qendrës spitalore  
Pacientët e shtruar në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, vijojnë t'i blejnë ilaçet në farmaci, edhe pse ishte premtuar se në vitin 2009, nuk do të ndodhte më një gjë e tillë. Gjatë një vëzhgimi si dhe nga prononcime të dhëna nga vetë pacientët, duket se situata në QSUT vazhdon të jetë e njëjtë si ajo e vitit të kaluar, ku një pjesë e mirë e barnave që në të vërtetë duhet të ndodhen në spital, pacientët rekomandohen t'i blejnë në farmaci. Pacientët e pyetur në pavijonin e okulistikës dhe atë të pediatrisë kirurgjikale, pohuan për gazetën "SOT" se barnat e rekomanduara nga mjekët përkatës i blejnë me shpenzimet e veta në farmacitë rrotull spitalit për shkak se nuk u jepen aty. Dhe pse nuk i përballoj dot me të ardhurat e pakta që kam, më duhet të gjej mënyra të ndryshme për të blerë një pjesë të ilaçeve që më ka rekomanduar mjeku, ndryshe më rrezikohet jeta e fëmijës. Kur kam kërkuar sigurimin e ilaçeve nga ana e spitalit, mjekët dhe infermieret, më kanë thënë se nuk ka ilaçe spitali, por ato duhet ti blini vetë, u shpreh një grua e ardhur nga rrethi i Shkodrës, e cila kishte shtruar djalin jetim 7- vjeçar në repartin e okulistikës. Kështu, sipas mjekëve dhe përgjegjësve për shpërndarjen e barnave nëpër spitale, nuk janë miratuar fonde nga buxheti i shtetit për të pajisur plotësisht me barna kapacitetin potencial të pavijoneve në QSUT. Por përveç mungesës së përhershme të ilaçeve, pacientët duket se edhe këtë vit do të vijojnë të përballen me arrogancën e personelit shëndetësor siç janë infermieret dhe sanitaret. Në këtë mënyrë, për sa i përket faktit të blerjes së medikamenteve mjekësore nga ana e pacientëve, është shkelur dhe vazhdon të shkelet ligji për Shëndetin Publik. Janë shkelur standardet e vendosura për mbrojtjen e të drejtave të pacientit, më konkretisht ligji i kartës së pacientit, Neni 1, pika a), i cili thotë: Çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë gëzon të drejtën e shërbimit shëndetësor kombëtar. Përfiton shërbim shëndetësor në bazë të nevojave klinike, pa marrë parasysh aftësinë për ti paguar. Me gjithë zhurmën e madhe të vazhdueshme dhe himnizimin e situatës në fjalë, për të drejtat e pacientëve dhe abuzimet e bëra me to, spitali vazhdon të mbetet sërish një nga sektorët më problematik dhe shqetësues për komunitetin.
Arsyet e abuzimeve
Qytetarët hasin vështirësi të shumta gjatë përballjes së tyre me spitalin për arsye të ndryshme. Një pjesë e mirë e tyre vijnë nga rrethet dhe megjithëse mbartin shumë halle e probleme mbi supe, teksa përballen me personelin shëndetësor arrijnë deri në sakrifikim të kursimeve, shitjes së banesave e të gjithë pasurisë që kanë, vetëm që i afërmi i tyre i sëmurë të shpëtojë nga sëmundja. Shërbimi Shëndetësor ka të bëjë drejtpërsëdrejti me mbarëvajtjen e jetës së qytetarit, ndërkohë që ky i fundit, i traumatizuar për keqësimin e shëndetit të tij, sakrifikon çdo gjë, pa bërë rezistencë për të kërkuar detyrimet që ka shteti kundrejt tij. Kjo situatë krijon hapësira për abuzime, duke filluar që nga fundi i hierarkisë, që janë infermieret e deri tek shpërndarësit dhe menaxhuesit e barnave nëpër Qendrat Spitalore. Arsye tjetër nuk është vetëm paga e vogël e administratës shëndetësor, por dhe mungesa e matjeve të kujdesit shëndetësor, verifikimit të të drejtave të pacientit nga organet përkatëse, të cilat do të bëjnë të mundur që edhe në të ardhmen  të ekzistojë kjo situatë aktuale tepër shqetësuese dhe abuzuese. Moszbatimi i këtyre të drejtave në vazhdimësi ka zgjuar pakënaqësi jo vetëm tek qytetarët e Tiranës, por në të gjithë vendin. Gjatë shërbimit më human dhe delikat në jetën e qytetarëve shqiptarë, duhet më shumë humanizëm dhe transparencë, jo vetëm si detyrim ligjor por edhe moral individual.

Email This Klikime: 2

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›