Çregjistrohen 52 veta nga Juridiku, gënjyen për shkollën e parë
Në sitën e rektoratit të Universitetit të Tiranës kanë kaluar të gjithë personat që janë regjistruar në sistemin me kohë të pjesshme. Me anë të një shkrese drejtuar dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, rektorati ka bërë publikë 52 emra që vazhdojnë aktualisht studimet në një shkollë tjetër, e që si pasojë do të çregjistrohen nga kjo shkollë.
Në këtë mënyrë, 53 kandidatë që nuk kishin fituar, do të shpallen fitues, pasi edhe një person tjetër është çregjistruar, si pasojë e keqllogaritjes së notës mesatare. Ndërkohë, ende nuk është qartësuar nëse këta persona do të paditen në prokurori për mashtrim, ashtu sikurse kishte paralajmëruar universiteti. Tashmë, pritet përgjigjja nga universitete të tjera publike dhe private për studentët e tjerë, të cilët nëse studiojnë në institucione të tjera do të çregjistrohen.
Çregjistrimi
Vendimi për çregjistrimin e këtyre personave është marrë dje nga rektori i Universitetit të Tiranës, prof. Dr. Dhori Kule, i cili ka lajmëruar dekanin e Fakultetit të Drejtësisë për ekzistencën e 52 emrave që po vazhdojnë studimet dhe të 1 personi, mesatarja e të cilit është keqllogaritur.
Sipas kësaj letre, nga verifikimi i respektimit të kërkesave të udhëzimit “që Rektorati i UT-së po kryen për kandidatët e përcjellë nga ana juaj si fitues në sistemin me kohë të pjesshme, ju informojmë se kandidatët e listës bashkëngjitur (të verifikuar vetëm në fakultetet e UT-së) duhet të çregjistrohen, sepse janë përfshirë në kundërshtim me kërkesat e MASH-it”.
Në këtë letër, rektorati i bën të ditur Fakultetit të Drejtësisë, se duhen njoftuar këta persona që nuk janë fitues dhe se duhet të nisë regjistrimi për fituesit e rinj. “Ju informojmë se procesi i verifikimit vazhdon në universitetet e tjera shqiptare, si dhe për dokumentacionin që kandidatët kanë paraqitur. Udhëzoheni të njoftohen kandidatët e kësaj liste, si dhe të vazhdojë plotësimi i kuotave të miratuara sipas udhëzimit të MASH-it”, – bën të ditur rektorati.
Problemi
Problemi nisi menjëherë pas fillimit të regjistrimit në sistemin me kohë të pjesshëm. Kjo, pasi një urdhër i ri i rektoratit përcaktoi se vetëm ata që kanë dëftesë origjinale të shkollës së mesme mund të regjistrohen, në ndryshim nga udhëzimi i ministrit Beja, që kërkonte dëftesën origjinale ose një dublikatë. Kjo solli reagime nga ana e studentëve, ndërkohë që rektori Kule e arsyetoi vendimin si përpjekje për të mënjanuar abuzimet.
Më pas edhe ministria ra dakord me qëndrimin e universitetit, se një person që vazhdon studimet në një universitet, nuk mund të përfitojë dhe të regjistrohet në sistemin me kohë të pjesshme. Për këtë arsye, në dosjen e aplikimit u shtua një deklaratë personale e studentit që nuk vazhdon në shkollë tjetër. Plotësimi i rremë i kësaj deklarate përbënte shkelje ligjore, sipas universitetit dhe përveç regjistrimit, studentët do të kishin dhe pasoja juridike.