Ministria e Shëndetësisë bën publike 75 klinikat private të licencuara
Emanuela Sako
Ministria e Shëndetësisë bën publike listën e të gjitha klinikave private në vend që janë të licencuara. Gazeta “Albania”, publikon të plotë listën e të gjitha këtyre klinikave private, që janë licencuar nga viti 1995 deri në 2008-ën. Lista përfshin një sërë informacionesh mbi këto klinika duke nisur që nga vendndodhja e tyre, viti që kanë marrë licencën dhe llojet e shërbimeve që ofrojnë për qytetarët si dhe adresat e sakta ku ndodhen. Nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë aktualisht rezultojnë se në vend ushtrojnë aktivitetin rreth 75 klinika mjekësore private, të cilat përmbushin kushtet për të ushtruar ligjërisht të drejtën e vizitave, mjekimit, kurimit etj. Vetëm brenda këtij viti janë licencuar 4 klinika mjekësore private, ku dy prej të cilave ushtrojnë aktivitetin në Tiranë dhe dy të tjerat në Durrës dhe Sarandë. Vendim më të madh të klinikave mjekësore private në vend e zë Tirana që ka afërsisht 50 klinika që veprojnë në sektorë të ndryshëm të shëndetësisë, të cilat presin pacientë të shumtë. Një pjesë e madhe e pacientëve drejtohen në klinikat private për të kryer vizitat, pasi në klinikat private ka pajisje moderne dhe shërbimi nuk mungon. Sipas rregullores, këto klinika duhet të jenë nën vëzhgimin e plotë të ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë, gjë e cila pranohet nga burimet e shëndetësisë.
Në këto klinika, përfshihen shërbime Obstetrike Gjinekologjike, Kirurgji, urologji, djegie plastike, pediatri, rehabilitim mendor, Nefrologji me repart hemodializë etj. Ajo çka është më shqetësuese për qytetarët, është funksionimi i një numri të madh klinikash private, të cilat janë të palicencuara, ku pacientët kryejnë vizita në to. Të tilla klinikat janë klinikat optike dhe dentare, ku një pjesë e qytetarëve kanë shfaqur ankesa për mënyrën e profesionalizmit të tyre, shkak për të cilat kanë lënë pasoja në trupin e tyre.
1 Maj 2008