E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët e Inxhinierisë së Mjedisit, praktika te ujësjellësi



Studentët e viteve të pesta të Inxhinierisë së Mjedisit dhe Hidroteknikës do të trajnohen gjatë sezonit veror pranë ndërmarrjeve të ujësjellësve në Tiranë. “Të kursejmë ujin dhe të ruajmë burimet tona ujore”, është një nga motot e programit “Miqtë e Ujit”, të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe Shoqata e Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë, për të dytin vit radhazi. Qëllimi i përgjithshëm i programit të praktikës mësimore është që ta bëjë profesionin e shërbimit të furnizimit me ujë, të dëshirueshëm, një profesion me jetëgjatësi që do të tërheqë e do të mbajë në nivel të kualifikuar, të rinjtë universitarë, të cilët do të kontribuojnë në përmirësimin e përgjithshëm të realizimeve shumëplanëshe në sektorin e ujit në Shqipëri. Disa nga synimet e këtij programi janë: T’u ofrohet studentëve një mundësi praktike, eksperience pune për të investuar në fillimin e karrierës së tyre profesionale në të gjitha aspektet e punës, të mirëmbajtjes e funksionimit të një ndërmarrjeje të ujësjellës kanalizimeve; T’u sigurohet ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve një mundësi për të fituar eksperiencë në përfshirjen e studentëve praktikantë në planet e veprimeve të tyre dhe për të zbuluar burime kapacitive të praktikantëve me qëllim përmirësimin e treguesve të ndërmarrjeve.

MASH-Ujësjellës, konkurs vizatimor në klasat e treta për kursimin e ujit
Programi për fëmijë “Miqtë e ujit” është marrëveshja e dytë që Ministria e Arsimit ka nënshkruar dje, për të dytin vit radhazi me Shoqatën e Ujësjellës Kanalizimeve. Objektivi i përgjithshëm i programit “Miqtë e Ujit”, i cili financohet përsëri nga AMC sponsor gjeneral, UnionBank dhe kompania Teqja Internacional, është rritja e ndërgjegjësimit tek fëmijët për sa i përket çështjeve të lidhura me ujin, pikërisht në një moshë të re, nëpërmjet një metodë interesante dhe interaktive duke kombinuar mësimet mbi principet bazë në lidhje me ujin, me lojëra dhe aktivitete të cilat përforcojnë këto njohuri të marra.
Fëmijët që do të përfshihen në këtë program pilot do të jenë përsëri nxënës të klasave të treta të shkollave fillore në Tiranë, Durrës, Korçë, Shkodër, Kavajë, Pogradec, Gjirokastër, Berat, etj.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›