E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet supertrafikanti kolumbian, ortaku i organizatës shqiptare

Angel Munera është vrarë dje bashkë me dy truprojat. Klani Munera në ortakëri me shqiptarin Frederik Durda

Habjon Hasani

Policia kolumbiane ka ekzekutuar dje Angel Mehija Munerën, së bashku me dy truprojat e tij. Munera, së bashku me vëllain e tij, Viktorin, prej tetëmbëdhjetë vitesh drejtojnë organizatën më të madhe të import-eksportit të kokainës, të quajtur “Loz Mehilloz” ose e shqipëruar, “Klani i binjakëve”. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Migel Munera është rrethuar nga katërmbëdhjetë oficerë të forcave elitë të ushtrisë kolumbiane në një krahinë në Veri të Bogota-s, të quajtur Antioquia. Së bashku me dy truprojat e tij, Angel Munera, pasi ka pikasur aksionin e policëve, është mobilizuar dhe që të tre të kërkuarit kanë hapur zjarr ndaj forcave të ushtrisë kolumbiane. Duket se kësaj here lordi i drogës nuk ka qenë i përgatitur siç duhet përballë forcave elitë të ushtrisë së shtetit kolumbian. Porsa kanë hapur zjarr, Migel Munera dhe dy truprojat e tij janë qëlluar dhe kanë ngelur të vdekur në vend. Por përtej këtij fakti duket se vëllezërit Munera kanë patur dhe një “linjë” bashkëpunëtorësh shqiptarë, të cilët janë arrestuar në Tiranë në fillim të vitit 2001, ndërsa personi i kontaktit mes kapove kolumbianë dhe shqiptarëve ka qenë i arrestuari Frederik Durda. Migel Munera, i vrarë dje në Kolumbi, klasifikohet si numri dy i organizatës, ndërsa kapoja suprem i saj është i vëllai i tij binjak, Viktori.
Ngatërresa
Në fillim autoritetet kolumbiane menduan se kishin vrarë vëllain e Migelit, i cili është dhe lideri i organizatës. Kjo ka ndodhur pasi në dokumentet e identifikimit personi i vrarë kishte një pasaportë që i përkiste Viktor Munerës. Por pas analizave mjekësore dhe pas marrjes së gjurmëve kapilare është mësuar se personi i gjetur është Migel Munera, vëllai i Viktorit. Një zyrtar i lartë i ushtrisë kolumbiane ka deklaruar dje se personi i ekzekutuar, Migel Munera, ka qenë duke negociuar një tjetër kontratë droge për në Shtetet e Bashkuara kur është qëlluar. Sipas tij, Migel Munera, edhe pse jo aq i pushtetshëm sa vëllai i tij, ishte realisht një prej drejtuesve kryesorë të organizatës dhe negociator i marrëveshjeve të “lehta”, të cilat presupozojnë ngarkesa jo më shumë se 200 kilogramë kokainë.
“Skizofreni”
Migel Munera mbante nofkën “El Loco”, ose e shqipëruar “Skizofreni”. Këtë “titull” ai e fitoi si pasojë e disa muajve rehabilitimi që ka kryer në spitale të ndryshme si pasojë e gjendjes së tij depresive. Por përveçse ka qenë depresiv, Migel Munera kishte mbi supe dhe reputacionin e njeriut të pamëshirshëm në botën e krimit dhe të narkotrafikut. Disa ish-anëtarë të organizatës që ai e drejtonte së bashku me të vëllain, pasi kanë marrë statusin e “të penduarit”, kanë treguar për aktivitetin e Migel Munerës duke dhënë detaje të pabesueshme për agjentët që i hetonin. Një prej tyre ka deklaruar në vitin 2003 se Angel Munera kishte drejtuar një operacion ekzekutimi dhe vrasjesh në plan të gjerë, duke arritur të hiqte qafe rreth 16 anëtarë të organizatës së tij, pasi këta të fundit kishin dështuar dhe kishin dekonspiruar kalimin e një sasie prej 80 tonelatash kokainë nga Kolumbian në Holandë. “Ai organizoi vrasësit e tij dhe i dërgoi ata në Holandë, Meksikë në Spanjë dhe në Shtetet e Bashkuara. Brenda një nate në të gjitha këto shtete u ekzekutuan 16 anëtarë të organizatës tonë si pasojë e këtij operacioni të orkestruar nga Angel Munera dhe të urdhëruar nga Viktori, vëllai i tij. Të gjithë personat që u vranë ishin anëtarë të organizatës dhe unë mendoj se arsyeja pse ata u hoqën qafe lidhet kryesisht me moszbatimin preciz të urdhrave që dhanë vëllezërit Munera dhe me vonesat që krijuan në dërgimin e sasisë së porositur. Në atë listë isha edhe unë, por një ditë më parë kisha ikur nga Florida për t’u relaksuar, e kështu i shpëtova rastësisht ekzekutimit”, - ka deklaruar në vitin 2003 para agjentëve të DEA-s një ish-anëtar i organizatës së vëllezërve Munera.

Vëllezërit Munera, pasuesit e Eskobarit

Pas vdekjes së bujshme të lordit të të gjitha kohërave, Pablo Eskobar, duket se linja e trafikut të kokainës nuk e kishte më bazën e saj në Medelin, por në Barranquilla. Pikërisht këtu ka patur fillesat e saj ajo që më vonë u quajt si organizata e “Los Mehilloz”, e drejtuar nga Viktor Munera dhe Migel Munera. Binjakë të lindur në të njëjtën ditë. Në fillim të vitit 1990 vëllezërit Munera kishin filluar të zgjeronin influencën e tyre në trafikun e narkotikëve nga Kolumbia në drejtim të shteteve të Bashkuara. Viktor Munera kishte pozita dominuese në këtë grup. Ai që në fillim spikati për rreptësinë dhe korrektësinë e tij gjatë zbatimit të marrëveshjeve. Duket se këto veti e bënë atë që të fitonte besimin e drejtuesve kolumbianë të FARK-ut (Ushtria Marksiste që mbikëqyr parcelat e rritjes së bimës së kokainës). Pas vrasjes së Pablo Eskobarit në tregun e drogës pati një hendek shumë të madh, pasi Eskobar ishte “ura lidhëse” kryesore mes plantacioneve dhe shpërndarësve në SHBA dhe Europë. Kësisoj, në këtë moment u krijuan hapësira më të mëdha për dy vëllezërit Munera, të cilët e shfrytëzuan këtë moment dhe krijuan një rrjet dhe infrastrukturë shumë të fortë, e cila do të siguronte shpërndarjen e shpejtë dhe të sigurt të substancës fitimprurëse. Konsolidimi i këtij grupi duket se erdhi andej nga viti 1996, ku kjo organizatë kaloi të gjitha parashikimet dhe arriti të kontrollonte rreth 75% të kokainës që eksportohej në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1999 bosi i organizatës, Viktor Munera, filloi të mendonte për të fituar terren edhe në tregun evropian, ku dy pikat kryesore do të ishin Spanja dhe Holanda. Për të vënë në jetë këtë plan, ai bashkëpunoi dhe me shqiptarin Frederik Durda (sikurse shpjegohet në faqen 10), ku shqiptari tashmë i arrestuar mori të drejtën për të kontrolluar shpërndarjen e kokainës në tregun europian në vitin 2000.

DEA ofroi 5 milionë USD për dy vëllezërit

Forcimi i pozitave në tregun ndërkombëtar të drogës të “Clan de los Mehilloz” bëri që specialistët e Antidrogës të kuptonin rëndësinë e arrestimit ose të ekzekutimit të tyre. Për këtë arsye ata ofruan rreth 5 milionë dollarë për cilindo person që do të jepte informata për vendndodhjen e tyre. Ekspertë të DEA-s (Forcat Speciale Antidrogë) amerikane filluan hetimin e intensifikuar të kësaj organizate në vitin 1999, pasi në këtë periudhë ata u informuan për herë të parë se organizata që kishte kontrollin më të madh në tregun e eksportit të kokainës mbante emrin e “Los Mehilloz”. Deri më sot janë kryer rreth 45 aksione për kapjen e dy vëllezërve binjakë, të cilët kishin arritur pozita shumë të fuqishme në këtë treg. Të dhënat e të penduarve apo të agjentëve të infiltruar të DEA-s flasin për një rol thelbësor të kësaj organizate, që ndër të tjera kishte vënë në shërbimin e saj dhe krerët e ushtrisë ilegjitime FARK, që kontrollon plantacionet kolumbiane të bimës së kokainës. Deri pak kohë më parë DEA mendonte se dy vëllezërit fshiheshin në xhunglën e thellë të fshatrave të Kolumbisë, por vetëm pak kohë më parë këto forca u sinjalizuan se një prej vëllezërve prej kohësh kishte filluar të qëndronte vetëm pak kilometra në veri të kryeqytetit kolumbian, në Bogota.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›