E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje, policia ka marrë në mbrojtje 110 gra e fëmijë



Tiranë - Seksioni i Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje në Drejtorinë e Policisë në kryeqytet gjatë këtij 3 - mujori ka arritur të marrë në mbrojtje ligjore qindra qytetarë, kryesisht femra dhe fëmijë. Duke iu referuar statistikave nga bashkëpunimi i seksionit të Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje me punonjësit e Policimit në Komunitet, janë plotësuar 110 Kërkesë - Padi, ku kanë siguruar mbrojtjen e 110 viktimave të dhunës, ku sipas rasteve të veçanta në bashkëpunim me shoqatat jofitimprurëse, kanë ndihmuar në strehimin e viktimave në ambientet e tyre. Bazuar në statistikat e deri tanishme, ky fenomen negativ është i përhapur në çdo shtresë të shoqërisë, ku faktor që ndikojnë janë ekonomikë, kulturorë, abuzim me alkooli, droga etj. Aktualisht, Drejtoria e Policisë së Tiranës po bashkëpunon edhe me një sërë shoqatash jofitimprurëse, të cilët ndihmojnë duke dhënë asistencën e tyre, për raste delikate që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje, si: Rrjeti kundër Dhunës mbi Baza Gjinore dhe Trafikimit përbëhet nga Qendra e Këshillimit për Gra dhe Vajza (QKGV), Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim (QAGJZH), Strehëza për Gratë e Abuzuara, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNLQ), si dhe shoqata e grave “Refleksione”. Në këtë kuadër, për t’ju ardhur sa më shpejt në ndihmë viktimave të dhunës brenda familjes, Policia e Tiranës ka trajnuar punonjësit e policisë të sallave operative, të cilët presin telefonata të krimit brenda familjes, ku njëherazi mund të telefononi në numrat.

Ndalohen të miturit, dyshohet se vidhnin motorë “Piagio”

Tiranë – Tre të mitur janë ndaluar nga policia pasi akuzohen për vjedhje motorësh. Burime policore thanë për gazetën se 16-vjeçari nga Tirana dhe dy të tjerë nga Kavaja janë kapur në flagrancë nga uniformat blu për vjedhje. Sipas burimeve shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë ndaluan M.M, 16 - vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi në rrugën “Murat Toptani”, dyshohet të ketë vjedhur motorin tip “Piaxho”. Ndërsa po për vjedhje, shërbimet e komisariatit të Policisë Kavajë dërguan materialet në Prokurori, ndaj G. I., 14 vjeç dhe E. B., 11 vjeç, lindur dhe banues në Kavajë. Dyshohet se këta persona janë vjedhësit e një motoçikletë tip “Piagio”, në pronësi të një shtetasi.

Hetim në gjendje të lirë 2 kambistëve pa licencë

Tiranë – Dy kambistë do të hetohen në liri pasi kanë ushtruar aktivitet të palicencuar. Burime policore thanë për gazetën se Seksioni Kundër Pastrimit të Parave pranë Policisë së kryeqytetit, ka dërguar materialet në Prokurori për hetim në gjendje të lirë në ngarkim të Konstantin Kotici, 44 vjeç dhe Novruz Borri, 47 vjeç. Gjatë një kontrolli të ushtruar në dyqanin “Çenxh” të Koticit, në rrugën “Sami Frashri”, pranë pallateve “Agimi”, rezultoi se nuk dispononte licencë nga Banka e Shqipërisë, për ushtrimin e këtij aktiviteti. U kryen veprimet procedurale, në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan një sasi vlerash monetare si: 30 000 euro, 4 000 dollarë, dhe 450 000 lekë. Ndërsa Borri është kapur në flagrancë përballë Bankës së Shqipërisë, tek lulishte “Kaleshi”, me një vlerë monetare 576 dollarë dhe 100.400 lekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Pranga 3 grave, u morën lekë me mashtrim disa personave

Tiranë – Policia ka vënë në pranga tre gra, pasi për to kishte kallëzime nga disa qytetarë për mashtrim. Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko - Financiar, për veprën penale të “mashtrimit”, kanë ndaluar Fatmira Tenkon, 48 vjeçe, Adelina Hoxhajn, 37 vjeçe dhe Shqipe Krosin, 57 vjeçe. Për Temkon ka një kallëzim penal sipas të cilit ajo i kanë marrë një personi shumën prej 220 000 lekësh dhe nuk i kanë kthyer më. Ndërsa për Hoxhajn u dërguan materialet në Prokurori, pasi ndaj saj kanë depozituar kallëzim penal tre shtetas, të cilët kanë deklaruar se ajo u ka marrë shumën e parave prej 660 mijë lekësh dhe nuk ua ka kthyer më. Kurse Shqipe Krosi, 57 vjeçe, lindur në Peshkopi dhe banuese në Tiranë, akuzohet se u ka marrë disa shtetasve 3 mijë euro për t’ua dërguar djemtë në Itali e Gjermani, dhe nuk ua ka kthyer më.

1 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›