Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH strategji kombëtare për përmirësimin e rrjetit farmaceutik në vend
Prej muajsh shumë qendra shëndetësore vuajnë mungesën e disa prej medikamenteve kryesore për kurimin e pacientëve. Nga ana tjetër pacientët shprehen të frikësuar për mungesa e pullës së kontrollit dhe të sigurisë në barnat q ata vetë blejnë në farmaci. Lidhur me këtë fakt, dje ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili u shpreh se duhet të hartohet një strategji kombëtare për përmirësimin e rrjetit farmaceutik në vend, por edhe që në tregun shqiptar të medikamenteve të mos ekzistojnë më barna të falsifikuara. Kreu i Shëndetësisë u shpreh gjatë një takimi me drejtoreshën e Institutin të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hanën se ministria e Shëndetësisë do të fokusohet dhe do ta marrë si sfidë mbulimin e tregut me barna dhe prokurimin e tyre në kohë rekord. Vasili tha gjithashtu se do të punohet për rritjen e cilësisë së barnave dhe monitorimin e vazhdueshëm për kontrollin e tyre nga falsifikimi. “Së shpejti do të fillojë puna për hartimin e një strategjie dhe përpilimin me të gjitha mjetet e mundshme teknike, të kontrollit intensive, etj, lidhur me qarkullimin e barnave të falsifikuara. Duke pasur të dhëna OBSH, për falsifikimin e 10 % të të gjitha barnave në të gjithë botën, duhet të mprehim vigjilencën tonë, por kjo nuk mund të bëhet as me spontanitete as më ndonjë veprim tek-tuk qoftë me vullnet të mirë, por të fragmentizuar dhe me një strategji të mirë menduar”, tha Vasili. Sipas vetë pacientëve mungesa e disa barnave dhe cilësia e tyre janë problemi më i madh që shqetëson të sëmurët prej disa kohësh.
Reagimi
Elvana Hana, drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor si dhe përgjegjësja e institucionit që administron direkt rimbursimin e barnave, tha se ISKSH po zbaton reforma për modernizmin e shërbimit farmaceutik duke futur sistemin elektronik për barnat e rimbursuara. “Receta Elektronike” është një tjetër projekt që sipas Hanës do të ndikojë në lehtësimin e procedurave dhe do të shërbejë për të mos abuzuar me medikamentet as farmacistët as pacientët. “ISKSH po zbaton reforma për modernizmin e shërbimit farmaceutik duke futur sistemin elektronik për barnat e rimbursuara. Gjithashtu ky institut po punon për zbatimin e një projekti mbi informatizimin dhe dërgimin on-linë në ISKSH të shpenzimeve e rimbursimit të realizuara çdo vit brenda 24- orëve. Ky projekt i paraprin projektit të kalimit në receta elektronike”, tha Hana.
Mbas deklaratës së ministrit Vasili dhe drejtoreshës së ISKSH-së reagoi dhe Besnik Jaka, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave. Jaka tha se 70% e barnave sot ka udhëzuesin e përdorimit të barnave në shqip. Sipas drejtorit të QKKB-së për një sërë barnash ka specifika për t’u vendosur fletë-udhëzuesi prandaj nuk është arritur që 100% e barnave të kenë udhëzuesin në shqip.
Apeli
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetit në vendin tonë Anshu Banerje, apeloi për rishikimin e politikave në sistemin farmaceutik në vend. I pranishëm në këtë takim Banerje u shpreh se është e rëndësishme të krijohen protokollet e mjekimit për dhënien me recetë të antibiotikëve të cilët janë bërë mjaft problematikë në të gjithë tregun botëror. Sipas përfaqësuesit të OBSH-së të dhënat nga kjo organizatë tregojnë për rreth 10% të barnave në nivelin botëror kanë rrezikun që të jenë barna të falsifikuara që qarkullojnë në treg
31 Gusht 2010