E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit mohojnë deklaratat politike: “Nuk jemi gjobitur nga bashkia”



Ndërtuesit nuk e kanë pranuar spekulimin në emër të tyre se gjoja bashkiakja e kryeqytetit u vendos gjoba ose sanksione sa herë që u jep atyre leje ndërtimi. Krerët e Shoqatës së Ndërtuesve kanë deklaruar për mediat se ata janë të pastër dhe se nuk kanë pësuar sanksione nga ana e Bashkisë së Tiranës. Sipas tyre, “sektori i ndërtimit është përfshirë sërish në debatet politike, si pjesë e një mekanizimi korrupsioni në interes të njërës apo tjetrës palë”. Demokratët akuzojnë kreun e PS-së dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Ramën, se merr 20 për qind për çdo leje ndërtimi, kurse socialistët kritikojnë qeverinë se po favorizon subjekte private pranë klaneve të caktuara në PD. Përplasjet e shumta me deklarata të ndërsjella për ryshfete disa miliona euro, kanë vënë në qendër të vëmendjes biznesin e ndërtimit. Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve Shqiptarë, Maksim Muçi, që është edhe përgjegjës për sektorin e pallateve (shoqata përbëhet nga kryesi që përfaqësojnë fusha të caktuara të ndërtimit), deklaron se akuzat e të dyja palëve nuk bëjnë gjë tjetër vetëm sa dëmtojnë imazhin e biznesit ndërtues. “Politikanët nuk e kanë problem ta akuzojnë njëri-tjetrin, duke bërë deklarata për biznesin e ndërtimit që në plot raste nuk janë të vërteta”,- thonë ndërtuesit. Për ta, skema “20 për qind” për çdo leje ndërtimi nuk është e vërtetë. “Nëse paguhet ryshfet 20 për qind, plus 40 për qind që i jepet pronarit të tokës, pastaj dhe taksat, ndërtuesit nuk i mbetet asnjë fitim”, - kanë deklaruar ndërtuesit.

Situata
Ndërtuesit janë kthyer në plot raste në shënjestër të politikës për favorizime klienteliste për objekte shumëkatëshe në Tiranë, por deri më sot asgjë nuk është provuar me fakte nga institucionet kompetente. Në Shoqatën e Ndërtuesve ka subjekte që punojnë mbi bazën e rregullave dhe që nuk presin të përfitojnë nga klane të caktuara. “Në Shqipëri operojnë mbi 2 mijë firma ndërtimi, por rreth 400 janë anëtarë të shoqatës sonë. Për ato çka fliten në media dhe akuzohen nga politika nuk janë pjesë e jona. Në shoqatën tonë, ‘20 për qindëshi’ ose ndonjë masë tjetër nuk janë skema që funksionojnë”,- deklaron Shoqata e Ndërtuesve. Ata më tej janë ankuar edhe për mungesën e dhënies së lejeve të ndërtimit nga ana e KRRTRSH-së, që sipas tyre ka bllokuar të gjithë punën e këtij sektori që aktualisht gjendet në krizë. Sipas ndërtuesve, mjafton të shikosh mbledhjet e munguara të Këshillit të Rregullimit të Territorit, për të kuptuar që deklaratat deri diku bien poshtë. KRRT-ja e Tiranës është mbledhur për herë të fundit në prill të vitit 2009 dhe deri atëherë nuk është miratuar asnjë leje ndërtimi.

Ndërtuesit
Sipas shoqatës, ndërtuesit nuk janë pjesë e asnjë force politike, por pjesë e ekonomisë së vendit, që kontribuon në zhvillimin e PBB-së. Reagimi që bën Shoqata e Ndërtuesve është i dyti brenda një viti, kur në të parin ishte Kryeministri Sali Berisha, i cili në konferencë për mediat bëri publike të gjitha lejet, marrëveshjet dhe kontratat që Bashkia e Tiranës kishte lidhur me ndërtues që, sipas kreut të qeverisë, janë të lidhur ngushtë me interesat e Edi Ramës. Ndërtimi xhiron në vit mbi 1.2 miliardë dollarë dhe për vite të tëra u kthye në sektorin më fitimprurës në vend. Por situata ka ndryshuar sidomos në dy vitet e fundit. Aktualisht dhjetëra firma ndërtuese kanë falimentuar ose janë drejt falimentit. Mijëra objekte të përfunduara nuk po shiten, në një kohë që ky ngërç po jep mjaftë efekte negative zinxhir në ekonomi.

INSTAT, vijon rritja e kostos së ndërtimit në vend

Kostoja e një metri katror ndërtim vijon të rritet nga një 3-mujor në tjetrin. Të dhënat më fundit të Institutit të Statistikave në lidhje me Indeksin e Kushtimit në Ndërtim raportojnë për një rritje të këtij treguesi me 0.2 për qind gjatë 3-mujorit të dytë të këtij viti krahasuar me 3-mujorin e parë. Sipas IINSTAT, gjatë 3-mujorit të dyte të 2010 indeksi i çmimeve të grupit "Shpenzime direkte" është rritur 0.3 për qind kundrejt 3-mujorit të mëparshëm. Ndërkohë, indeksi i nëngrupit "Shpenzime materiale" është rritur me 0.4 për qind. Por ajo që është më e rëndësishmja që edhe ndikon direkt në kosto është rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit dhe atyre elektrike me respektivisht 04 për qind dhe 2.7 për qind. Rritje kanë pësuar dhe indekset në nëngrupet "Shpenzime transporti" dhe "Shpenzime makinerie" përkatësisht me 1.4 dhe 0.2 për qind.

31 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›