E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Shëndetësisë, linja këshillimi për lënien e duhanit

Ministria e Shëndetësisë po përgatit disa linja këshillimi për të bindur duhanpirësit që të lënë duhanin. Shkak për këtë është rrezikshmëria e lartë që ka për shëndetin pirja e duhanit. Në mbledhjen e parë vjetore për zbatimin e ligjit antiduhan me Komitetin Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit, ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, sqaroi se duhet bërë më tepër përpjekje nga institucionet përkatëse për të sensibilizuar qytetarët për të shmangur duhanpirjen. Ministria e Shëndetësisë ka planifikuar ngritjen e një laboratori brenda muajit tetor 2008, pranë Sektorit të Abuzimit me Substancat në ISHP, me qëllim që të informojë publikun për cilësinë e produkteve të duhanit. Gjithashtu është vendosur që në të gjitha produktet e duhanit do të shfaqet dhe numri jeshil pa pagesë 0800 47 47 si një mundësi tjetër për ofrimin e asistencës për lënien e duhanit. Pritet që së shpejti të dalin nga botimi katër broshura me metodikat më të fundit për lënien e duhanit. Gjithashtu në disa pjesë të paketës do të vendosen shkrime paralajmëruese për dëmet e shkaktuara nga pirja e duhanit. Një raport i tillë është në kompetencën e komitetit për të përcaktuar një nga tre variantet ku thuhet: 50% të vendosen në faqen ballore dhe 50% në faqen e prapme; 40% në faqen ballore dhe 60% në faqen e prapme, 30% në faqen ballore dhe 70% në faqen e prapme. Nga këto variante, Komiteti sugjeroi që të shikohet mundësia për variantin e parë, pasi ky variant, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, krijon kushtet për përshtatje me detyrimet e Konventës për Kontrollin e Duhanit. Në konventë thuhet se paralajmërimet e detyruara shëndetësore të jepen me figura, por kjo procedurë do të zgjasë deri në vitin 2009.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›