Ministria e Shëndetësisë, masa për mbrojtjen nga temperaturat e larta
Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP-ja kanë vendosur marrjen e masave për mbrojtjen e qytetarëve nga temperaturat e larta që do të vijojnë gjatë stinës së verës. Këto dy institucione kanë nisur një fushatë informimi për parandalimin e pasojave që mund të kenë në popullatë temperaturat e larta, karakteristikë e stinës së verës. Kjo fushatë fillimisht do të prezantohet në të gjitha qendrat shëndetësore të kryeqytetit, ku do të shpërndahen fletëpalosje me këshilla shëndetësore për ditët e nxehta, ndërsa në rrethe do të shpërndahen udhëzime për masat që duhen marrë për mbrojtjen nga dielli. Fletëpalosjet do të përmbajnë udhëzime për masat parandaluese të pasojave të rrezeve te diellit, duke shkaktuar sipas mjekëve, dhimbje koke shumë të forta, skuqje të fytyrës, dhimbje të syve, humbje ndjenjash, eksitim nervor dhe jo rrallë vdekjen. Gjatë stinës së verës këshillohet që të përdoret sa më shumë konsumimi i lëngjeve. Lëngjet duhet të jenë pa përmbajtje kafeine, alkooli dhe sheqeri, si dhe rekomandohet qëndrimi në ambiente me ajër të kondicionuar, banja të shpeshta me ujë të vakët, veshje me rroba të lehta me ngjyra të hapura dhe daljen në orët e mëngjesit e të mbrëmjes. Por një pjesë e qytetarëve që kanë probleme të zemrës diabetit apo hipertensionit, duhet të konsultohen në mënyrë të vazhdueshme me mjekun, për të evituar raste të që kërcënojnë jetën e tyre të shkaktuara nga vapa e nxehtë.
14 Maj 2008