E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të jetosh me fantazmat



Dilaver Qesja

Më dt. 29.04.2008 personi i paraqitur me emrin Tedi Çarçani, i panjohur për mua, ka shkruar në forum tek gazeta “ALBANIA”, një artikull plot me shpifje dhe trillime nga fillimi deri në fund.
Natyrshëm lind pyetja: Kush është në të vërtetë ky njeri? U mundova disa ditë të vërtetoja ekzistencën e tij, por më kot, emeri i tij rezulton të jetë imagjinar. Kuptohet, që një person tjetër fshihet pas këtij emri. Ky njeri kërkon t’i shmanget përgjegjësive për shpifjet e trillimet e rreshtuara në artikull. Ju, që fshiheni pas këtij emeri, nuk keni kurajon qytetare të shfaqeni me emerin e vërtetë, sepse bëni pjesë në atë kor sorrash e korbash, që ditët e fundit kanë marrë përsipër të denigrojnë njerëz të ndershëm e të panjollosur. Zor se ju, o njeri fantazmë, do të arrini qëllimet tuaja, pasi integriteti im moral nuk lë vend për misionin që ju keni marrë përsipër. Shpifjet tuaja janë aq bajate, saqë edhe një njeri i zakonshëm nuk i honeps. Keni aluduar se një CV imja qenkësh shtypur me makinë oliveti dhe paskësh qarkulluar në ambjentet e Ministrisë së Jashtme. Nëse vërtetë ka ndodhur një gjë e tillë, atëherë kjo është shtypur nga ju , sepse ajo që unë kam dorëzuar në Drejtorinë e Personelit, është e punuar në komjuter dhe në gjuhë angleze pa asnjë gabim. Kualifikimet që unë kam paraqitur janë të shoqëruara me certefikatat e institucioneve përkatëse dhe me adresat respektive. Origjinalet e të cilave unë i ruaj në shtëpi. Personat dhe organet e autorizuara mund të drejtohen për verifikim. Kam përfunduar të gjitha shkallët e arsimimit në shkollë dite dhe jo nate, siç shpifni ju, o njeri fantazmë. Po ashtu, edhe të gjitha kualifikimet i kam bërë ditën. Rezultatet i kam pasur shumë të larta në shkollë të mesme dhe diplomën universitare e provimin e shtetit i kam mbrojtur me notën 8 (tetë). Ju aludoni edhe për origjinën e famijles sime, por sikur ta dinit prejardhjen time nga të dy prindërit besoj nuk do të kishit kurajon ta preknit këtë aspekt. Ju aludoni për mënyrën e rekrutimit tim në Shërbimin e Jashtëm. Dijeni mirë, unë jam rekrutuar në këtë shërbim brenda gjithë kritereve ligjore dhe, pasi kam kaluar një periudhë trajnimi 45 ditore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, kam bërë edhe të gjitha takimet e nevojshme në të gjitha Drejtoritë përkatese. Me slloganin: “Hajt se jemi tanët”, mund të jeni rekrutuar ju, nëse keni qenë ndonjëherë në këtë shërbim. Ju flisni për ca nocione që i keni parë vetëm nga fjalori dhe nuk i njihni fare në jetë. Kuptohet që keni një edukim mjaft të mangët. Ju aludoni se Malajzia qenka një vend i harruar, i largët, antiamerikan dhe pa interesa për Shqipërinë. Kuptohet se ora juaj ka mbetur në vitet e shkuara. Malajzia mbetet një nga vendet më të zhvilluara të rajonit që bën një politike të ekuilibruar me të gjitha vendet e botës, që ka qenë e mbetet vend mik i Shqipërisë. Biznese malajzjane veprojnë në Shqipëri dhe eksporte të produkteve shqiptare kanë filluar të prekin Malajzinë. Këtu ka një komunitet shqiptarësh që jetojnë e punojnë dhe një numër të konsiderueshëm studentësh e personash nga fusha të ndryshme të jetës që vijnë vazhdimisht nga Shqipëria për trajnime, sipas marrëveshjeve të arritura midis dy vendeve. Unë, si përfaqesues i Shqipërisë në Malajzi, e kryej mjaft mirë detyrën time dhe kam marrëdhënie shumë të mira me palën malajziane. Por nëse qenia ime këtu, o njeri fantazëm, ju ka cënuar ndonjë interes, ky është problemi juaj. Stafi i ri i Ambasadës, që ka filluar punë në vitin 2006, ka përmirësuar ndjeshëm imazhin e Shqipërisë këtu. Disa dukuri që fillonin nga kjo zonë, kalonin nëpër Shqipëri e përfundonin nëpër Evropë. Tani nuk janë më prezente dhe mendoj se kjo përbën një kontribut për integrimin e Shqipërisë. Aludimi juaj se unë mund t’i kem bezdisur, apo shkelur në kallo drejtuesit e PD-së, është një trillim dashakeq, i pabazuar. Unë deri ditën që jam rekrutuar në Shërbimin e Jashtëm, kam qenë i zgjedhur në forumet më të larta në PD. Keni aluduar plot shpifje edhe për periudhën që unë kam qenë deputet. E vërteta është se unë jam zgjedhur deputet me një diferencë rreth 4 mijë vota më shumë se ndjekësi më i afërt. Kam qenë një ndër deputetët aktivë në seancë, në Komisionin e Përhershëm, ku bëja pjesë si dhe në dy Komisione të Përkohshme. Kam zhvilluar disa interpelanca e seance pyetjesh me ministra dhe Kryeministrin e asaj kohe, të cilët kanë sjellë në shumicën e rasteve edhe zgjidhjen e problemeve të zonës. Janë me dhjetra diskutimet individuale dhe në emër të grupit parlamentar të PD-së, ku unë bëja pjesë. Për këtë mund të shihen protokollet që mbahen rregullisht në parlament. Gjithashtu, kam thithur edhe investime të konsiderueshme për zonën elektorale. Nuk kam qenë njeri fantazëm si ju, që të fshihesha pas llozhave e tavolinave. Megjithëse nuk ka rëndësi, por vendi im në sallën e parlamentit ka qenë diku para mesit dhe prezenca ime ka qenë me kohë të plotë në senca dhe në komisione. Këto i shkrova vetëm për të vënë në dukje shpifjet e fëlliqura që keni bërë në materialin tuaj të dt. 29.04.2008, të cilin në shumicën e rasteve po ju e keni komentuar, por me emra të ndryshëm. Siç duket, ky është një ves i trashëguar familjar nga i cili ju nuk shkëputeni dot. Për momentin ndodhem me shërbim jashtë Shqipërisë, ndaj po i dërgojë gazetës “Albania”, që ta botojë shkrimin tim sipas ligjit për shtypin. Në kohën dhe vendin e duhur do të ballafaqohem me personin që fshihet pas emrit Tedi Çarçani. Redaksia e kësaj gazete ka detyrimin ligjor të bëjë publik autorin e vërtetë të materialit në fjalë.
* Dilaver Qesja
I Ngarkuar me Punë
I Republikës së Shqipërisë
Malajzi

14 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›