Vera e zezë e zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e zemrës
Vitet e fundit vazhdimisht dëgjojmë se pirja mesatare e verës është e mirë për shëndet. Shkencëtarët kanë pohuar se vera e zezë e zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e zemrës, mbron nga sulmi në tru, pengon zhvillimin e kancerit të pankreasit dhe madje vepron fuqishëm kundër baktereve fatale siç janë salmonelat, e.coli dhe listerioza. Vera e bardhë ka efekte pozitive duke iu falënderuar llojeve të ndryshme të polifenoleve të pranishme në të, të cilat zvogëlojnë nivelin e kolesterolit. Vera e bardhë përmban edhe kalium, i cili e ul shtypjen e gjakut. Përveç kësaj, shkencëtarët pohojnë se falë përbërësve të saj vera e bardhë vepron si një anti-inflamator, ndihmon në parandalimin e osteoporozës dhe artritit reumatik. Supozohet se personat të cilët pinë nga dy litra e gjysmë verë të kuqe në javë, ose afërsisht dy gota në ditë, zvogëlojnë rrezikun e vdekjes së hershme. Në parandalimin e sëmundjeve të zemrës efekt të fuqishëm ka edhe vera joalkoolike, e cila po ashtu është e dobishme edhe në parandalimin e tumoreve të ndryshëm, ndërsa nga ana tjetër nga ky lloj i verës nuk ekziston rreziku të cilin e ka konsumimi i alkoolit.
Pija
Vera është pije shumë komplekse ku në përbërjen e saj janë gjetur dhe identifikuar përmbi 600 përbërës. Shumica e këtyre përbërësve gjenden në sasi shumë të vogla në verë, por kanë rëndësi të madhe në shijen, erën dhe aromën e verës. Vlerat higjienike dhe ushqyese të verës, shekuj me radhë i kanë interesuar njerëzit për atë shkak vera është përcaktuar në mënyra të ndryshme. Për disa njerëz ajo është vetëm pije alkoolike, ndërsa për disa është ushqim dhe barë shërues. Thënia se vera nuk është ushqim, sepse nuk përmban vitamina dhe proteina, nuk është bindëse, sepse as sheqeri, vaji dhe shumë artikuj tjerë nuk i përmbajnë këto elemente kryesore të domosdoshme për organizmin e njeriut. Është e njohur se alkooli i cili futet në organizëm shumë shpejtë depërton nëpër murin e lukthit dhe zorrëve, deri në mëlçi dhe hyn në gjak.
Alkooli
Alkooli eliminohet nga gjaku për 12 orë, ndërsa nga indet e buta për 16 orë. Nëse alkooli konsumohet me ushqim, përqendrimi i tij është më i vogël në gjak se sa kur konsumohet pa ushqim. Alkooli eliminohet nga organizmi i njeriut përmes mushkërive (0.5 deri 1 për qind të sasisë së konsumuar nëse njeriu është duke pushuar, dhe 5 deri 10 për qind nëse njeriu është aktiv), përmes veshkave (20 deri 30 për qind) dhe transformimit biokimik në mëlçi. Nëse konsumohen sasi të vogla të alkoolit atëherë në trupin e njeriut aktivizohet gjëndrat e pështymës dhe lëngu i lukthit. Ndërsa nëse konsumohet sasi më e madhe e alkoolit atëherë kjo sasi ndikon negativisht në murin e lukthit, rritjen e shtypjes së gjakut, shpejtimin e rrahjeve të zemrës si dhe rritjen e temperaturës periferike. Është vërtetuar se sasia e alkoolit në verë është shumë më pakë toksike se sa në pijet e forta alkoolike. Kur bëhet fjalë për konsumimin e verës në aspektin shëndetësor atëherë nënkuptohet konsumimi në sasi normale.
Aspekti shëndetësor
Përsa i përket lëndëve shëruese të verës, ato janë të njohura qysh në kohët e lashta. Pasteri ka thënë i pari se vera është pija më higjienike dhe më e shëndoshë në botë. Vera në vete përmban minerale, thartirë, vitaminë A, e sidomos janë të rëndësishme substancat e Fenolit (proantocianidoli), që thuhet se kanë efekte pozitive. Substancat të cilat përmbajnë efekt antioksidativ, si: proantocianidi, kvercetina dhe reservatroli, e që gjenden më së shumti në verën e kuqe, janë mbrojtës të mirë të sistemit koronarë. Këto elemente ndalojnë oksidimin e LDL-it, kurse në anën tjetër ndikojnë në rritje e lipoproteinës me dendësisë së madhe-HDL-it në gjak, i cili shërben si rregullator pozitiv i yndyrës në gjak. Në verë janë gjetur 60 mg/l acid salicilik që është sasi e dyfishtë nga doza ditore e aspirinës të cilin mjekët e përshkruajnë te sëmundjet e natyrës kardiovaskulare.
Mënyra e ruajtjes
Pas një kohe të caktuar të ruajtjes së verës, vera futet në shishe dhe pastaj karakteristikat kimike dhe fizike të saj vazhdojnë të zhvillohen në shishe. Verërat të cilat mbahen në shishe, duhet të kenë kushte të veçanta të ruajtjes. Një bodrum ku ruhet vera në shishe duhet t’i plotësojë patjetër këto kushte: Bodrumi duhet të jetë i errët, pasi kjo ndikon në kohëzgjatjen dhe harmonizimin e vjetërsisë së verës; Shishet duhet të jenë të vendosura horizontalisht, sepse tapa me të cilën mbyllet shishja është gjithnjë e lagët dhe e bymuar nga vera kështu që pengon që të hynë ajri në shishe; Temperatura ideale për ruajtjen e verës është 11 gradë, por mund të arrijë deri në 14 gradë. Shumë me rëndësi është që të mos ketë dallime të mëdha në temperaturë më të cilën shpejtohet vjetërsimi i padëshiruar i verës andaj nuk duhet pasur lëkundje të mëdha të temperaturës; Lagështia e ajrit në bodrume luan një rol shumë të rëndësishëm, sepse ndikon drejtpërdrejtë në kualitetin e tapës. Lagështia ideale është në mes 65 për qind dhe 80 për qind, sepse në njërën anë e ruan tapën të mos thahet ndërsa në anën tjetër nuk i dëmton etiketat e vendosura në shishe; Bodrumi duhet të ketë ajër të pastër;
Bodrumi duhet të jetë vend i qetë, të mos ketë vibrime ose dëmtime të tjera fizike, sepse këto dukuri ndikojnë dukshëm në harmonizimin e vjetërsimit të verës; Gjatë ruajtjes së verës në bodrume shishet dhe tapat duhet kontrolluar me kujdes. Tapat e dëmtuara dhe ato me defekte duhet ndërruar gjithsesi. Shumë rrallë mund të ndodhë që ndonjë insekt ta dëmtojë tapën dhe mund të vijë deri te prishja e verës. Për atë shkak duhet izoluar tapat me kapsula mbrojtëse me qëllim që mos të vijë deri te dëmtimi i tapës dhe prishja e verës.
Adhuruesit e verës
Adhuruesit e verës të cilët i kanë bodrumet e veta duhet t’i kenë këto shënime rreth mbajtjes së verës: Emri i verës dhe prejardhja gjeografike; viti i vjeljes; Emri i prodhuesit; Data dhe vendi i marrjes së verës; Komente rreth testimeve periodike të verës si dhe numri i shishes. Këto informata për verën duhet të menaxhohen mirë nëpër bodrume. Duhet pasur parasysh se gjatë fazës së pjekjes, vera kalon nëpër tri faza: fazën e rinisë, pjekurisë dhe rënies së kualitetit. Verërat e fituara nga vitet e mira mund të qëndrojnë në fazën e rinisë disa dekada, por e gjithë kjo varet prej lokalitetit të pjekjes së rrushit, llojit të rrushit, menaxhimit të vreshtave, aplikimit të teknologjisë si dhe kushteve klimatike. Pas fazës së rinisë, vera hyn në fazën e pjekurisë, ku edhe arrihet kualiteti i verës dhe atëherë është më së miri të pihet. Kohëzgjatja e kësaj faze gjithashtu varet nga shumë faktorë, por me rëndësi është të veçohet kjo fazë, sepse këtu arrihet kulminacioni i kualitetit dhe nuk duhet të lejohet që vera të shkojë në fazën e rënies së kualitetit.
Përgatiti: Jonida Tashi
Studimi, mbipesha përkeqëson astmën
Një studim i shkencëtarëve nga Zelanda e Re, ka treguar se mbipesha mund të jetë njëri nga faktorët negativ tek astma, madje mund ta maskojë praninë e sëmundjes gjatë ekzaminimit me anë të testeve standarde. Shkencëtarët nga Universiteti i Otagos kanë shpjeguar se funksioni i dobësuar respirator tek astmatikët është i lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me rritjen e indeksit të peshës trupore (BMI-raporti i gjatësisë dhe peshës trupore). Studimi ka treguar po ashtu se te personat e shëndoshë me astmë, spirometria e zakonshme nuk mund të vërtetojë çrregullimin e funksionit të mushkërive. Në fund të shkrimit të tyre të botuar në revistën, “American Journal of Respiratory and Critical Care Medicine”, shkencëtarët shtojnë se personat e shëndoshë me astmë kanë rrezik më të madh nga frymëmarrja e vështirësuar.
14 Maj 2008