E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia bashkiake në konflikt me 71 familje



Aksioni i policisë bashkiake për prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje përgjatë lumit të Lanës ka hasur në rezistencën e banorëve. Banorët kanë kundërshtuar për shkatërrimin e ndërtesave të tyre, në të cilat banojnë prej disa vitesh. Sipas tyre, ata nuk kanë asnjë mundësi jetese dhe vendqëndrimi nëse bashkia i lë në rrugë të madhe. Qëndrimi i banorëve vazhdon edhe pse ata janë lajmëruar disa muaj më parë për të lënë shtëpitë, ata nuk kanë dalë nga ndërtesat. Ata kanë kundërshtuar me forcë largimin nga banesat dhe në shenjë proteste kundër vendimit të Bashkisë së Tiranës rreth 12 gra të 71 familjeve që jetojnë në këtë zonë, janë ngujuar në një prej ndërtesave që prej ditës së hënë. Por, kjo nuk është marr parasysh nga policia ndërtimore, e cila ka vazhduar prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje të kësaj zone.
Ndërkohë që, gjendja e tyre shëndetësore ka filluar të përkeqësohet, ndërsa kanë mbërritur edhe mjekët e urgjencës për të ndjekur ecurinë shëndetësore të 12 grave të mbyllura në shenjë proteste. Thirrja e tyre për një strehë i është drejtuar kryeministrit Berisha për të gjetur një zgjidhje për strehim. Nga ana tjetër nënkryetari i Bashkisë se Tiranës, Eduard Shalsi, u shpreh se vendimi është i formës së prerë dhe ndërtesat pa leje do të shemben. Sipas tij e vetmja lehtësi në këtë situatë është që Bashkia t’iu vijë në ndihmë nëpërmjet dhënies së bonuseve për shtëpi me qira.

14 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›