E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektvendimi, zona e Ish- Bllokut tani me trafik të kufizuar



Emanuela Sako

Këshilli Bashkiak i Tiranës, me anë të një projektvendimi synon që zona e Ish-Bllokut, të kthehet në një zonë me trafik të kufizuar për sezonin e verës. Sipas këtij projekti, në këtë zonë do të ndalohet transporti për automjete dhe motomjete të paautorizuara. Ndërsa ka përjashtuar nga lista e kufizimit disa kategori, të cilat do të lejohet të qarkullojnë me një autorizim përkatës. Kështu në projektvendim thuhet se do te përjashtohen nga kufizimet vetëm institucionet rezidente dhe rezidentët. Po kështu, përjashtohen nga kufizimet edhe mjetet e autorizuara në shërbim të invalidëve, policia, autoambulancat, zjarrfikëset, mjetet e shërbimit të mallrave në orare të përcaktuara. Kjo bëhet për shkak të ndotjes së madhe që mund të shkaktohet në këtë zonë nga qarkullimi i madh i automjeteve që ka çdo ditë. Në këtë zonë, Bashkia e Tiranës, ka zbatuar projekte pilot, të kufizimit të qarkullimit ku në sezonin veror kufizimi i trafikut ka sjell eliminimin e shkarkimeve të dëmshme të automjeteve në mjedis, eliminimin e problemeve të sigurisë rrugore për shkak të lëvizjes së madhe të këmbësorëve në rrugët e kësaj zone, si dhe eliminimin e zhurmave që bëjnë të pamundur qëndrimin për banorët e zonës.
Qarkullimi
Qarkullimi do të kontrollohet nëpërmjet bllokuesit elektronik me telekomandë, të cilat janë mjete bashkëkohore që bëjnë të mundur kontrollin e lëvizshmërisë në zonën me trafik të kufizuar. Çdo person rezident që disponon automjet dhe që ka vend të rezervuar në parkimin e pallatit ose të ambientit të shtëpisë së banimit, do të pajiset me leje kalimi të shoqëruar me pajisjen telekomanduese për bllokuesit. Gjithashtu, do të pajisen me telekomanduese për bllokuesit, mjetet e institucioneve rezidente të domosdoshme për kryerjen e aktivitetit. Punonjësit e bashkisë do të bëjnë të mundur menaxhimin e lëvizshmërisë për kategoritë e tjera që përjashtohen nga kufizimet.
Fazat
Ndërsa për rrugët që janë në rikonstruksion është menduar që puna të vazhdojë të bëhet në tre faza, për të shmangur problemet me trafikun dhe ndotjen në këtë zonë. Të gjithë të interesuarit, do të merren vesh nëpërmjet sinjalizimeve të nevojshme rrugore, si dhe do të përdoren bllokuesit me telekomandë që do të garantojnë kufizimet devijimet dhe përjashtimet që do të bëhen. Në këtë mënyrë do t’iu jepet më tepër prioritet, banorëve që duan të shëtisin më këmbë gjatë stinës së verës.

14 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›