E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikimi i vajzës, Apeli: 31 vjet burg për babain e djalin

 

TIRANE – Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda dënoi dje me 31 vjet burg në total dhe 13 milionë lekë gjobë, babë e bir, të akuzuar për “trafikim të qenieve njerëzore”. Pas shqyrtimit të dosjes nga trupa gjykuese e Apelit, të pandehurit Pata u shpallën fajtorë dhe u dënuan me burg dhe me gjobë në lekë. Sipas vendimit, Nelgert Pata u dënua me 16 vjet heqje lirie e 7 milionë lekë gjobë dhe Astrit Pata, babai i tij, me 15 vjet burg e 6 milionë lekë gjobë. Me vendimin e djeshëm togat e zeza të Apelit lanë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në janar të këtij viti. Ngjarja për të cilën akuzohen babë e bir është regjistruar në vitin 2004. Sipas organit të akuzës, ata kanë trafikuar një vajzë nga Gjirokastra, me qëllim shfrytëzimin e saj për prostitucion. Referuar prokurorisë, ata e kanë dërguar vajzën fillimisht në Greqi dhe më pas drejt Norvegjisë, ku pretendohet se e kanë shfrytëzuar si prostitutë. Ky fakt është pohuar edhe nga vetë e dëmtuara kur u mor në pyetje nga gjykata, gjatë shqyrtimit të dosjes në Shkallën e Parë të Gjyqësorit. Sipas dëshmisë, ajo ishte shfrytëzuar nga babë e bir për rreth një vit e gjysmë dhe të gjitha të ardhurat përfitoheshin nga Patajt. Aktualisht, femra e dëmtuar është në një qendër rehabilitimi në Norvegji, ku ka përfituar edhe statusin e azilantes. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›