Godo: Janë bërë krime të rënda nga brigadat partizane
Alma Mile
Për vite të tëra mbante pengun që nuk mundi të thotë të vërtetën. E bëri me ndërgjegje aso kohe. Për një fjalë më shumë, rrezikoje tepër. Tanimë Sabri Godo nuk ka arsye të druhet. Është koha e shlyerjes së pengut. Për 18 muaj me radhë ripunoi mbi një libër të botuar 32 vite më parë. Titullohet “Prova e zjarrit” dhe është një libër mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Gjithçka si e ka parë dhe jetuar ish-partizani. Nuk kishte hyrë ende në të 15-at, kur shkoi në luftë dhe ende nuk e dinte se ç’ishte frika. Sot i afrohet të 80-ave dhe ka pasur kohë t’i peshojë gjërat me kujdes. Në botimin e ri të romanit “Prova e zjarrit”, i cili vjen përmes shtëpisë botuese “55”, shkrimtari Sabri Godo jep mendimin e tij mbi luftën dhe forcat që morën pjesë në të, qofshin ato të Frontit nacionalçlirimtar apo të Ballit Kombëtar. Në një intervistë Godo rrëfen për romanin, atë të dikurshmin dhe ribotimin, luftën, pse ishte e drejtë dhe ç’pati të gabuar. “Për një gjë jam i sigurt, që kësaj here kam thënë të vërtetën”, thotë ai.
Pritet të ribotohet romani juaj “Prova e zjarrit”, të cilin e keni botuar për herë të parë në vitin 1977, ç’ka më shumë ky variant nga ai i pari?
Lufta është një eksperiencë e veçantë në jetën e njeriut dhe kujtimet e saj të ndjekin gjatë tërë jetës. Unë fillova ta shkruaja këtë libër, pasi isha njohur si shkrimtar. Kisha botuar romanin “Ali Pashë Tepelena” dhe ndonjë vepër tjetër dhe ndieja nevojën për të treguar atë që kisha jetuar. Atëherë ishte shumë e rrezikshme të merreshe me temën e luftës apo të aktualitetit, kështu që tregova kujdes të madh. I bëra vetes një censurë të madhe, për të mos thënë gjëra që mund të më komprometonin. Më tej vijoi censura e botuesit, i cili nga ana e vet bëri korrigjime.
Unë e di se atëherë kam lënë shumë gjëra pa thënë, ose nuk i kam interpretuar saktë, sepse doja të isha “brenda”, doja të botoja librin, por gjithashtu të dilja shëndoshë e mirë nga ajo aventurë. Para dy viteve, dikush ma shtyu në mendje ta ribotoj këtë libër. Punova gjatë mbi të, ndoshta 18 muaj dhe mund të them që e kam shkruar sërish nga kreu në fund. Për një gjë jam i sigurt, që kësaj here kam thënë të vërtetën.
Cila është e vërteta juaj mbi Luftën Nacionalçlirimtare?
Unë kam qenë pjesëmarrës në luftë për gati dy vjet dhe për mua është një periudhë e madhe në historinë e popullit tonë. I bëri shërbime të mëdha vendit. Kam bindjen se nëse Shqipëria nuk do të ishte rreshtuar në Aleancën e madhe Antifashiste, por të kishte qëndruar neutrale, do të konsiderohej një vend kolaboracionist. Ne ishim shpallur pjesë e perandorisë italiane, ndërsa ishim të akuzuar edhe për bashkëpunim në luftën italo-greke. Të gjithë këto do të kishin çuar me siguri në copëtimin e vendit nga fqinjët. Lufta mbarte me vete në mënyrë të padukshme farën e së keqes, që do vinte më pas dhe do të dilte sheshit, kur komunizmi do të merrte pushtetin në Shqipëri. Kjo farë u kultivua në kohën e luftës, u bë një parapërgatitje e asaj që do të vinte. Këtë e dinin ata që udhëhiqnin, por jo partizanët e thjeshtë, me mijëra vetë që dhanë jetën për të luftuar okupatorin e huaj. Ngul këmbë, që i kam shkruar gjërat ashtu si i kam parë dhe jetuar. Nuk është një kronikë, por një roman, ku ka fushë të lirë letërsia e mirëfilltë, por gjithsesi është mendimi im mbi luftën, për ata që kanë qenë bashkëluftëtarët e mi.
Cili është mendimi juaj mbi raportet mes Frontit Nacionalçlirimtar dhe Ballit Kombëtar?
I dëgjoj buzagaz ata që ngrihen dhe mbrojnë me këmbëngulje Ballin Kombëtar. Pjesa më e madhe e tij ka qenë kolaboracionist, ka luftuar krah për krah me italianët dhe më pas me gjermanët kundër lëvizjet nacionalçlirimtare. Por nuk mund të jem kurrsesi dakord me ata që mbrojnë luftën me fanatizëm, duke thënë që gjithçka ka qenë e pastër, e ndershme dhe e mirë. Janë bërë krime të përbindshme nga brigadat dhe repartet partizane. Janë dënuar dhe pushkatuar njerëz pa gjyq dhe në disa raste edhe të pafajshëm, familjet e të cilëve kanë vuajtur 45 vjet të regjimit komunist. Kështu që të dyja anët të ulen e të mendojnë si ka qenë e vërteta. Kjo nuk e ul madhështinë e luftës, përkundrazi. Sa më mirë ta njohin njerëzit, aq më tepër do të besojnë në të dhe do të kenë respekt për atë periudhë.
Sa e identifikoni veten me heroin e romanit?
Komandanti i kompanisë, ai që është boshti i librit, nuk jam unë. Është një figurë që pak a shumë e kam njohur dhe e kam bërë më të plotë me imagjinatën time. Në fund, libri mbyllet me një episod të vogël. Ky njeri, i cili ishte vërtet trimi i trimave dhe kishte bërë akte heroizmi, në fund fare, kur pushtohet fortesa e armikut, teksa mban një pushkë në dorë dhe sheh që buzë xhadesë lëviz një njeri, instinktivisht ngre pushkën ta marrë shenjë atë. Në atë moment i thotë vetes: “Si kam mundur të arrij në një gjendje të tillë, që të dua të asgjësoj çdo gjë të gjallë që lëviz rreth meje?!”. Lufta nuk është një gjë e mirë, por ka luftëra të domosdoshme.
Ju ka ndodhur edhe juve kjo?
Kjo pak a shumë ndodhte në ndërgjegjen dhe psikologjinë e kujtdo. Lufta të ndryshon, të ashpërson, pa e kuptuar, në ecje e sipër dhe pastaj duhet të ndodhë diçka që të ndërgjegjësohesh. E kam ndjerë vetë diçka të tillë. Më ka ndodhur dy orë përpara se të hynim në Prishtinë. Pashë një njeri buzë lumit, duke iu afruar brigadës dhe e mendova si shenjë. Kur shkruan një libër, do tregosh patjetër diçka nga vetja jote, por këtë do t’ia atribuosh dikujt.
Një ndër linjat e romanit është ai i dashurisë dhe trajtimin e saj si “krim” gjatë luftës....
Kjo zë një vend të veçantë dhe nuk mund të mohohet. Pjesëmarrësit në luftë ishin të një moshe fare të re, madje në një moshë fëmijërore, siç isha unë, por edhe ai më i “vjetri” mund të ishte 25 vjeç dhe në një kohë, kur njeriut i zjenë gjaku, duke ndenjur bashkë partizanë e partizane, doemos tundimi ishte shumë i madh. Mbi këtë u vunë rregulla të forta dhe mund të pushkatoheshe për gjënë më të vogël. Këto kanë ndodhur dhe ishin pjesë e luftës. Por nuk jam marrë vetëm me linjën e luftës dhe përjetimet sentimentale të rinisë. Jam përpjekur të rikthehem mbrapa në kohë, në kohën e regjimit të Zogut, të pushtimit fashist, që më kanë shërbyer mua si sfond për të shpjeguar atë që po ndodhte aktualisht. Çdo gjë e kishte një shkak. Duhet të jepja medoemos në libër copëza nga e kaluara, për ta bërë personazhin më të përsosur. Libri ka disa linja dhe nëse do tërheqë vëmendjen e lexuesit, do hapë diskutime.
Meqë jemi tek diskutimet... Shpesh ngrihen valë debatesh mbi rëndësinë e Luftës Antifashiste, i keni ndjekur, ç’mendoni për to?
Ka një lloj çoroditjeje. Secili thotë të vetën sipas bindjes paraprake që ka dhe kjo nuk i shërben as edukimit tonë patriotik, as historisë, pra nuk i shërben njerëzve. Unë shoh një mungesë të madhe sot për sot në fushën e historiografisë. Çdo popull i jep një farë kohe vetes për të krijuar një mendim mbi një ngjarje të madhe siç është lufta, çka qenë ajo. Kanë kaluar 20 vjet dhe nuk shoh të jetë shkruar diçka e saktë. Ka vetëm interpretime. Deri tani ka vetëm debate të kota mbi datat 28 dhe 29 Nëntorit, ndërsa historianët ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre të dokumentuar, se ç’ka qenë kjo luftë. Them me këtë libër po jap kontributin tim me sa mundem dhe mbetem me shpresë që të tjerë njerëz të flasin për luftën. Mbetem me shpresë që të dalin në ballë historianët. Sikur të pyesësh sot një të ri se çka qenë lufta, jam i bindur se nuk është në gjendje të japë një përgjigje, sepse në shkolla mungojnë tekstet e sakta. Ne nuk mund të rrimë heshtur dhe të kufizohemi aty-këtu me ndonjë deklaratë politike, apo me debate të individëve që janë më të shumtën e rasteve tepër subjektive. Njerëzit kanë nevojë për një gjykim më të plotë dhe të paanë të kësaj ngjarjeje të madhe. Them se do të vijë koha që të merren me këtë çështje, si historianët dhe shkrimtarët. Duke marrë parasysh mendimet pro dhe kundër, më në fund të themi diçka mbi këtë luftë.
Mes debateve të shumta ka qarkulluar edhe një tezë, sipas së cilës Shqipëria ishte thjesht një rrugë kalimi për ushtritë gjermane dhe LANÇ ishte e kotë...
Nuk jam kurrsesi dakord me këtë. Është e vërtetë që gjermanët propozuan të kalonin e ndalonin në vendet që donin ata dhe nëse i trazonim, nëse ne vrisnim një njeri, ata do të vrisnin 10, apo 100. Diku e bënë këtë, si në Borovë. Por nëse nuk do të kishim marrë këtë qëndrim, nëse nuk do të ishim impenjuar në luftë, do të dilnim në pozitat e një vendi kolaboracionist. Nga e gjithë bota kërkohej që secili të kontribuonte në mposhtjen e kësaj të keqeje të madhe që lindi papritur. Ndërmjet komunizmit nga njëra anë dhe kapitalizmit nga ana tjetër, lindi fashizmi në mes dhe dukej si një gjë aksidentale, po që u rrit dhe mori një vrull të atillë që kërcënoi mbarë botën. Qëllimi i shteteve të lira ishte një i vetëm, të mposhtej sa më parë ky rrezik kërcënonjës. Nëse ne do kishim ndenjur vëzhgues, nuk do të mund t’i shpëtonim gjyqit të pas luftës. Të pranoje që gjermani të kalonte dhe ne të mos vriteshim, do të thoshte të bëheshe bashkëpunëtor me të, t’i lehtësoje punën. Nuk e di se ku mbështeten ata që mbrojnë këtë tezë, sepse kjo nuk qëndron as si filozofi dhe as si moral njerëzor. Mbaj mend që në kohën e luftës ishte përhapur kjo ide e përgjithshme, që ne të mblidhnim forcat dhe t’i ruanim për ditën e çlirimit dhe të mos futeshim në luftë me këto fuqi të mëdha që do të na vrisnin, plaçkitnin. Ky ishte tamam një qëndrim prej kolaboracionisti. Me të drejtë është dënuar atëherë, por duhet dënuar edhe sot. Duke qenë pjesëmarrës në luftë, prapë se prapë u bë një tentativë për të na copëtuar. Në konferencën e paqes, grekët i propozuan Jugosllavisë copëtimin e Shqipërisë. Sikur të kishte ndodhur që të ishim në një farë mënyre, qoftë edhe asnjanës me okupatorin, do ta kishim pësuar keq.
Ju kishte shkuar ndër mend diçka e tillë, vite të shkuara, kur dolët partizan?
Atëherë nuk dija gjë fare, më tej mësova diçka. Unë dola partizan përfundimisht në 15 korrik të vitit 1943 dhe atëherë doja dhe një muaj që të hyja në të 15-at. Në atë kohë nuk e dija ç’ishte lufta, ç’ishte rreziku, më tej nisi të më futej frika. Në fillim, si çdo fëmijë që i futet një aventure, nuk e dija që plumbi të vret. Ndodhi që u shkëputa nga rrethi im familjar, që kishte dalë gjithashtu partizan. Hyra në një batalion tepelenas dhe mbeta tërësisht i shkëputur nga njerëzit e mi, me të cilët u takova vetëm pas 22 muajsh, kur u kthyem nga Kosova e Mali i Zi. Mund të them që kam bërë një jetë partizani të vërtetë.
Keni qenë shumë afër vdekjes...
Kam parë njerëz të vdesin në krahun tim, kam parë armiq e shokë të vrarë. Në luftë nuk ka si bëhet ndryshe. Por mua më vinte zor, kur lufta jonë, tentohej më parë të fryhej jashtë çdo realiteti. Nuk është e vërtetë që 28 mijë dëshmorë dhanë jetën dhe mposhtëm aq e kaq divizione gjermane. Këto ishin përralla, me të cilat ushqeheshin ata që pretendonin se kishin udhëhequr këtë luftë. Ishte si puna e tregimeve të gjuetarëve se sa arinj dhe ujq kanë vrarë. Në atë nivel ra kjo lloj historie. Nga kjo duhet të zhvishemi. Ka patur heroizëm në kohën e luftës. Shumica e partizanëve ishin të rinj, u ziente gjaku, nuk kishte ç’t’i mbante. Por janë bërë edhe gabime trashanike. Janë çuar në përpjekje reparte partizane, të papërgatituar dhe kanë dalë prej andej me dëme të mëdha dhe këto nuk i ka thënë kush. Por luftë ka qenë. Këta kanë qenë njerëzit. Ndodhte që një bari, që mund të dinte të përdorte armën, por nuk dinte asgjë për luftën, e shikonte veten komandant batalioni. Si mund të kërkoje prej tij që të bënte të vepronte si një oficer i shkolluar për luftë. Mbaj mend në batalionin ku isha unë, brenda 5 orëve u vranë 23 vetë. Nga 230 vetë që kishte batalioni, në çdo dhjetë veta u vra një njeri, pa llogaritur të plagosurit. Në një përpjekje që nuk u fitua. Lufta është mbuluar vetëm me heroizëm, me letërsinë e realizimit socialist, pa lejuar të thuhet asgjë. Herën e parë që guxova të shkruaja diçka, më hoqën të drejtën e të shkruarit për 10 vjet dhe më çuan në një uzinë të riedukohesha. Kështu që ata që nuk kanë shkruar të vërtetën mbi luftën nuk kanë ndonjë faj, sepse duhej të këndoje një këngë tërësisht tjetër.
Përkufizimi i luftës
“Unë tani jam në një moshë të atillë që mund t’i gjykoj gjërat më me qetësi dhe nuk kam se si të mos arrij në përfundimin që lufta është një gjë e keqe, që deformon natyrën e njeriut. Pavarësisht nga kjo, duhet pranuar fakti që ka luftëra të domosdoshme në historinë e një populli. Kur dikush ndërhyn nga jashtë arbitrarisht të cenojë jetën tënde, atëherë do të vihesh në mbrojtje. Nëse dikush hyn në shtëpinë tënde dhe prek vatrën, nëse do të jesh njeri i lirë do të ngrihesh e të kundërshtosh me të gjitha mjetet. Kështu që Lufta Nacionalçlirimtare ishte e drejtë, por mendimi im anon në përfundimin, që lufta është një fatkeqësi”.
Nga letërsia në politikë
Ishte 14 vjeç kur doli partizan e mori pjesë në Luftën Antifashiste nga 15 korriku i vitit 1943 deri në maj 1945, kohë kur u kthye nga ish-Jugosllavia. Ka patur veprimtari të dendur në publicistikë, veçanërisht në revistën “Hosteni”, ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike me pseudonime. Në janar të vitit 1991, Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet. Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme. Ka shkruar disa romane e përmbledhje me tregime, si “Plaku i Butkës”, “Ali Pashë Tepelena”, “Zëra nga burime të nxehta”, “Intendenti”, “Skënderbeu”, “Prova e zjarrit”, “Kohët që shkojnë, kohët që vijnë”, “Ujërat e qeta”, “Koha e njeriut”.
E vërteta pas 32 vitesh
Kur doli në vitin 1977 romani nuk bëri ndonjë bujë. Kritika zyrtare e kaloi në heshtje, ndërsa miqtë e shkrimtarit, apo lexuesit e thjeshtë thanë se libri ishte interesant. Ndërsa pret ribotimin e romanit prej afro 400 faqesh, Sabri Godo rrëfehet se atëherë nuk mundi të thoshte të vërtetën. Censura dhe autocensura ishin tepër të forta. Ndërsa sot premton se do t’i sjellë lexuesit vetëm të vërtetën, ashtu si ai e ka jetuar vite të shkuara. Ndërsa ka thënë hapur qëndrimin e tij për Luftën nacionalçlirimtarët, partizanët dhe ballistët, ai e di se nuk do të mungojnë dhe debatet, por kur e pyet se cila palë do të ndihet më e “prekur”, ai thotë se “nëse lexuesit do të jenë njerëz që pranojnë realitetin e gjërave dhe dinë të lexojnë psikologjinë e tjetrit, atëherë kam garancinë se do të kem kundërshtar të paktë. Nëse këtë libër do ta marrë në duar një lexues pa kulturën e të lexuarit, mund të më pyesë: Po ti ç’do të thuash me këtë libër?! Por unë them ballëhapët që i kam lënë fushë të lirë lexuesit”.
Trojanet moderne sipas italianëve
SARANDE: Festivali Ndërkombëtar i Teatrit “Butrinti 2000” u hap me shfaqjen e trupës italiane, e cila ngjiti në skenën antike tragjedinë “Pasioni i grave trojane”. Artistët italianë nga Leçe sollën një version krejt të veçantë të tragjedisë “Trojanet” nga Euripidi, në regjinë e Antonio Pizzicato dhe Salvatore Tramacere. Ndryshe nga teatrot klasike që kanë sjellë në skenë veprën e plotë me shumë aktorë, regjisori i “Kantieri Teatral Koreja”, solli në një variant tepër origjinal një vepër, e cila dallonte nga ndërthurja e lojës së aktorëve me korin e këngëve në sfond. Në skenë u ngjitën katër aktore, pesha e të cilave ishte e njëjtë, si edhe ai i Hekubës. Në këtë prizëm, pjesa ishte një risi dhe kapërcente kornizat e një tragjedie të dhënë me mijëra herë. Kjo edhe për faktin se ishte një kombinacion i shkëlqyer i traditës së lashtë me të renë, modernen dhe aktualitetin që jetojmë. Në diskutimin mes kritikëve të artit skenik, u evidentuan vlerat që solli shfaqja e aktorëve italianë. Maks Velo, pjesëmarrës në tërë edicionet që nga viti i parë i festivalit, në diskutimin e tij, nuk i kurseu vlerësimet për lojën e aktorëve dhe gjetjen origjinale të regjisorëve. “Në tragjedi ndihet dhimbja dhe solidariteti, ndihet lashtësia dhe e tashmja. Shfaqja ishte një ansambël, ku ndihej puna e mrekullishme e aktorëve dhe kori i këngëve që e shoqëronin gjatë tërë kohës”. Primo Shllaku, shkrimtar, e konsideroi shfaqjen një spektakël të pasur “që karakterizohej nga distilimi i barabartë i elementeve të shfaqjes, tragjedisë, elokuenca e lojës aktoriale, ku duket qartazi se mbi tragjedinë e luajtur nga italianët është hedhur edhe pak piper grek”. Regjisori Antonio Pizzicato, tregoi se ishte hera e parë që vinte në skenë një vepër nga antikiteti, ku qëllimi ishte aktualizimi i pabanalizuar. Mbrëmë u ngjit në skenë Teatri i Athinës me “Elektrën”, në gjininë e dancit, nën regjinë e Sofia Spiratu, ku interpretojnë tre artistë shqiptarë, njëri prej të cilëve në rolin e Orestit, vëllait të Elektrës, është balerini i njohur shqiptar, Daniel Zeka.
Shpresa Dine