E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Transportit: Projekti i zhvillimit të bregdetit të jugut do të vazhdojë

Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit  rikonfirmoi sot se projekti "Menaxhimi i integruar dhe pastrimi i zonës bregdetare" është një projekt i sukseshëm, i cili për herë të parë integron planet zhvillimore me investimet publike. "Deklarata e Bankës Botërore e bërë ditën e djeshme rikonfirmoi fjalën e ministrit që problemet me projektin janë probleme të brendshme të BB", deklaroi zëdhënësja e kësaj ministrie, Erla Mehilli. Sipas saj, deklarata e BB-së sqaron qartësisht se këto probleme kanë të bëjnë me përputhshmërinë, politikat dhe proçedurat e vetë Bankës Botërore që nga konceptimi i projektit në vitin 2004 dhe aspak me çështje të lidhura me qeverinë shqiptare, apo zyrën e koordinimit të projektit. Mehilli tha se ky projekt po mbështetet edhe me modernizimin e portit të Sarandës, rinovimin e rrjeteve të ujësjellës-kanalizimeve në Sarandë dhe Himarë, krijimin e një vend-depozitimi të mbetjeve urbane për bregdetin e Jonit, si dhe me mbi 12 projekte rruge dhe ujësjellës në çdo fshat të bregut të Jonit nga Orikumi në Nivicë, zona që kishin mbi 30 vjet pa asnjë investim publik.

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore mori një ditë më parë në shqyrtim Raportin e Ekipit të Menaxherëve dhe Planin e Veprimit në përgjigje të hetimit të pavarur të Panelit të Inspektimit për Projektin e Menaxhimit të Integruar dhe Pastrimit të Zonës Bregdetare. Sipas burimeve zyrtare të zyrës së BB-së në Tiranë, ky hetim u kërkua nga familjet e dëmtuara prej prishjeve të ndërtesave në prill 2007 në fshatin bredgetar Jal në Shqipëri. Raporti i Ekipit të Menaxherëve pranon gabimet serioze në përgatitjen dhe mbikëqyrjen e projektit, si dhe gabimet në komunikimin me Bordin e Bankës Botërore dhe paraqet një Plan-Veprimi për trajtimin e çështjeve të identifikuara nga Paneli. Sipas Planit të Veprimit, një sërë masash do të ndërmerren me mbeshtetjen e Bankës, përfshirë, një shqyrtim ligjor rast pas rasti të prishjeve në zonën e projektit në prill 2007, caktimin e një vëzhguesi ndërkombëtar për të monitoruar shqyrtimin ligjor dhe për të raportuar më pas në Bankë, si dhe pagesën e ndihmës ligjore për shqyrtimin e secilit prej pretendimeve të kërkuesve. Ekipi i Menaxherëve të Bankës do të mbikëqyrë dhe përfundimin e një vlerësimi social dhe të vulnerabilitetit dhe aplikimin retroaktiv të paketave të asistencës që rrjedhin prej këtij vlerësimi për të varfrit dhe të prekurit nga prishjet. Ekipi i Menaxherëve do t’i raportojë Bordit për progresin mbas tre muajsh.

Sipas burimeve zyrtare të BB-re, ekipi i Menaxherëve pranon një sërë gabimesh të bëra gjatë gjithë ciklit të projektit, përfshirë përgatitjen e projektit, paraqitjen e tij në Bord dhe mbikëqyrjen, përgatitjen e përgjigjes së parë të ekipit të menaxherëve në shtator  2007 dhe lëshimin e një korrektimi të dokumentit të vlerësimit të projektit në shtator 2008. Në deklaratën e BB-re thuhet se "ndryshe nga sa thuhet në disa artikuj të medias, asnjë nga zyrtarët e qeverisë, anëtarë të Njësisë së Koordinimit të Projektit, ose staf i Bankës nuk është nën hetim nga INT-ja për korrupsion".

Në fillim të vitit 2004, Qeveria e Shqipërisë kërkoi mbështetjen e Bankës Botërore për krijimin e një kuadri që do t’i mundësonte vendit zhvillimin e bregdetit në mënyrë të qëndrueshme. Në përgjigje të saj, Banka Botërore punoi me autoritetet shqiptare për të përgatitur një Projekt për Menaxhimin e Integruar dhe Pastrimin e Zonës Bregdetare (ICZMBP), i cili synon mbrojtjen e burimeve bregdetare dhe kulturore përmes promovimit të përdorimit të qendrueshëm të tokës, pjesëmarrjes së komunitetit dhe përmirësimit të kushteve mjedisore. Projekti u miratua në 21 qershor 2005.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›