E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga aksidenti tragjik, tek aksioni për të shpëtuar jetë njerëzish

22-05-2012 / Gazeta 55

-- Pranë Himarës, bie autobusi me studentë nga Elbasani. 13 viktima dhe 22 të plagosur. Nishani – Burgaj, Vasili dhe Tafaj në vendngjarje


-- Shqipëria në zi


Shteti në këmbë - në 2 orë evakuohen të gjithë të plagosurit. Me dhjetëra ambulanca, të pajisur me dhjetëra mjekë dhe qindra infermierë, helikopterë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe qindra forca policie dhe të RENEA-s drejtuan një aksion jetëshpëtues, në një zonë shumë të vështirë

Shqipëria mban frymën. Pasditja e djeshme ka qenë tragjike jo vetëm për familjarët e studentëve të “Aleksandër Xhuvanit”, të qytetit të Elbasanit ku 12 të rinj studentë kanë humbur jetën dhe 22 të tjerë janë plagosur rëndë por dhe për gjithë shqiptarët. Lot dhe dhimbje thuajse në çdo familje shqiptare është përçuar dje pas raportimit të lajmit të kobshëm të ndodhur kur të rinj në lulen e rinisë u ndanë nga kjo jetë në mënyrë aksidentale. Përkundër dhimbjes solidarizimi në ndihmë të të plagosurve ka qenë maksimal. Me dhjetëra ambulanca të pajisur me mjekë dhe infermierë, helikopterë të MSH dhe MM, qindra forca policie, RENEAS, drejtues të autoriteteve lokale, qytetarë
Ngjarja
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16.15’ të ditës së djeshme kur një autobus me studentë nga Elbasani ka rënë nga rreth 100 metra lartësi në vendin e quajtur Qafa e Vishës 1 km në veri të Himarës. Autobusi me studente vajza të Gjuhë Letërsisë së Universitetit “Aleksandër Xhuvani” është nisur para tre ditësh në Sarandë për një ekspeditë mësimore. Sipas të dhënave konfirmohen 13 viktima, ndërsa janë nxjerrë nga autobusi 22 të plagosur. Ndërkohë që është konfirmuar se ka vdekur edhe drejtuesi i mjetit Pëllumb Çela. Menjëherë, drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, të Repartit Delta Force dhe të Njësisë Rajonale të Policisë Rrugore për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për të menaxhuar situatën. Duke vlerësuar ngjarjen e ndodhur, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është ngritur grupi i punës për menaxhimin e situatës. Drejt vendngjarjes është nisur gjithashtu dhe Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ndërkohë për të transportuar të dëmtuarit drejt vendngjarjes janë dërguar helikopterë të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes. Po ashtu janë nisur dhe forcat speciale RENEA, si dhe forcat speciale të Ministrisë së Mbrojtjes. Në vendngjarje janë dërguar dhe ambulancat e Vlorës, Himarës, Sarandës, si dhe janë krijuar grupe të posaçme me ekipe mjekësh, ndërkohë që ambientet spitalore janë vënë në gatishmëri të plotë. Policia rrugore ka punuar për mbajtjen hapur të akseve rrugore për dhënien e ndihmës së shpejtë. Në vendin e ngjarjes nga strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunohet dhe me strukturat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe me strukturat e shëndetësisë. Një ndihmë të madhe kanë dhënë dhe banorët e zonës. Në harkun e një kohe rekord janë nxjerrë nga automjeti të dëmtuarit dhe janë transportuar drejt ambienteve spitalore 33 studentë. Nga të dhënat rezultojnë 12 të vdekur dhe 22 të plagosur. Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e nevojshme të dëmtuarve nga kjo ngjarje dhe transportimin e tyre drejt ambienteve spitalore, si dhe për përcaktimin e shkaqeve që çuan në këtë aksident të rëndë. Për këtë qëllim është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën kryesimin e Prokurorisë së Përgjithshme, në përbërje të të cilit janë ekspertë kriminalistë, të policisë rrugore, si dhe të Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Vlorë.


Ndihma në kohë rekord, Nishani, Vasili dhe Tafaj në vendngjarje
Ministri i Brendshëm Bujar Nishani i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj si dhe ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili por kreu i MASH Tafaj, dhe kanë qenë dje në vendin e ngjarjes për të qenë sa më pranë dhe iu ardhur në ndihmë evakuimin në kohë rekord drejt spitaleve për të marrë ndihmën mjekësore. Ministri Nishani konfirmon se në autobus kanë qenë 33 persona ndërsa kanë humbur jetën 13 persona, ndërkaq personat e tjerë të plagosur rëndë, janë dërguar në Tiranë. Sipas ministrit të Brendshëm aksidenti ka ndodhur në një terren mjaft të vështirë Sipas drejtorit të përgjithshëm të policisë së Shtetit Hysni Burgaj janë ende të paqarta rrethanat e aksidentit, ndërsa mendohet si pistë hetimi edhe një atak i mundshëm kardiak i drejtuesit të mjetit. “Reagimi i Policisë dhe banorëve të zonës ka qenë shumë i shpejtë dhe dua të falënderoj banorët” - tha Burgaj për gatishmërinë e treguar, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur ngjarjen dhe për të shpëtuar jetën e të plagosurve. Edhe drejtori i Spitalit te Vlorës, Shkëlqim Selami, pohon se pas aksidentit te ndodhur, ne drejtim te vendngjarjes janë nisur  autoambulancat me te gjithë personelin përkatës. Ai tha se janë bere te gjitha përgatitjet për te pritur e për t’u ardhur ne ndihme te dëmtuarve nga kjo ngjarje. Selami konfirmoi se është punuar me qendrën shëndetësore te Himarës, qe është pika shëndetësore me e afërt për t’u ardhur ne ndihme te dëmtuarve, ndërkohe qe ne varësi te situatës është planifikuar edhe ndihma e mëtejshme mjekësore. Ndërkohë dhe burime nga Ministria e Shëndetësisë thanë se strukturat shëndetësore janë vënë në gatishmëri për ngjarjen e ndodhur në Qafën e Vishës. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se në vendngjarje është dërguar një helikopter i shëndetësisë, ndërkohë që një tjetër është nisur drejt vendngjarjes, për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Njëkohësisht, ekipet mjekësore janë nisur me autoambulanca nga spitalet e Vlorës dhe Sarandës, që janë vënë në gatishmëri të plotë për ngjarjen. Edhe Saimir Ivziku, drejtori i Qendrës Spitalore "Nënë Tereza" në Tiranë deklaroi në media se, kjo qendër është në gatishmëri të plotë për çdo rast nevoje që do të paraqitet, pas aksidentit të rëndë që ndodhi pasditen e sotme afër Himarës. Ndërkohë, në gatishmëri të plotë është edhe personeli i  QSUT-së për shpëtimin e jetëve të të aksidentuarve. Drejtori i Spitalit Ushtarak të Tiranës, Bedri Mihaj deklaroi para pak minutash se një prej studenteve ka mbërritur e vdekur në Spitalin Ushtarak pa pasur mundësinë t’i jepet ndihma. “Mjekët janë të specializuar, të qendrës sonë të traumës. Atyre po u bëhet gjithë shërbimi i nevojshëm që të dalin nga situata e shokut që kanë kaluar dhe ne po precizojmë ekzakt gjithë dëmtimet dhe nevojat që kanë. Pjesa e konsiderueshme ka nisur trajtimin reanimator dhe ekipet e mjekëve janë në kokë të tyre. Deri më tani ka vdekur vetëm një vajzë e cila erdhi e vdekur dhe nuk na dha mundësinë për ta ndihmuar. Deri më tani janë dy në gjendje të rëndë dhe shpresoj që ta kalojnë, lutemi të mbeten në jetë. Deri tani kanë ardhur 11 vetë dhe presim të vijnë edhe katër të tjerë”- u shpreh drejtori i Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj. Sipas Besim Ymajt, drejtorit i Institutit të mjekësisë ligjore një eksperti i mjekësisë ligjore në Himarë dhe një drejt spitalit të Vlorës të cilët janë në dispozicion të grupit hetimor për të zbardhur ngjarjen. Ai tha se duhen disa për të pasur një përgjigje për shkaqet e aksidentit.


Reagimet/Topalli: Zoti u dhëntë forcë familjeve. Olldashi: Aksidenti jo për kushtet e rrugës

Ngjarja e rëndë ndodhur dje ka bërë që, jo vetëm drejtuesit e shtetit të reagojnë në mënyrë të menjëhershme duke vënë në lëvizje çdo mjet për të iu ardhur në ndihmë të aksidentuarve si dhe evakuojnë viktimat, por pas njoftimit të tragjedisë ndodhur në Himarë, në të cilin kanë humbur jetën disa studentët, si dhe u plagosën disa të tjerë kryeministri Berisha ka kërkuar të bëhet çdo gjë për të iu ardhur në ndihmë të plagosurve.


Reagimi i Kryeministrit Berisha
Kryeministri Berisha, ndodhej në Samitin e NATO-s në Çikago, dhe ka qenë gjatë gjithë kohë dje në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përgjegjëse në Tiranë, për operacionin e ndihmës emergjente ndaj të aksidentuarve, për të cilët ka kërkuar të bëhet çdo gjë, për të shpëtuar jetën e tyre. Kryeministri ndërkohë shprehu dhimbjen dhe pikëllimin e tij më të thellë, për viktimat dhe ndan zinë dhe u shprehu ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave. Kryeministri Berisha është informuar në vijimësi gjatë gjithë kohë për operacionet e ndihmës ndaj të aksidentuarve në Himarë. Kryeministri Berisha është njoftua nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare se Forcat e Armatosura kanë nisur helikopterë me forca speciale dhe një tjetër me forcat RENEA-s drejt vendit të ngjarjes. Ndërkaq janë nisur trupa dhe mjete nga Pashalimani, Bunavia, Komanda e Mbrojtjes Rajonale (KMR) Gjirokastër dhe Palermo. Gjithashtu, Spitali Ushtarak është vendosur në gjendje të plotë gatishmërie. Ndërsa po ndiqet situata për të dhënë të gjithë asistencën që nevojitet, duke vënë në dispozicion kapacitetet që disponon ushtria shqiptare. Ndërkohë janë ngritur tre helikopterë të forcat speciale të RENEA-s dhe të njësisë së personaliteteve të Ministrisë së Brendshme. Kryeministri Berisha porosit ministrin e Shëndetësisë të bëhet çdo gjë për t’ju garantuar të plagosurve ndihmën më të kualifikuar. Kryeministri ka porositur ministrin e Shëndetësisë Petrit Vasili të bëhet çdo gjë për të ju garantuar të plagosurve ndihmën më të kualifikuar në qendrat shëndetësore më të mira brenda vendit dhe jashtë tij, ku të jetë e nevojshme. Po dje me kërkesë të kryeministrit Sali Berisha, Këshilli i Ministrave shpalli datën 22 maj, ditën e sotme, ditë zie kombëtare. Me kërkesë të Kryeministrit Sali Berisha, Këshilli i Ministrave, për të nderuar kujtimin e viktimave të aksidentit tragjik të Himarës, në të cilin humbën jetën 12 studente në lulen e rinisë së tyre, vendosi të shpallë datën 22 maj, ditën e martë, ditë zie kombëtare. Kryeministri, në emrin e tij personal, të familjes së tij dhe të qeverisë shqiptare u shpreh familjeve të viktimave të këtij aksidenti, që ka sjellë dhimbje e pikëllim të thellë në çdo vatër dhe zemër shqiptare, ngushëllimet më të thella, solidaritetin më njerëzor. Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë dhe në orën 12.00 të mbahet një minutë heshtje. Radio-Televizioni Publik Shqiptar gjatë ditës të transmetojë muzikë funebre. Ngarkohet Ministria e Brendshme të përballojë shpenzimet e varrimit të viktimave. Për të qenë i pranishëm në ditën e zisë dhe për të ndarë dhimbjen dhe zinë me familjet e viktimave dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë, kryeministri ka bërë çdo përpjekje për t’u nisur menjëherë në Tiranë dhe një gjë të tillë e ka mundësuar mbrëmjen e djeshme.  

Flasin Topalli, Olldashi, PDIU
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shprehu dhimbjen e thellë për pasojat e aksidentit tragjik ku humbën jetën 13 studentë dhe 22 të tjera u plagosën. “Në këto momente tronditjeje, ngushëllimet dhe ndjenjat më të sinqerta të solidaritetit njerëzor shkojnë pranë të afërmve, familjarëve të viktimave të kësaj fatkeqësie, me lutjen që Zoti t’u japë forcë të përballojnë dhimbjen e që shpirtrat e tyre të prehen në paqe”- thuhet në mesazhin e Topallit. Kryetarja e Kuvendit shpreh gjithashtu mirënjohjen për personelin e shërbimit mjekësor, forcat e policisë e të ushtrisë, pushtetit lokal dhe banorëve të zonës, për ndihmën e menjëhershme, të pakursyer dhënë të plagosurve, për të cilët po bëhet e pamundura që të kenë shërim sa më të shpejtë. Kryetarja e Kuvendit shpreh mirënjohjen për të gjithë qytetarët që në solidarizim me këtë dhimbje të pa përmasë po dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë. Ministri i Transporteve Sokol Olldashi si përfaqësues i Qeverisë deklaroi se shkaqet e aksidentit nuk kanë të bëjnë me kushtet e rrugës pasi është një rrugë e rikonstruktuar dhe as ndonjë pengesë e papritur para autobusit. “Dyshohet për humbje vëmendje, apo gjendja shëndetësore e shoferit. Ka pasur mobilizim total të gjithë strukturave, ekipi spitalor është mobilizuara. Dy mjek dhe dy infermier po rrinë mbi kokën e të lënduarve, do bëhet e pamundura për të shpëtuar jetët e atyre vajzave. Si përfaqësues i Qeverisë garantoj se do bëjmë gjithçka për të bërë koordinimin për të dhënë ndihmesë, me të rinjtë e FRPD po përgatisim një grup për të dhuruar gjak, por fatmirësisht është siguruar gjaku për të plagosurit”, u shpreh Olldashi. Ai kërkoi nga përfaqësuesit e medias që të tregohet kujdes me emrat që raportohen duke mos hapur panik, ndërsa shtoi se Ministria e Brendshme është angazhuar për të bërë verifikimin përfundimtar të të plagosurave dhe të viktimave. Ministri Olldashi theksoi se ka informacion të pjesshëm për këtë ngjarje, por se fjala e fundit do jepet nga ekspertët. Ka reaguar dhe PDIU ku në deklaratën për shtyp thuhet se: “Në këto momente të vështira për çdo qytetar shqiptar, jemi të gjithë të bashkuar me dhimbjen e familjarëve të fëmijëve që humbën jetën dhe të atyre që po luftojnë për të shpëtuar. Humbja e të studentëve është një tragjedi mbarëkombëtare, që ka prekur zemrat e të gjithë shqiptarëve. Në këto moment të vështira, PDIU shpreh pikëllimin e thellë dhe ndan dhimbjen me familjet e studentëve, pedagogëve dhe të gjithë bashkëkombësit, që po shohin të tronditur këtë tragjedi, duke lutur Zotin për shpirtrat e të humburve padrejtësisht dhe për shpëtimin e të gjithë të tjerëve”.


Ilir Meta: LSI, solidaritet dhe kontribut në të gjitha drejtimet
Pas aksidentit tragjik të ndodhur në Himarë ku një autobus me studentë nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan u rrëzua, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, dhe Nënkryetari i Kuvendit, Vangjel Tavo, vizituan  Spitalin Ushtarak në Tiranë. Së bashku me përfaqësuesit e LSI ishin edhe 50 studentë të Lëvizjes Rinore për Integrim të cilët dhuruan gjak për të plagosurit e mbërritur në Spitalin Ushtarak. Në një prononcim për mediat z. Meta shprehu solidaritetin dhe kontributin e LSI-së në të gjitha drejtimet. Sipas kjo është një ngjarje e cila nuk mund të pranohet nga logjika, por është një fakt që duhet përballuar me kurajë, me solidaritet, duke qenë pranë të gjithë familjarëve dhe pranë të gjithë të lënduarit të këtij aksidenti tragjik, por njëkohësisht duke reflektuar më pas  sepse tashmë është një fakt që aksidentet po marrin jetën e shumë qytetarëve dhe natyrisht që është e domosdoshme që të shtohet akoma më tej vëmendja dhe prioriteti për minimizimin dhe për parandalimin e tyre sepse janë ngjarje të cilat jo vetëm marrin jetën e qytetarëve por janë ngjarje që tronditin të gjithë shoqërinë. “Së bashku me shumë kolegë të tjerë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe me shumë të rinj dhe të reja të Lëvizjen Rinore për Integrim. Ne jemi këtu për të shprehur  solidaritetin dhe kontributin tonë në të gjitha drejtimit. Në radhë të parë për familjarët e viktimave të këtij aksidenti të tmerrshëm, por edhe për familjarët e të gjithë të lënduarve në këtë aksident. Jemi këtu për të kontribuar që nga dhurimi i gjakut dhe me gjithçka tjetër që mundemi, të vlerësojmë këtë solidaritet të jashtëzakonshëm njerëzor, këtë angazhim dhe këtë përgatitje të shkëlqyer të ekipit këtu në Spitalin Ushtarak, por edhe të gjithë strukturave të shëndetësisë edhe në Vlorë dhe në Sarandë. Unë kam komunikuar edhe me ministrin e Shëndetësisë, i cili tani ndodhet në Vlorë. Kjo është një ngjarje shumë e rëndë. Është një ngjarje e cila nuk mund të pranohet nga logjika, por është një fakt që duhet përballuar me kurajë, me solidaritet, duke qenë pranë të gjithë familjarëve dhe pranë të gjithë të lënduarit të këtij aksidenti tragjik, por njëkohësisht duke reflektuar më pas  sepse tashmë është një fakt që aksidentet po marrin jetën e shumë qytetarëve dhe natyrisht që është e domosdoshme që të shtohet akoma më tej vëmendja dhe prioriteti për minimizimin dhe për parandalimin e tyre sepse janë ngjarje të cilat jo vetëm marrin jetën e qytetarëve por janë ngjarje që tronditin të gjithë shoqërinë”, tha ndër të tjera kryetari i LSI-së, Ilir Meta.


Ngushëllojnë Thaçi, Jahjaga dhe Hoxhaj
Për tragjedinë e ndodhur në Himarë kanë ardhur ngushëllimet dhe nga Kosova. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllon kryeministrin shqiptar Sali Berisha dhe familjarët e të aksidentuarve në tragjedinë e Himarës. Në telegramin e ngushëllimit shkruan se, “Lajmi për tragjedinë e rrokullisjes së autobusit me student, afër Himarës, ku humbën jetën 12 prej tyre, na tronditi të gjithëve. Vrulli i rinisë studentore, që po bëhej gati të bashkohej në përpjekjet për të zhvilluar vendin e tyre, u ndërpre nga një shmangie tragjike nga rruga e autobusit me të cilin po udhëtonin ata. Më lejoni që në këtë moment pikëllimi dhe dhimbjeje, të ju shpreh Juve, Qeverisë  së Shqipërisë dhe gjithë familjeve të studentëve që humbën jetën në këtë tragjedi, ngushëllimet e mija të sinqerta. Populli i Kosovës dhe qeveria e tij, ndiejnë dhembje dhe dëshirojnë të jenë pranë jush dhe familjeve që humbën më të dashurit e tyre në këtë tragjedi. Kjo dhimbje duhet të na forcojë kujtimin për ata që humbën jetën, dhe për idealet e tyre për lirinë dhe perspektivën për një  jetë më të mirë”- thuhet në telegramin e kryeministrit Hashim Thaçi. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, ka ngushëlluar familjet e viktimave, pas aksidentit të rëndë të trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë-Himarë, në të cilin humbën jetën dhe u plagosën një numër studentesh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit. “Me dhimbje të thellë morëm lajmin mbi vdekjen tragjike, si dhe plagosjen e studenteve të Universitetit “Aleksandër Xhuvani’ të Elbasanit, në aksidentin e trafikut që ndodhi në aksin rrugor Sarandë – Himarë. Pranoni ngushëllimet e sinqerta të qytetarëve, institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të miat personalisht, për humbjen tragjike të jetëve të studenteve”, thuhet ndër të tjera në telegramin e ngushëllimit të presidentes Jahjaga. “Në këto çaste të rënda për familjarët e viktimave dhe për tërë Republikën e Shqipërisë jemi pranë jush për të ndarë dhimbjen e madhe për këtë tragjedi. Zotëri President, ju shpreh solidaritetin e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe ju ofrojmë përkrahjen e plotë”, thuhet në telegram.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›