E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Transportit konteston shifrat e MEM-it për autostradën

Prishtinë, 1 shtator - Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Transportit kanë deklaruar të martën se ministri Fatmir Limaj asnjëherë nuk ka deklaruar se autostrada do të kushtojë rreth 700 milionë euro. Ata nuk kanë pranuar as çmimin e parallogaritur për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdar, vlera financiare e së cilës sipas parashikimeve buxhetore të Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave do të sillet rreth 1 miliard euro. Në një raport të dërguar tek Komisioni Evropian, ministri i Ekonomisë dhe  i Financave, Ahmet Shala, kishte vlerësuar se kostoja e autostradës do të sillej rreth 973 milionë euro, shkruan sot gazeta Koha Ditore.
Endrit Shala, shef i kabinetit të ministrit të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, ka thënë për gazetën të martën se ndarja e kontratës në segmente për ndërtimin e autostradës nuk do të lejojë që të rriten shifrat financiare të cilat llogaritet të investohen në autostradë. Ai ka mohuar që ministri Limaj të ketë deklaruar ndonjëherë se kostoja e autostradës do të sillet rreth 700 milionë euro.
“Në bazë të kontratës me ‘Bechtel-Enkan’ nuk ka mundësi që projekti të tejkalojë vlerat ashtu siç ua merr mendja juve, pasi që ndërtimi shkon seksion pas seksioni”, ka theksuar Shala. “Në bazë të projektit përcaktohet çmimi i përafërt. Kur ta përurojmë tregojmë se sa do të kushtojë autostrada”, ka thënë Shala, duke shtuar se ndërtimet në segmentin e parë janë duke shkuar sipas parashikimeve të bëra dhe se nuk ka shenja të kapërcimit të kostos së paraparë. “Nuk mundemi ne të dimë se sa do të kushtojë autostrada”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, nga Ministria e Ekonomisë dhe  r Financave është thënë se nuk llogaritet të tejkalohet vlera prej 1 miliard eurosh në ndërtimin e autostradës. Muharrem Shahini, zëdhënës i MEF-it, ka thënë se të gjitha vlerësimet flasin që kostoja e këtij projekti do të sillet rreth 700 milionë euro.
“Duke qenë të kujdesshëm në rast të ngritjes së kësaj kostoje dhe në të njëjtën kohë duke respektuar edhe rekomandimet e dhëna nga Banka Botërore, në projeksionet tona fiskale kemi përcaktuar shumën që sillet rreth 1 miliard euro, edhe pse kostoja nuk pritet të jetë në këtë nivel”, ka thënë Shahini.
Në raportin e dorëzuar tek Komisioni Evropian nga ministri i Ekonomisë dhe  i Financave, Ahmet Shala, kostoja e paraparë për ndërtim të autostradës dhe shpronësim të tokave përgjatë trasesë do të jetë mbi 973 milionë euro. Ndërtimi i trasesë së autostradës, e cila llogaritet se do t’i ketë më pak se 100 kilometra gjatësi, dhe gjerësi prej 28 metrash, është llogaritur të kushtojë rreth 883 milionë euro, ndërsa 90 milionë do të shpenzohen për shpronësime.
Këtë vit ndërtimet në autostradë në segmentin e parë të gjatë 27 kilometra pritet të kushtojnë mbi 123 milionë euro, ndërsa 6 milionë euro do të shpenzohen për shpronësime. Gjatë vitit 2011 janë paraparë të shpenzohet edhe 225 milionë euro për ndërtim dhe 50 milionë euro për shpronësime. Kostoja e ndërtimeve do të kapë vlerën prej 276.8 milionëve më 2012, në të cilin vit llogaritet të shpenzohet edhe 20 milionë për shpronësime. Ndërkaq më 2013 shpenzimet për ndërtimin e autostradës do të kapin vlerën prej 258.1 milionë eurosh, ndërsa për shpronësime llogaritet të shpenzohen rreth 14 milionë euro. Këto mjete, sipas raportit, pritet të sigurohen nga rishikimi i buxhetit gjatë secilit vit, koncesionimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, shitja e Postës dhe Telekomit të Kosovës, shtimi i akcizës në disa produkte, si dhe huamarrja apo kreditë në institucionet ndërkombëtare financiare.
Në publikimin për shpalljen e fituesit në tenderin për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdar, fitues i të cili është shpallur konsorciumi amerikano-turk “Bechtel & Enka”, janë dhënë vetëm 659 milionë euro të cilat llogariten si vlerë që duhet shpenzuar për ndërtimin e autostradës. Punët e kryera nga “Bechtel-Enka” në bazë të raportit të përgatitur nga ministri Ahmet Shala do të afrohen me shifrën e dhënë nga kompania tjetër konkurruese në ndërtimin e autostradës “Strabag”, e cila kishte dhënë vlerën prej 1 miliard e 337 milionë eurosh për ndërtimin e rrugës së kombit me tunele.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›