E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e "vrau" moralisht dhe politikisht Azemin

Partia Demokratike e "vrau" moralisht dhe politikisht Azem Hajdarin kur ishte gjallë. Nga ana tjetër, kryetari i saj, Sali Berisha, qan për të në çdo përvjetor të lëvizjes studentore të dhjetorit apo çdo 12 shtator.

Zëdhënësja e kësaj partie, gazeta RD, dëshmon se si PD-ja, me gëzim të madh dhe unanimitet, përjashtoi Azem Hajdarin nga partia dhe grupi parlamentar. Ndërkohë që nga ana tjetër, SHIK-u i Berishës po mbushte qindra faqe me survejime dhe informacione ndaj liderit të dhjetorit, heroit të demokracisë, për të cilin derdh lot kryetari i PD-së, Sali Berisha.

Sulmi ndaj Azemit, nën udhëheqjen e Presidentit të atëhershëm dhe kryetarit të përhershëm të PD-së, ka vazhduar nga disa drejtime: nga grupi parlamentar, nga SHIK-u, nga partia, nga gazeta. Një sulm i mirorganizuar dhe i dirigjuar, deri në atë pikë sa e nxorën Azemin spiun të SHIK-ut dhe terrorist.

Më 9 gusht 1994, në faqen e parë të gazetës RD, gjendet një shkrim për inspiratorët dhe drejtuesit e grevës së urisë, ku tregohen inicialet e disa personave, midis tyre janë edhe inicialet e Azem Hajdarit, i cili akuzohet se është një ish-oficer i Sigurimit të Shtetit.

Në një fejton tjetër, të botuar dy ditë më pas, po në faqen e parë të organit të Partisë Demokratike, Azem Hajdarit i jepet grada "kapiten" i Sigurimit të Shtetit.

Sulmi i PD-së ndaj Azem Hajdarit në periudhën kur ai ishte futur në grevë urie; më 14 gusht, Azem Hajdari, për PD-në është një "ushtar që do të bëhet gjeneral, por që i ka hyrë lepuri në bark dhe grevën kërkon ta përdorë si imunitet të dytë për t‘i shpëtuar përgjegjësisë, që thuhet se ka për armatosjen e disa pjesëtarëve të tij".

Më tej, zëdhënësja e Partisë Demokratike, gazeta RD, vazhdon ta cilësojë, në kryeartikujt e saj, Azem Hajdarin si "komandant pa ushtarë, gjatë kohës kur ai u angazhua me BSPSH-në.

Akuzat e PD-së ndaj Azem Hajdarit nuk kishin kufij. Ai akuzohet edhe si terrorist. Dëshmi për këtë është një nga numrat e gazetës "Rilindja Demokratike", ku Azem Hajdari akuzohet si një deputet që përzihet në terrorizëm. Në këtë shkrim, Hajdari cilësohet si një aventurier që hyn në grevë urie i armatosur. "Terrorizmi është i destinuar të humbë betejën me demokracinë", shkruan më pas RD për Azemin.

Heroit të demokracisë, figurën e të cilit e kanë shfrytëzuar sa herë kanë dashur, i është hequr imuniteti vetëm për një pëllëmbë që i dha S.Qiriazit. Madje, për këtë veprim, është marrë edhe një vendim gjykate që e ka dënuar Azem Hajdarin me qortim shoqëror, momente këto që nuk mund t‘i shpëtonin pasqyrimit në gazetën RD.

Nëse shfleton ndër vite RD-në, më tej do të lexosh një titull: "Enigma e një vetëvrasjeje politike". Kështu është thënë edhe për Mehmet Shehun, i cili vrau veten me dy plumba pas shpine, kështu u tha edhe për Azem Hajdarin kur hyri në grevë urie.

Disa vite pas vrasjes së tij, bëhet edhe një gjyq për vrasjen e shekullit. 105 ditë zgjati gjyqi dhe përfundoi me konkluzionin se ishte një vrasje ordinere. Por a mund të qëndrojnë të dyja: edhe heroi i demokracisë, dëshmori i idealeve të dhjetorit, edhe viktimë e një hakmarrjeje ordinere? Këtë hile e ka lënë për brezat e ardhshëm vetë kryetari i PD-së, sepse dokument mbetet ajo që është shkruar e zeza mbi të bardhë, gazetat RD në vite dhe vendimi i gjykatës.

Ndonëse Berisha ka premtuar se do të rihapë dosjen "Hajdari" kur të vinte në pushtet, deri më sot një gjë e tillë nuk është bërë. Madje bën sikur nuk dëgjon, kur gazetarja e "Fiks Fare" e pyeti, më 12 shtator të këtij viti, se a do ta mbajë premtimin për rihapjen e dosjes "Hajdari".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›