E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria, inspektim “blic” për Xhuvanin, u dënua 2 vjet burg

24/11/2011  Prokuroria: Në fund do bëjmë dhe ne inspektim për djalin e Luiza Xhuvanit

TIRANE-Një javë nga dënimi me 2 vjet burg të shtetasit Kostandin Xhuvani për akuzën e vrasjes së shtetasit Alfred Musabelliut, Ministria e Drejtësisë ka urdhëruar inspektimin e dosjen në Prokurori dhe gjykatën e Tiranës. Urdhri është firmosur nga ministri Eduart Halimi, nëpërmjet të cilit inspektorët do tërheqin dosjen nga akuza dhe gjykata, dhe më pas pritet të studiojnë të gjithë procedurën ligjore që është ndjekur për kualifikimin e akuzës ndaj Xhuvanit dhe dhënien e vendimit përfundimtar nga gjykata, duke e dënuar me 2 vite burg. Në njoftimin zyrtar të ministrisë, thuhet se: “Ministri ka urdhëruar ushtrimin e inspektimit në Prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë mbi ecurinë e politikës penale në veçanti dhe politikës së dënimit të ndjekur nga organi i Prokurorisë në rastin konkret, si dhe inspektimin e parimeve të drejtësisë dhe barazisë në marrëdhënie me subjektet e tjera të procedimit penal. Ushtrim i inspektimit për kontrollin e ligjshmërisë do të kryhet edhe në gjykatën e Tiranës me qëllim verifikimin e çdo veprimi procedural nga depozitimi dhe dhënia e vendimit përfundimtar”. Ndërkohë për sa i përket konkluzioneve të këtij inspektimi, mësohet se në përfundim ato do i paraqiten Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Presidentit të Republikës. Mirëpo burime të Prokurorisë të kontaktuar nga gazeta “Metropol”, nuk dhanë asnjë koment lidhur me urdhrin e ministrit të Drejtësisë për një inspektim “blic”, ndaj dosjes ku i pandehur ka qenë djali i deputetes së PS Luiza Xhuvani. Burimet shtuan se përderisa ligji e lejon, janë të hapur ndaj inspektimeve të ministrisë dhe se çfarë do konkluzione të nxjerrin ekspertët, në fund dhe Prokuroria do bëjë studimin e dosjes, me qëllim nxjerrjen e objektivitetit të hetimit, por dhe të inspektimit të ministrisë. Djali i çiftit Xhuvani, Kostandin Xhuvani u akuzua fillimisht për vrasje me dashje, por në fund Prokuroria e dërgoi dosjen në gjykatë për akuzën e “vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Ndërkohë që në fund të hetimit gjyqësor Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet burg, por në kushtet e gjykimit të shkurtuar Xhuvani përfitoi uljen me 1/3 e masës së dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 2 vjet burg. Pikërisht ky dënim, shkaktoi dhe reagimet e para, duke bërë që ministri Halimi të urdhërojë inspektimin e dosjes penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›