E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grupet e interesit kundër katërfishimit të gjobave për makinat

24/11/2011  Komisioni i Ligjeve miratoi dje në parim ndryshimet në Kodin Rrugor. PS kërkon shtyrje të votimit të projektligjit

Mazhoranca dhe opozita në Komisionin e Ligjeve miratuan dje në parim ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, ku përveç ndëshkimit me gjobë është parashikuar burg për përdoruesit e alkoolit gjatë drejtimit të mjetit apo në mungesë të patentës. Por çështja e katërfishimit të gjobave që parashikohet në këto ndryshime shkaktoi debate gjatë diskutimeve të projektligjit të propozuar nga Ministria e Transporteve. Në mbledhjen e djeshme, ku të pranishëm ishin dhe përfaqësues nga grupet e interesit, këta të fundit dhe deputetët e opozitës u shprehën kundër masave të reja ndëshkimore për shkeljet në qarkullimin rrugor. Deputeti i PS-së Pandeli Majko tha se kjo rritje do të ketë efekt negativ, pasi do të krijojë rritje të korrupsionit në radhët e uniformave blu. “Në kushtet social-ekonomike që ndodhet vendi, por me tepër niveli i korrupsionit i evidentuar në radhët e efektivave të policisë, vetëm do të rritë abuzimet.” Ndërsa përfaqësuesit e shoqërisë civile kërkuan që gjobat e parashikuara për drejtuesit e mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor të jenë fikse. Ata kërkuan që gjoba të vendosen edhe për këmbësorët që nuk zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, pasi sipas tyre “një pjesë e konsiderueshme e aksidenteve në rrugët e Shqipërisë vjen si shkak i gabimeve të qytetarëve, të cilët jo vetëm që kalojnë rrugën kur semafori është me të kuqe, por fenomeni ndodh dhe në autostrada apo superstrada”, - tha Erion Kristo, përfaqësues i shoqatës “Mbrojtja e Jetës”. Projektligji, miratimi i të cilit kërkon 3/5-at e votave të deputetëve në seancë plenare, u diskutua dje edhe në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, ku deputetët socialistë kërkuan që miratimi i Kodit Rrugor, që është parashikuar të bëhet në seancë brenda datës 1 dhjetor, të shtyhet, me qëllim që t’i jepet më shumë kohë shqyrtimit të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›