E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i naftës, Shqipëria si BE-ja

Shqipëria renditet ndër vendet anëtare të Bashkimit Evropian për sa u përket tarifave që paguan për karburantet në pikat e shitjes me pakicë. Duke bërë krahasimet me vendet e kontinentit të Evropës dhe anëtarëve të BE-së, del se konsumatorët shqiptarë paguajnë më shtrenjtë se Greqia, Spanja apo Hungaria, ku standardi i jetesës ishte disa herë më i lartë se i vendit tonë. Nga statistikat e ofruara prej agjencisë italiane, "carburanti.tariffe" për muajin prill 2008, shikohet qartë se vendi ynë lë pas 13 vende të Evropës, mes tyre dhe disa vende të BE-së, ku të ardhurat për frymë arrijnë deri në 15 mijë euro në vit, nga 3500 euro që marrin shqiptarët. Ky fakt u jep përgjigje argumenteve të qeverisë, se çmimet e karburanteve janë rritur në të gjitha vendet e kontinentit, gjë e cila shikohet qartë nga renditja e përafërt, në varësi të çmimit për naftën dhe benzinës. Kjo e fundit konsumohet më tepër, e për rrjedhojë është marrë si bazë në vlerësimin e vendeve me çmimet më të larta.

Tregu

Shqiptarët e ndiejnë veten si evropianët, madje konsiderohen pa frikë si anëtarë të BE-së për sa u përket standardeve në tarifat e karburanteve. Sikurse shihet te tabela, vendi ynë lë pas shtete me zhvillim të lartë dhe të qëndrueshëm ekonomik si Çekia, Sllovenia apo Luksemburgu, pa përmendur këtu tri vendet e tjera si Spanja, Hungaria dhe Greqia, të cilët kanë çmime rreth 0.10 euro më lirë, kjo për sa i përket benzinës (pa plumb) për litër. Vihet një tjetër fakt, se gjatë muajit prill një pjesë e mirë e vendeve të Evropës kanë aplikuar tarifa në ulje deri në 24 për qind, edhe situata me çmimet në tregjet ndërkombëtare nuk ishte aspak pozitive. Nafta në këtë periudhë është shitur në bursa me 125 dollarë fuçia, rreth 40 për qind më shtrenjtë se vitin e kaluar. Ndërsa në Shqipëri, çmimi i benzinës në muajin prill pësoi rritje me 0.8 për qind (sipas INSTAT-i), duke u shitur me rreth 149 lekë për litër. Aktualisht, çmimi i benzinës në pikat e shitjes me pakicë është deri në 160 lekë për litër (dje në disa pika pranë qendrës së Tiranës). Lidhur me tregtimin me pakicë të naftës eurodiezel ose D1, konsumatorët shqiptarë paguajnë 1.222 euro/litri, afërsisht njëlloj si belgët apo grekët, përkatësisht 1.214 dhe 1.227. Më komod ndihen drejtuesit e automjeteve nga Spanja, Sllovenia dhe Luksemburgu, të cilët furnizohen deri në 0.10 euro/litri më lirë se ne. Të gjitha këto vende të renditura nga agjencia italiane e statistikave, e marrin karburantin pothuajse me tarifa të njëjta, duke qenë se tregu është i përqendruar kryesisht në dorë të OPEC-ut, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës. Dallimin te tarifat për konsumatorët e bëjnë politikat fiskale që ndjekin vendet e BE-së apo jashtë tyre. Pavarësisht elementëve që ndikojnë në uljen apo në rritjen e çmimit të karburanteve, standardi i jetesës në vendet e BE-së është disa herë më i lartë se i Shqipërisë, e cila nuk mund të konkurrojë as me Maqedoninë. Kjo e fundit aplikon tarifa rreth 10 lekë më lirë se vendi ynë.

Benzina %

Holanda 1,577 14,2

Finlanda 1,442 4,4

Belgjika 1,430 3,5

Gjermania 1,424 3,1

Danimarka 1,402 1,5

Portugalia 1,401 1,4

Franca 1,383 0,1

Anglia 1,356 -1,8

Zvicra 1,353 -2,0

Italia 1,381 0

Polonia 1,259 -8,8

Austria 1,241 -10,1

Shqipëria 1,250 0.8

Çekia 1,226 -11,2

Sllovakia 1,207 -12,6

Luksemburgu 1,206 -12,7

Irlanda 1,206 -12,7

Hungaria 1,177 -14,8

Spanja 1,144 -17,2

Greqia 1,131 -18,1

Malta 1,090 -21,1

Sllovenia 1,069 -22,6

Estonia 1,067 -22,7

Lituania 1,063 -23,0

Qipro 1,039 -24,8

Letonia 1,039 -24,8

Nafta %

Anglia 1,474 7,9

Zvicra 1,369 0,2

Italia 1,366 0

Gjermania 1,337 -2,1

Danimarka 1,320 -3,4

Holanda 1,319 -3,4

Franca 1,302 -4,7

Sllovakia 1,287 -5,8

Portugalia 1,276 -6,6

Çekia 1,274 -6,7

Irlanda 1,248 -8,6

Austria 1,248 -8,6

Polonia 1,244 -8,9

Hungaria 1,233 -9,7

Greqia 1,227 -10,2

Shqipëria 1,220 0,9

Belgjika 1,214 -11,1

Finlanda 1,201 -12,1

Estonia 1,172 -14,2

Spanja 1,169 -14,4

Luksemburgu 1,138 -16,7

Lituania 1,122 -17,9

Letonia 1,118 -18,2

Sllovenia 1,112 -18,6

Qipro 1,099 -19,5

Malta 1,097 -19,7

Shënim: Të dhënat në euro për muajin prill ‘08



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›