E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpretimi i LDK’së

Ismet Beqiri i ka dhënë interpretimin interesant deklaratave të Ambasadorit Christopher Dell. Sipas tij, diplomati amerikan nuk është shprehur kundër përsëritjes së zgjedhjeve dhe se Dell pak a shumë ka shprehur qëndrimin që ka mbajtur tash e sa kohë LDK’ja. Nga Express më 15 janar 2011 në ora 18:30

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e nënkupton se Ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, është përjashtues i mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve të reja në vend.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri, tha se Ambasadori Dell ka deklaruar se duhet të ketë një qeveri kredibile, që duhet të dalë nga procesi i pastër zgjedhor.
“Unë nuk do të kisha thënë se ajo deklaratë është menduar ose është thënë asisoj se është kundër zgjedhjeve. Në deklaratën e Ambasadorit Dell unë nuk shoh se ai ka qenë përjashtues i mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve. Tani nuk duhet ta marrë ndonjë subjekt tjetër, në këtë rast, PDK-ja, si një alibi se gjoja paska thënë ambasadori se duhet të bëhet një qeveri e të mos ketë zgjedhje të reja”, ka thënë Beqiri.

Beqiri, ndryshe, thotë se nuk duhet harruar edhe deklaratat e tjera që vijnë nga njerëz të bashkësisë ndërkombëtare e që kërkojnë që në qeveri të mos ketë njerëz që nuk i kanë duart e pastra.

Me këtë rast, Sekretari i LDK’së tha se deklarata e Ambasadorit Dell pothuajse është e njëjtë sikurse ka thënë LDK se duhet të ketë qeveri të pastër, e që, sipas tij, me këto zgjedhje nuk mund të del një ekzekutiv i tillë.

“Ai e ka thënë sikurse po e thotë edhe LDK’ja se duhet të ketë një qeveri kredibile, që del nga rezultati i mirëfilltë zgjedhor, gjë që nuk mund të thuhet për këtë proces zgjedhor. Kjo është shumë e qartë dhe nuk e di se do të ketë mundësi të bëhet një qeveri me duar të pastra nga një proces zgjedhor i papastër”, tha Beqiri.

Lidhja Demokratike e Kosovës ende mbetet në qëndrimet e saj, se në fund të këtij viti duhet të ketë proces të ri zgjedhor.

Ndryshe, në një intervistë për mediat kosovare, Ambasadori amerikan Dell ka thënë se ai beson që nëse qeveria e ardhshme e Kosovës do të përbëhet nga individë që kryejnë punën e tyre me nder, kjo do ta rikthente besimin e qytetarëve në institucione më shumë sesa një palë zgjedhje të reja.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›