Ministrja Godo, diskuton për shëndetësinë në Oslo
Ministrja Godo merr pjesë në takimin e zhvilluar në Oslo me rastin e konferencës Shëndetësia në kohën e krizës globale. Në këtë takim, u diskutua për krizën globale financiare dhe efektet negative që kjo do të sjellë në fushën e shëndetit publik kudo në bote, rrugët e bashkëpunimit dhe koordinimit të përpjekjeve të të gjitha vendeve për të zbutur efektet negative. Ministrja jonë e shëndetësisë, Anila Godo në fjalën e saj të mbajtur në sesion, theksoi rëndësinë e koordinimit të përpjekjeve të të gjitha vendeve të Evropës për të zbutur efektet negative të krizës.
Në një botë globale, ku sfidat janë të përbashkëta e ku sektori i shëndetësisë është një sektor jetik për zhvillimin ekonomik e shoqëror, është e domosdoshme të vendoset një raport I përshtatshëm për kontributin mes vendeve të pasura dhe atyre të varfra, u shpreh ministrja Godo. Ndërkaq, mes të tjerave shtoi se vendet e pasura kanë përgjegjësinë të mbajnë barrën më të madhe në efektet e krizës financiare e kjo bëhet jo vetëm për shkak të parimeve jetike dhe humane, por sepse mirqënia e popullsisë së vendeve tona është primare për çdokënd. Gjate vizitës së saj në Norvegji, Ministrja Godo pati dhe një takim me Homologun e saj në Norvegji, Bjarne Hakon Hanssen. Gjatë këtij takimi u diskutua për identifikimin e mundësive të një marrëveshjeje bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë. Ministrja Godo , i kërkoi Homologut të saj norvegjez, ndihmën në përvojën e tyre për krijimin e një sistemi shëndetësor cilësor, si në mënyrën e financimit dhe në shkëmbimin e eksperiencave. Kjo për të ngritur sistemin tonë shëndetësor në nivelet Evropiane.