E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Mirëpresim anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë

Samiti dyditor i NATO-s i zhvilluar në Gjermani, konsiderohet historik për vendin tonë, pasi Shqipëria merr pjesë si anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë. Në fillim të këtij Samiti, presidenti amerikan Barack Obama ka deklaruar se mirëpret Shqipërinë dhe Kroacinë në NATO. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin një mbrojtje të fortë evropiane, prandaj edhe kemi mirëpritur anëtarësimin e Kroacisë dhe të Shqipërisë në NATO", ka deklaruar presidenti amerikan. Ndërkohë pritet që ditën e sotme në mëngjes, presidenti Obama, në mënyrë ceremoniale, tu dorëzojë kryetarëve të Shqipërisë dhe Kroacisë kartën e Atlantikut të Veriut. Ndër të tjera, presidenti amerikan është shprehur se SHBA kërkon aleatë të fortë. Ne do të donim ta shihnim Evropën me kapaciteteve me të forta ushtarake. Dhe sa më të fortë të jenë ata në mbrojtje aq më shumë ne mund të veprojmë të bashkuar për të përballuar detyrat që nga dalin. Dhe një nga mesazhet e mia për aleatët tanë të NATO-s është, sa më shumë kapacitete shohim në Evropë aq më të kënaqur janë SHBA-të dhe aq më efektivë do të jemi ne në koordinimin e aktiviteteve tona, ka theksuar ai. Për presidentin Obama garantimi i paqes dhe sigurisë në botë pas rënies së Murit të Berlinit kërkon një aleancë më të fortë dhe më të gjerë, gjë që sipas tij u konkretizua, me anëtarësimin e mirëpritur të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Të njëjtin vullnet për partneritet shprehu edhe presidenti francez Nikolas Sarkozi. "Ne, nuk kemi nevojë për një luftë tjetër të ftohtë. Ne shpresojmë se dhe Rusia do të ndihmojë në çështjen e Iranit, pasi paqja është shumë e shtrenjtë", u shpreh ai.
Obama uron Topin
Pas hapjes së samitit të NATO-s në Baden Baden, presidenti Topi ka takuar presidentin amerikan Obama, i cili uroi Shqipërinë për anëtarësimin dhe theksoi se është partnere strategjike në Aleancë. Ndërsa presidenti Bamir Topi nga ana e tij ka falënderuar presidentin e SHBA, Obamën për mbështetjen e madhe që i ka dhënë Shqipërisë. Ndërkohë po ditën e djeshme, presidenti Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi kanë marrë pjesë në ceremoninë festive që u zhvillua në Kurhauz të Baden-Badenit (Gjermani), një ceremoni e organizuar nën kujdesin e Kancelares së Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel me rastin e Samitit jubilar të 60-të të NATO-s në Strasburg-Kehl. Kreu i shtetit shqiptar është takuar me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez Nicolas Sarkozy dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Scheffer, me të cilët ka bërë dhe fotografitë në kuadër të ceremonisë. Presidenti Bamir Topi ka përfaqësuar delegacionin shqiptar në darkën e punës që u zhvillua dje në në Baden Baden, së bashku me ministrat Lulëzim Basha dhe Gazmend Oketa, ndërsa pjesa tjetër e delegacionit, bashkë me kryeministrin Berisha kanë qenë në Strasburg, në hotelin e deleguar për delegacionet e vendeve pjesëmarrëse në ceremoninë e nesërme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›