Berat, polumbarët nxjerrin nga Osumi trupin e pajetë të peshkatarit
Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e enjte në fshatin Moravë të rrethit të Beratit. Pikërisht në orën 15:40 të pasdites, dy vëllezër kanë dalë të peshkojnë në ujërat e lumit Osum pranë fshatit të tyre. Ka qenë 44- vjeçari Luan Hajdari, i cili ka rënë viktimë e ujërave të lumit, të cilin e kanë rrëmbyer për tu gjetur i pajetë një ditë më pas.
Burime të policisë që shkuan në vendin e ngjarjes bashkë me grupin hetimor, sqaruan për gazetën se Hajdari ka qenë me vëllain e tij duke peshkuar dhe pas hedhjes së rrjetave kanë shkuar për mbledhjen e tyre në ujërat e lumit Osum. Babai i tre fëmijëve në momentin kur ka dashur të kalojë lumin për tu hedhur në bregun tjetër, duke tërhequr rrjetat për ti nxjerrë, është rrëmbyer nga ujërat e lumit, i cili ka pasur thellësi të konsiderueshme në pjesën ku ata peshkonin. 44- vjeçari nuk ka arritur të përballojë ujërat e vrullshme të lumit, të cilat e kanë marrë përpara pa mundur që të kthehet apo të dalë në breg me not. Edhe pse është mundur të mbahet pas rrjetave një pjesë e saj është shkëputur duke bërë që Luani të humbasë mes ujërave. Vëllai i tij më i vogël, Bedri Hajdari ka notuar më shpejtësi duke i thërritur në emër, por nuk ka parë asnjë gjurmë të vëllait edhe pse ka kërkuar për 20 minuta rresht. I gjendur mes një tragjedie të humbjes së Luanit, vëllai i tij nuk ka parë asnjë gjurmë të turpit të dalë në breg edhe pse ka kërkuar në çdo cep duke shpresuar që Luani të jepte shenjë për ndihmë. I gjetur përballë një ngjarje të rëndë dhe i tmerruar Bedri Hajdari ka shkuar dhe lajmëruar bashkëfshatarë të tjerë, të cilët kanë rendur mes ujërave të lumit, ndërsa një prej banorëve ka lajmëruar organet e policisë, të cilat kanë shkuar në vendin e ngjarjes sapo janë njoftuar. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut Berat bëjnë të ditur se forcat e komisariatit të policisë kanë kërkuar më pas ndihmën e forcave të Reneas, të cilët kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur aksionin për gjetjen e trupit të 44- vjeçarit. Të pajisur me polumbarë, forcat e Reneas kanë kërkuar gjithë natën e së enjtes dhe vetëm sot në orën 10:00 të paradites kanë mundur të gjejnë pa jetë trupin e Luan Hajdarit, në ujërat e lumit Osum. Pikërisht rreth 20 metra larg vendit ku ishin rrjetat është gjetur turpi i pajetë i Luanit, i cili ishte ngatërruar me një copë rrjete të shkëputur dhe që ishte përmbytur, e cila nuk ka lejuar trupin të dalë në sipërfaqe të ujërave. Pas kësaj tragjedie kufoma e të mbyturit është çuar në morgun e spitalit nga ku është tërhequr më pas dhe nga familjarët e tij.