Ministrja Godo në Durrës: Trauma, shkaktari i tretë i vdekshmërisë
Në Shqipëri, pas kancerit dhe arterosklerozës, trauma zë vendin e tretë të vdekshmërisë në vend. Deklarata u bë nga ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, e cila mori pjesë në kurorëzimin e kursit një javor të trajnimit në Spille të Kavajës, në qendrën mjekësore Diagnostike. Projekt ky i cili financohet nga ambasada zvicerane (Sëiss Foundation International) në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.
Sipas Godos, trauma është shkaku kryesor i vdekjeve në katër dekadat e para të jetës, përsa u përket shkaqeve të vdekjes në të gjithë grupmoshat. Për këtë arsye rëndësia e menaxhimit të duhur të traumave shtohet gjithashtu duke marrë parasysh se traumat janë më të shpeshta veçanërisht në popullatën më të re dhe potencialisht më produktive, pa llogaritur këtu kostot financiare tepër të larta, tha në fjalën e saj kreu i dikasterit të Ministrisë së Shëndetësisë, Anila Godo. Duke u bazuar në përmirësimin e situatës, sipas Godos, prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë mbetet përmirësimi i urgjencave të traumatologjisë në të gjithë vendin. Në këtë kuadër nga granti i qeverisë Japoneze do të investohet një shumë prej 8 milion euro, e cila do të mundësojë shtrirjen e projektit në 18 sektorë të urgjencave në të gjithë vendin. Duke u ndalur në trajnimin, ministrja e Shëndetësisë Anila Godo, tha se përmirësimi i sistemit të emergjencave dhe të shpëtimit është qëllimi kryesor i bashkëpunimit midis Sëiss Fundacion Internacional dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Për këtë arsye duhet të kemi një skuadër të specializuar dhe të gatshme shpëtimi, e cila në situate emergjente të jetë kompetente në menaxhimin e tyre dhe të japë ndihmë në nevoja shëndetësore, psikosociale dhe shpirtërore. Në këtë kuadër trajnimi i vazhdueshëm i personelit mjekësor është një nga mjetet për arritjen e këtij qëllimi, deklaroi në fund të fjalës, ministrja Godo. Trajnimi përqendrohet në dhënien e teorive të nevojshme për menaxhimin e situatave emergjente, pas një kohë të konsiderueshme i kushtohet ushtrimit praktik të këtyre njohurive, duke improvizuar raste të ndryshme urgjencash. Gjatë këtij trajnimi, pjesëmarrësit mësuan se si të menaxhojnë situata të ndryshme në aksidentet rrugore, aksidente nga zjarri, i ftohti, tërmeti etj