Kukës: Vdekja e punëtorit turk, aksidentale
Hetimet paraprake
U shkëput koka e vinçit me të cilin punonte, faji për aksidentin në tunelin e Kalimashit duket se do t’i mbetet viktimës
Flutura Tota
Kukës - Vdekja e punëtorit turk gjatë natës së të mërkurës në tunelin e Kalimashit është konsideruar si aksidentale nga grupi hetimor i ngritur për këtë qëllim. Sipas hetimeve paraprake, vdekja është shkaktuar nga vetë punëtori, pasi në punë e sipër i është shkëputur koka e vinçit me të cilin punonte çdo ditë. Ndërkohë, tuneli i Kalimashit sot është mbyllur dhe nuk është lejuar që të punohet nga punëtorët e kompanisë së ndërtimit të tij.
Vdekja e një punëtori në njërën galeri të tunelit të Kalimashit gjatë natës së të mërkurës duket se është shkaktuar nga këputja e vinçit me të cilin ai punonte. Në këtë përfundim kanë dalë specialistët e grupit hetimor, të cilët kanë mbërritur në vendngjarje, sapo aksidenti ku u përfshi një punëtor i kompanisë “Bechtel Enka” ka ndodhur. Burime pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës bëjnë të ditur se sapo kompania ka njoftuar për aksidentin, është ngritur një grup hetimor, në përbërje të të cilit ka qenë edhe një prokuror. “Kemi mbërritur në kilometrin e dytë të tunelit, aty ku aksidenti ka ndodhur, rreth orës 21 dhe kemi bërë të gjithë veprimet hetimore. Paraprakisht, neve na rezulton se 55-vjeçari Kasen Mustafa Dynder është goditur nga koka e vinçit, me të cilin ai punonte vazhdimisht. Si fillim koka e mjetit është shkëputur dhe është përplasur me faqen e tunelit. Prania e punëtorit poshtë tij ka bërë që koka e vinçit ta zërë poshtë dhe ta godasë atë në pjesën e kokës. Ajo çka mund të them, është se kjo vdekje mund të quhet aksidentale”, shprehet kështu njëri nga ekspertët e grupit hetimor. Ndërkohë, Prokurori i Rrethit të Kukësit, Xhevahir Lita, thotë për “Korrierin”, se çështja është në fazat e para të procesit të hetimit dhe të akteve të ekspertimit. Dyshohet se vdekja është aksidentale dhe se do të procedohet sipas ligjit. “Ajo çka për momentin mund të them, është se i gjithë grupi hetimor po kryen veprimet e para dhe se po kryen aktin e ekspertimit. Kemi marrë në pyetje shumë dëshmitarë dhe se do të vazhdojmë të marrim të tjerë. Për momentin nuk ka të ndaluar, por mund të them se, nëse ka fajtor, mund të ketë edhe arrestime. Ne do të veprojmë sipas ligjit dhe do të ndjekim këtë çështje deri në fund”, vijon më tej ai. Shtetasi Kasen Mustafa Dynder, i datëlindjes 09.06 1956 kishte ardhur nga Turqia për të punuar pranë kompanisë “Bechtel Enka” në njërën galeri të tunelit të Kalimashit. Ai punonte me një vinç në profesionin e manovratorit. Siç tregon një punëtor shqiptar, i cili ka qenë pranë punëtorit turk në momentin e aksidentit, si fillim vinçi ka shfaqur një defekt, për të cilin 55-vjeçari është munduar që ta rregullojë. Më pas ai ka nisur të punojë me të, me mendimin se çdo gjë ishte rregulluar. “Në momentin e aksidentit ai ndodhej poshtë tij, pasi po merrej me një punë të dytë. Kur koka e vinçit u këput, Kaseni nuk e ka parë dhe kjo çoi në goditjen e tij të menjëhershme. Ne që në fillim njoftuam shërbimin shëndetësor të kompanisë, i cili erdhi, por goditja ka qenë shumë e rëndë dhe fatale për jetën e tij”, tregon kështu punëtori shqiptar. Ndërkohë, gjatë ditës së enjte është pezulluar puna në tunelin e Kalimashit e konkretisht në galerinë ku aksidenti ndodhi. Sipas punëtorëve, ata sot janë kthyer mbrapsht, pasi ekspertët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe nuk kanë lejuar futjen e asnjë personi brenda tij. Sipas tyre, kjo ka ardhur, për shkak se grupi hetimor ka kërkuar që provat e vendit të ngjarjes duhen ruajtur, derisa i gjithë akti i ekspertimit të përfundojë.
Kjo është hera e parë, që një punëtor, i cili po punonte në tunelin e Kalimashit, gjen vdekjen brenda tij. Pranverën e vitit 2009 ka pasur dy lëndime të rënda, të cilët kanë prekur dy punëtorë, një turk dhe një shqiptar, por që fatmirësisht nuk kanë qenë fatale për jetën e tyre. Ndërsa një muaj më parë, dy punëtorë, njëri maqedonas dhe tjetri shqiptar, gjetën vdekjen në njërin kantier të firmës “Alb Buillding”, teksa po montonin panelet e njërës prej urave. Edhe kësaj here shkak ka qenë këputja e kokës së vinçit me të cilin ata punonin.
Flutura Tota