E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piratët e bankomateve, jetë luksi me paratë e vjedhura në Tiranë

Dy xhenovezët e ndaluar nga policia para dy ditësh kishin zgjedhur të qëndronin në një prej hoteleve më të shtrenjta, të hanin në lokalet më të mira dhe të kalonin mbrëmje me shpenzime të mëdha, çdo gjë që një i ri mund të dëshirojë
Prej katër muajsh bënin një jetë prej pasaniku në Tiranë, duke qëndruar në një prej hoteleve më të shtrenjta e duke shpenzuar pa masë. Kjo, pasi mund të kishin çfarë të dëshironin, mjaftonte vetëm që të merrnin një prej kartave të klonuara, të shkonin në një bankomat e të kryenin një tërheqje parash. Dhe një mundësi të tillë dy 25-vjeçarët italianë të arrestuar para dy ditësh në kryeqytet, e kanë shfrytëzuar më së miri, duke bërë një jetë prej bosi në kryeqytetin shqiptar.
Luks me paratë e vjedhura
Gjatë kohës që qëndronin në një prej hoteleve më të mirë e më të shtrenjtë të kryeqytetit, shpenzonin shuma të mëdha parash, duke marrë të gjitha komoditetet e nevojshme të një të pasuri. Sipas burimeve nga policia, Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualino kanë tërhequr 150 milionë lekë nga bankomatet gjatë qëndrimit të tyre të dytë në Shqipëri, ndërkohë që nga policia është sekuestruar një sasi prej 23 mijë eurosh e dy milionë lekësh të vjetra.
Ndërkohë që shuma tjetër nuk është gjetur. Një pjesë e mirë e saj mendohet se është harxhuar nga dy të rinjtë gjatë qëndrimit të tyre në kryeqytet, ndërsa sasia tjetër dyshohet se iu është dërguar familjeve të tyre për ndihmë. Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor, dy xhenovezët kishin zgjedhur të qëndronin tek “Sheratoni”, të merrnin çfarë të donin, veshje të shtrenjta, dreka e darka në lokalet më të mira dhe mbrëmje me shpenzime të mëdha, çdo gjë që një i ri mund të dëshirojë.
Sipas hetimeve nga grupi hetimor, të gjitha paratë e tërhequra nga dy të ndaluarit janë përdorur për të bërë qejf në kryeqytetin shqiptar. Të rinjtë lëviznin edhe me një autoveturë të tipit “Chrysler”, me targa TR 7726 R, në rrugët e kryeqytetit. Por aventura e tyre përfundoi pas denoncimit të kryer nga banka e vjedhur dhe një operacioni të kryer nga policia e Tiranës për ndalimin e dy të rinjve.
Gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, të rinjtë në degët e bankës “Intesa San Paolo” kanë kryer mbi 750 transaksione, nga këto mbi 350 transaksione të suksesshme dhe mbi 400 tentativa. Ndërkohë që janë përdorur mbi 250 karta. Sipas burimeve nga grupi hetimor, të ndaluarit kishin mbaruar shkollën për elektronikë në Itali, degë që i kishte ndihmuar ata në realizimin e skemës së vjedhjes. Ndaj tyre kishte nisur hetimi edhe nga policia italiane, për të njëjtën vepër penale. Ndërkohë që u vunë në pranga para dy ditësh nga policia shqiptare.
Arrestimi
Policia e Tiranës organizoi operacionin “Paterica”, ku vuri në pranga dy shtetas italianë. Specialistët e Drejtorisë Kundër Krimit Financiar dhe Drejtorisë të Policisë së Qarkut arrestuan 25-vjeçarët Luca Calvi dhe Gabriele Pasqualino. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ndalimi i tyre u krye pasi akuzohen se kanë grabitur rreth 150 milionë lekë të vjetra nga banka “Intesa San Paolo”. Kjo është kryer, duke përdorur karta plastike me të dhëna bankare të falsifikuara. Të rinjtë u ndaluan në flagrancë rreth orës 01:00 të ditës së mërkurë në një nga ATM-të e kësaj banke. U sekuestruan në dhomën ku të rinjtë rrinin një kompjuter lap top me informacionin e plotë për kartat bankare dhe PIN-in e tyre, një pajisje elektronike “Memory card reader” që u shërbente për vjedhjen e informacionit të kartave bankare, 19 karta bankare, nga të cilat 5 janë pa mbishkrime me informacionin bankar në të, një shumë prej 23.000 eurosh, si dhe një shumë prej 200.000 lekësh të tërhequra nga ATM në Tiranë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›