Fallxhorja e Librazhdit dhe fallxhori me thes të shpuar
U shkula së qeshuri kur lexova për “Fallxhoren e Librazhdit” dhe takimet e shpeshta të Edi Ramës me të, sipas këshillave që i paska dhënë Taulant Balla. Ironi e kërkuar dhe e gjetur me qiri, sado i dyshimtë të jetë lajmi për ndonjë fallxhore me nam në Librazhd, ta zëmë, siç ka qenë Dervish Hatixheja e famshme e Tiranës. Fakti që liderit socialist i kanë shkuar e po i shkojnë punët zi e më zi nga Librazhdi, në Korçë, të bën të besosh se, në mos ndonjë bestytni, një hall i madh e ka hedhur ca si shpesh në ato anë.
S’ka sesi të mos vish në humor kur mëson se Edi Rama paska pasur frymëzime hyjnore që më 1992, kur s’paska votuar as për PD-në, as për PS-në. Ja ç’ paska thënë në Korçë, që të bindë korçarët për largpamësinë e tij me përmasa profetike: “Më 22 mars 1992 nuk kam votuar për Partinë Demokratike, por nuk votova as Partinë Socialiste, të mos i ngelë hatri as atyre”. Allah-Allah, thashë me vete! Po sikur të kishte votuar për njërën, ç’ do të kishte ndodhur vallë? “Gënjen si derr”, do të ketë kërcye ndonjë korçar i padjallëzuar, kur ka dëgjuar se s’paska votuar për PD-në. Jo, do t’i thosha bashkëqytetarit tim, pavarësisht ç’ krahu politik i takon, mos i beso! S’është veçse një rebus, ndonëse për herë të parë si politikan, ngjan të ketë thënë qind për qind të vërtetën. Kush, do të votonte për PD-në më 1992, pjella e Bllokut? Mos i beso, sado që nipi i Byrosë Politike bënte sikur çirrej e shqyhej asohere kundër dajallarëve e xhaxhallarëve bllokmenë e byroistë. Ishin xhibla kinse antikomuniste ato të atëhershmet. Rama dhe të gjithë bllokmenët e tjerë që i bëjnë fresk, i kanë hedhur në kosh të plehrave të gjitha pozat e asaj kohe shndërrimesh, kur ne pandehnim se kërcente prifti nga belaja. Sot, i nxjerrin vetëm kur u duhen dhe aq sa u duhen, që të tërheqin për hundësh të padjallëzuarit, ata “me hallall-e-xhan”, siç themi në të folmen e trevës sonë. Sepse, siç vërtetohet nga dita, në ditë, socialistët e zhgënjyer s’po e hanë më sapunin për djathë.
Rebusi vjen e vështirësohet kur mëson njeriu se zoti Rama, aspak i penduar, është hapur përpara korçarëve, thua se u ka besuar ndonjë të fshehtë: “...të mos u ngelë hatri as atyre”. “As atyre”?... Kujt, pra? As socialistëve? Ec e gjeje! Rebus e shkuar rebusit.
Po të rrekesh ta zgjidhësh lëmshin, duke gjykuar mbi ligjet e logjikës elementare, do të arrish, të paktën, në dy përfundime: a) Rama nuk di ç’ thotë; b) Rama ka bindjen se tashmë ia ka arritur qëllimit, e ka zhbërë Partinë Socialiste.
a) Ma do mendja se, kur ka nxjerrë nga goja këtë mbroçkull, një budallallëk me brirë, s’ do të ketë qenë në ekuilibër të plotë mendor, ngase trurin do ta ketë pasur të mbingarkuar me premtime elektorale, që i lëshon pa doganë dhe që as i mban mend, as beson për vete. Po të kishte qenë i ftilluar, duhet ta dinte se, më 22 mars 1992, PPSh-ja ishte duke dhënë shpirt dhe, të paktën formalisht, nuk ekzistonte. Afro një vit më parë, në qershor të 1991, ajo kishte ndërruar emër, ishte tjetërsuar kinse në parti socialiste, që të trashëgonte anëtarësinë e partisë emërshuar, së cilës Rama i takonte familjarisht. Si zor të besosh se ka bërë një mea-kulpa, adresuar të vdekurve, të kallur a të pakallur. Pra: Rama s’di çka flet.
Duke përjashtuar përfundimin e parë, logjika të çon detyrimisht te i dyti:
b) Edi Rama beson se tashmë Partia Socialiste është shpërbërë. Në këtë rast, mea-kulpa u adresohet ish-socialistëve, jo se i vjen keq për ta dhe se e vret ndërgjegjja, por sepse kërkon t’i fyejë, duke u kujtuar gjëmën që u ka shkaktuar. Kush nuk e di sot se prurjet e liderit socialist, që nga “mjaftucët” e këtej, e kanë shndërruar tashmë PS-në në një thes të shpuar që, ç’t’i futësh brenda, e nxë, ngase e firon përfund e për anësh? A ka gjëmë më të madhe për një parti, t’i ngjajë thesit të shpuar? Si mund të synohet pushteti me një parti inekzistente?
Në Korçë, Edi Rama paska pyetur: “Mos vallë ne e ndryshuam sistemin që të kalonim nga një pushtet që e ndalonte çdo gjë në emër të popullit në një qeveri që shet çdo gjë për të përfituar për vete? Ky ishte ndryshimi që ne kërkuam? Kjo ishte ëndrra europiane në vitin ‘90?
Pavarësisht në e besojnë apo jo dhe, nëse po, sa e besojnë, unë nuk di ç’ kanë menduar socialistët e qytetit tim të lindjes, kur kanë dëgjuar këtë lloj retorike. Po të isha në vend të tyre, e para pyetje që do të më vinte në mendje, do të ishte: Ç’ punë ka në gojën e zotit Rama përemri “ne”, i cili përmbledh edhe atë vetë mes shumicës dërmuese të shqiptarëve që donin ndryshimin e sistemit? Mos vallë beson ende ai, siç besonte më 1990, se ca fjalime anarkiste me fjalor rrugaçësh do ta katapultonin në kupolë, përkrah atyre që iu vunë me vepra ndërtimit të një rendi të ri? Përveç ca pak të indoktrinuarve që s’duan ta dinë, gjithë shqiptarët, socialistë ose jo, e dinë mirëfilli se Rama nuk u bë pjesë ndryshimeve demokratike në Shqipëri për afro një dhjetëvjeçar. Përkundrazi. Siç ka thënë Fatos Nano, ai bëri jetën e endacakut të palarë e me thonj të paprerë rrugëve të Parisit, derisa ish lideri historik i socialistëve, për të zezën e vet, i ofroi Ministrinë e Kulturës, ndonëse artist i dështuar.
Më në fund, ëndrrën europiane, zoti Rama nuk duhet t‘ua kishte zënë në gojë korçarëve. Europiane ka qenë Korça, prej afro njëqind vjetësh, deri sa Enver Hoxha dhe regjimi i tij barbar e shpërfytyruan si me qenë qytet i stepave aziatike. Afro shtatëdhjetë vjet pas babait të tij shpirtëror, më e pakta që mund të bënte në Korçë prishësi për së dyti i ëndrrës europiane të shqiptarëve, duke e mbajtur atë peng të interesave të veta, ishte mos ta përmendte, qoftë edhe përpara socialistëve korçarëve. S’ka dyshim: ka qenë njësoj si të ketë përmendur litarin në shtëpinë e të varurit.