E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: “Rruga Berat-Lushnje, tashmë një premtim i mbajtur”

26-03-2013 / Gazeta 55

Ministri Genc Pollo flet edhe për Boshtin e Jugut, si një projekt, ide dhe realizim që mund ta bëjë vetëm qeveria “Berisha”

Ministri dhe kryetari i grupit të punës së Partisë Demokratike, Genc Pollo, në një prononcim për mediat ka bërë me dije se ka filluar puna në një aks shumë problematik për banorët e Beratit, siç është segmenti rrugor Berat-Lushnje. Gjatë fjalës së tij Ministri dhe deputeti Pollo tha: “Është një lajm shumë i mirë për Beratin, për gjithë qarkun, që po asfaltohet rruga Berat-Lushnje, po përfundon segmenti nga Ura Vajgurore në Poshnje, dhe në prill presim të kontraktohet segmenti Urë Vajgurore – Berat, si edhe segmenti Poshnje – Jeta e Re, për ta lidhur pastaj me Lushnjen dhe autostradën. Është një arter kryesor, është një arter që kemi punuar shumë që të investohet dhe tanimë në muajët e ardhshëm do ta kemi të sistemuar, ashtu siç duhet të jetë rruga kryesore lidhëse e një qyteti të rëndësishëm siç është Berati”.
Gjatë fjalës së tij Ministri Pollo ka folur edhe për një segment tjetër, që lidh Beratin me Fierin, dhe se lajmi i mirë, po ashtu, është se edhe ky segment ka nisur nga rikonstruksioni: “Gjithashtu, edhe rruga e Fierit, nga Poshnja në Velmish tek kthesa e Patosit. Segmenti i dytë po ndërtohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërkohë që 5 km që kanë mbetur duhet dhe ato të ndërtohen së shpejti, por me përfundimin e gjithë këtyre punimeve Berati si qytet dhe komplet qarku do të ketë një rrugë të asfaltuar mirë që do ta çojë si në Lushnje ashtu edhe në Fier”.
Gjatë fjalës së tij, zoti Pollo nuk ka lënë pa përmendur edhe Boshtin e Jugut, si një premtim i rëndësishëm i qeverisë së Kryeministrit Berisha, premtim i cili ka nisur realizimin me segmentin Tiranë – Elbasan, e që pritet të vij në Berat e të dalë në Gjirokastër mandatin e tretë të Partisë Demokratike. “Boshti i Jugut ka arritur në kufi të Kuçovës, është bërë rruga që lidh Tiranën me Elbasanin, po përfundon tuneli dhe është kjo qeveri që e ka filluar, është ajo që mund realisht ta mbarojë. Në rrethanat financiare, pavarësisht nga vështirësit e euro-zonës, ne mundëm të bëjmë njërën gjysmë dhe pjesën tjetër duhet që ta bëjmë mandatin e ardhshëm sepse një qeveri që ka patur idenë, ka ndërtuar konceptin dhe ka filluar investimin, është pikërisht ajo që ka dëshirën, vullnetin dhe vizionin për ta çuar përpara dhe për ta lidhur Beratin me Memaliajn dhe Gjirokastrën”.
Këto janë vetëm disa nga arsyet kryesore, sipas zoti Pollo, që qytetarët e Beratit të votojnë Partinë Demokratike më 23 Qershor, të cilat janë të prekshme dhe me ndikim direkt në jetën e Beratit.  

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›