Minoritarët grekë, me një parti të re, jashtë ombrellës Dule - Bollano
“Partia e Grekëve të Shqipërisë” do të jetë një formacion i ri politik, i cili duket se do të mbledhë rreth vetes shumicën e anëtarësisë së OMONIA-s dhe do të margjinalizojë veprimin përçarës që po luan tani për tani PBDNJ-ja”Partia e re e Grekëve të Shqipërisë po shkon drejt zyrtarizimit të saj. Në një takim të zhvilluar para disa ditësh në Sarandë iu dha dora e fundit programit dhe statutit të saj. Nismëtarë të Partisë së Grekëve (me sa duket kështu do të jetë edhe emërtesa formale e partisë më të re në minoritet) janë shumica e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të OMONIAS, të deklaruar para disa muajve, të cilët kishin kërkuar me ngulm thirrjen e Këshillit të Përgjithshëm të Organizatës me qëllim reformimin e plotë të saj me atribute të një partie politike. Në një deklaratë për shtyp, ky grup nismëtarësh shprehet se bashkëpunimi me PBDNJ-në e zotit Vangjel Dule nuk ka më të ardhme, përderisa ajo u shndërrua në artificë të PS-së së Edi Ramës. Pra, bëhet fjalë për vazhdimësinë e OMONIA-s me atribute të pastra politike dhe elektorale, thuhet më tej në deklaratë.Lëvizjes për krijimin e Partisë së Grekëve, përveç shumicës së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të OMONIA-s, i janë bashkuar ish-kryetarët e organizatës Zarballa, Qirjazati dhe Llabovitiadhi, ish-deputetët Thoma Miço, Ziso Lluci, Kristo Goçi e Ligoraq Karamelo, ish kryetare dhe kryetare komunash (Petro Bereti, Vangjel Anagnosti, Panteli Toli, Andrea Zoto, Ziso Lluci, Koco Kosta, Dhimitër Mejdi, Fredo Berberi, Fredi Xhomo), ish-kryetare dhe kryetarë bashkish e rrethesh (Vasil Cako, Llambi Gjati, Ilia Seferi), dhjetëra të zgjedhur në organet e pushtetit lokal, intelektualë të MEG. Njoftimi vijon më tej se “kjo lëvizje ka patur jehonë pozitive edhe në radhët e shoqatave të emigrantëve në Greqi dhe vlerësohet edhe nga diplomatët grekë si një hap i matur unifikues dhe jo ndarës”.Burime të rezervuara theksojnë se organizimi dhe veprimi statutor i saj parashikohet të ndjekë modelin gjithëpërfshirës të prezantuar vitet e fundit, si risi, nga PASOK dhe Demokracia e Re në Greqi, i cili parashikon votimin e drejtpërdrejtë, jo vetëm të anëtarësisë, por edhe të miqve dhe të dashamirësve të Partisë. Sipas të njëjtit burim ideja e Partisë së Re që do të garantoje vazhdimësinë e OMONIA-s po përkrahet gjerësisht, pasi vetë minoritarët grekë të Shqipërisë janë të pakënaqur nga apatia politike e binomit Bollano-Dule, i cili ka si moto të vetën diversionin politik dhe po ndjek taktika kaotike e selektive, duke i ndarë grekët e Shqipërisë në të majtë dhe në të djathtë, në të mire dhe në të këqij, në tradhtarë dhe patriotë....