Miqësia e re mes Shqipërisë dhe Malit të Zi
Ka fare pak muaj që këtu në kryeqytet u hap ambasada e Malit të Zi, shtetit fqinj verior. Të dyja shtetet dhe qeveritë përkatëse kanë marrëdhënie të shkëlqyera politike. Njëkohësisht të dyja vendet që kërkojnë një integrim sa më të shpejtë në Komunitetin Evropian, kanë nënshkruar dhe vazhdojnë të nënshkruajnë mjaft marrëveshje të përbashkëta. Marrëveshje në fushën mbrojtjes, në fushën e punëve të brendshme, të luftës ndaj trafikut dhe krimit të organizuar etj. Vetëm pak ditë më parë iu shtua edhe marrëveshja e hapjes së pikës kufitare Muriqan-Sukobinë në zonën e Shkodrës. Këtu me mbështetjen e BE-së për herë të parë në rajon, procedura e kalimit nga një shtet tek tjetri ka një përshpejtim dhe procedim nga forma e mëparshme. Në një bisedë me funksionarë të lartë të Ambasadës së Malit të Zi në Tiranë, integrimi në NATO i Shqipërisë është një shtysë dhe mbështetje edhe për vetë Malin e Zi. Qeveria e shtetit malazez e udhëhequr nga Milo Gjykanoviç, me prirje të theksuara demokratike perëndimore, ruajnë dhe vlerësojnë rolin e partive shqiptare në Parlamentin malazez. Shqiptarët në Malin e Zi përbëjnë një përqindje të ndjeshme dhe gjithnjë pozicioni i tyre po shikohet dhe vlerësohet sipas normave evropiane. Të dyja qeveria kanë dhënë mundësi që një numër i konsiderueshëm studentësh shqiptarë nga Mali i Zi të studiojnë në universitetet shqiptare. E njëjta gjë edhe në fushën e kuturis, sportit, turizmit madje edhe në ekonomi, në shkëmbimet reciproke, duke bërë që mundësitë të rriten gjithnjë e më tepër. “Gjithnjë e më tepër po rritet intensiteti dhe vlerësimi në marrëdhëniet reciproke”, - shprehet Met Gjoni, këshilltar në Ambasadën e Malit të Zi, i cili jep një optimizëm se kufijtë nuk i ndjenë më dy popujt si dikur në të kaluarën, por tani synimet evropiane të zhvillimit u kanë dhënë një shtysë dyja shteteve për të ecur përkrah në rrugën e zhvillimit bashkëkohor.